Plakja e trurit dhe çrregullimet neurologjike të lidhura me të, siç janë dëmtimi i lehtë njohës dhe sëmundja e Alzheimerit, përbëjnë një sfidë të rëndësishme.
Hulumtimet e fundit shkencore kanë filluar të eksplorojnë rolin e të ushqyerit në shëndetin e trurit, duke nxjerrë në pah potencialin e dietës mesdhetare.

Një studim i ri i botuar në Clinical Nutrition, zbuloi se një dietë mesdhetare e gjelbër, e pasuruar me çaj jeshil, mund të ngadalësojë rënien njohëse.
Studimi DIRECT PLUS, një nga studimet më të gjata mbi lidhjen midis dietës dhe funksionit të trurit, përfshiu rreth 300 persona. Pjesëmarrësit ndoqën një nga dietat e mëposhtme për 18 muaj:

Dietë tipike e shëndetshme
Dietë tradicionale mesdhetare me kufizim kalorish, me pak karbohidrate të thjeshta, e pasur me perime e zëvendësim të mishit të kuq me shpendë dhe peshk.

Dieta mesdhetare e gjelbër, e cila përfshinte gjithashtu çaj jeshil

Analiza e niveleve të proteinave në gjak të pjesëmarrësve tregoi se nivelet më të larta të proteinave të caktuara shoqëroheshin me plakje më të shpejtë të trurit. Në të kundërt, pjesëmarrësit që ndoqën dietën e gjelbër mesdhetare treguan një rënie të këtyre niveleve.

Studiuesit besojnë se efekti mbrojtës i dietës është për shkak të substancave anti-inflamatore që përmbahen në çajin jeshil.
Siç shpjegon Anat Meir, një studiuese në Shkollën Harvard Chan, “studimi i proteinave në gjak na lejon të vëzhgojmë, në kushte reale, se si proceset e plakjes së trurit ndikohen nga ndryshimet në stilin e jetës dhe në dietë ”.

Ky studim ofron një pamje dinamike të shëndetit të trurit, duke lejuar zbulimin e ndryshimeve biologjike shumë kohë para shfaqjes së simptomave.

“Duke hartëzuar këto modele proteinash, ne fitojmë njohuri të vlefshme se si ndërhyrjet, të tilla si dieta, mund të ruajnë funksionin njohës gjatë plakjes“, shton Meir.

Rezultatet e hulumtimit nxjerrin në pah rëndësinë e dietës për shëndetin e trurit dhe hapin rrugë të reja për parandalimin e rënies njohëse dhe sëmundjes së Alzheimerit.

Dieta e gjelbër mesdhetare, me shtimin e çajit të gjelbër, duket se ofron një mjet të provuar shkencërisht për ngadalësimin e plakjes së trurit, duke përforcuar rëndësinë e zgjedhjeve të përditshme dietike në parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative.