Femrat duhet të tregojnë kujdes të veçantë dhe duhet të jenë sa më të informuara rreth gjoksit të tyre, në mënyrë që të mos preken nga sëmundja e frikshme e tumorit të gjirit



Dhimbja e gjoksit, qoftë e njëanshme (dhimbje e njërit gjoks, i të djathtit ose i të majtit), qoftë i të dyve njëkohësisht, quhet teknikisht mastodinia. Në përgjithësi nuk është sëmundje apo çrregullim shumë i rëndë. Shumë gra, të cilave shpeshherë u shfaqet një fryrje e pazakontë e gjoksit, shqetësohen shumë, pasi mendimi i parë që u shkon në mendje është tumori i gjirit, i cilësuar në përgjithësi si sëmundja më e frikshme e femrave. Por në të vërtetë, dhimbja e gjoksit, në rastet më të shumta, është e lidhur kryesisht me ciklin menstrual dhe me sindromën paramenstruale. Në këtë rast bëhet fjalë për mastodini ciklike, që shfaqet te gratë të cilat kanë arritur pjekurinë pjellore. Por dhimbja në gjoks mund të jetë edhe shenjë e shtatzënisë apo rasti i parë i rritjes së përmasave të tij. Asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi. Duhet thënë se përkujdesja nuk është asnjëherë e tepërt. Ja rastet nëse sindroma e mastodinisë është ciklike apo jociklike.


Dhimbja e gjoksit e lidhur me ciklin menstrual


Dhimbja e gjoksit që shkaktohet nga cikli menstrual përkufizohet si mastodini ciklike e parakohshme. Shfaqet natyrisht në moshë pjellorie, kryesisht pas moshës 30 vjeç dhe zhduket pas menopauzës. Ndër shkaqet e mundshme është hormoni progesteron ai i cili krijon mbajtje të ujit të lokalizuar e që më pas ndikon në shtypjen e gjëndrave të qumështit te gratë, të cilat përkeqësohen dhe krijojnë dhimbje edhe më të forta kur preken. Mund të ekzistojë edhe si iperproletinemi, apo si shkak i fshehur (hormon që stimulon prodhimin e qumështit te gratë gjatë shtatzënisë si dhe parandalon mbetjen shtatzënë serish gjatë kësaj periudhe), rast që duhet verifikuar e kontrolluar nga gjinekologu. Zona ku shfaqet mastodinia ciklike është pjesa e sipërme anësore, por në disa raste është edhe më e përhapur, nga gjëndrat e sqetullës deri në krahë. Fillesat janë një javë para se të vijë cikli i menstruacioneve, por mund të shfaqet edhe më parë. Tensioni dhe shqetësimi largohen gjatë ciklit menstrual. Ekzistojnë disa shkaqe që shkaktohet mastodinia ciklike, si për shembull stresi apo aktivitetet fizike si ngritja e peshave ku përfshihen muskujt e gjoksit. Nganjëherë dhimbja e gjoksit në cikël vjen edhe si rrjedhojë e përdorimit të pilulave kontraceptive. Në përgjithësi nuk është një shqetësim që sjell problem, por në rast se bëhet e shpeshtë dhe e dhimbshme, duhet gjithmonë të shkohet tek doktori e të bëhet një vizitë e gjoksit.


Dhimbje e gjoksit jociklike


Dhimbja e gjoksit që nuk shoqërohet gjatë ciklit përkufizohet si mastodini jociklike, dhe nuk është e thënë të jetë sëmundje shumë e rëndë. Siç e thamë edhe më lart, një grua shtatzënë mund të ndiejë dhimbje të gjoksit si në fillim të shtatzënisë ashtu edhe në vazhdim. Nganjëherë në rrethin e gjirit formohen plagë të vogla, plasaritje, të cilat krijojnë dhimbje të bezdisje gjatë thithjeve, ndërkohë në gjoks krijohet tension për shkak të formimit të qumështit. Ndërkaq gjatë shtatzënisë përkufizohen edhe raste të tjera të mastodinisë jociklike. Duhet thënë që është më pak e përhapur nga mastodinia ciklike dhe shfaqet zakonisht më vonë, rreth të 40-ave apo 50-ave. Ajo shfaqet ndryshe nga e para: mund të jetë e lehtë ose e fortë dhe shoqërohet nga ndjesi rëndese. Mund të zgjasë për një kohë relativisht të gjatë. Zonat e gjoksit të prekura janë të ndryshme: fillojnë nga kokrra duke mbuluar të gjithë sipërfaqen e gjirit. Karakteristikë tjetër e mastodinisë jociklike është që në të shumtën e rasteve ajo shfaqet e njëanshme (vetëm në njërin gjoks). Po cilat janë rastet? Jo gjithmonë janë të qarta, përkundrazi, ato kanë të bëjnë me shqetësime individuale.