Operacioni Condor
Simon Watts, BBC
Njëzet vjet më parë, një avokat në Paraguai, Martin Almada, mori një informacion të vyer që do t’i ndryshonte jetën dhe do ta ndihmonte të zbulonte një operacion masiv të drejtuar nga diktatorët ushtarakë të Amerikës së Jugut për të shpartalluar kundërshtarët e tyre politikë. Ai kishte kërkuar për më shumë se 15 vjet për dokumente që mund ta lejonin atë të provonte se qe torturuar nga diktatura ushtarake e gjeneralit Alfredo Stroessner në vitet 1970 – dhe se bashkëshortja e tij qe detyruar të dëgjonte regjistrimet e torturave të tij. Tre vjet pas rënies së diktatorit, një grua e mori në telefon për t’i thënë se e dinte se ku mund t’i gjente këto dokumente.
“I thashë të vinte të më takonte dhe ajo më dha një hartë të vizatuar me dorë”, rikujton Almada. “Ajo ma la hartën në dorë dhe më tha se besonte se unë do të bëja atë çfarë duhej”.
Brenda pak ditësh, Almada dhe një bashkëpunëtor i tij, Jose Agustin Fernandez, udhëtoi te vendi i shënuar në hartë, pranë një stacioni policie në periferi të kryeqytetit të Paraguait, Asuncion.
“Ai qe një stacion policie krejtësisht normal”, thotë Almada. “Në oborr kishte një furrë buke, disa punishte dhe në pjesën e pasme, një ndërtesë ku gjendej një mal me dokumente – një mal i vërtetë me dokumente”.
Në fakt, qenë në total rreth 700 mijë dokumente që përbënin një të dhënë të plotë të aktivitetit të shërbimit sekret të këtij vendi përgjatë tri dekadave – një set dokumentesh që u njoh më pas si “Arkiva e Terrorit”.
Për Almada-n, letrat do t’u tregonin atyre që kishin dyshime për çfarë i tregonte ai vetë për eksperiencën si i burgosur në Paraguai mes viteve 1974 dhe 1977. “Qava nga gëzimi për shkak se njerëzit shpesh më trajtonin sikur unë po i gënjeja”, thotë ai. “Ajo qe si një shpërthim kujtimesh. Ndieja se në çdo dosje që po hapnim, do të gjenim një fakt të rëndësishëm për të kuptuar regjimin e terrorit. Çdo dokument përmbante një tragjedi”.
Stroessner sundoi Paraguain për 35 vjet, pasi mori pushtetin me ndihmën e ushtrisë më 1954. Duke përdorur një rrjet spiunësh, autoritetet përndoqën çdo qytetar që konsiderohej i dyshimtë – përfshirë mësuesit, fshatarët apo priftërinjtë që bënin thirrje për ndryshime shoqërore.
Policia sekrete udhëhiqej nga i frikshmi Pastor Coronel, për të cilin thuhet se i torturonte të dyshuarit personalisht. Por ai duket se kishte një dobësi – një obsesion për të mbajtur dokumente dhe shënime mbi aktivitetin në mënyrë të rregullt. Oficerët e tij mbajtën shënim me kujdes çdo arrestim, çdo hetim dhe çdo moment të të dyshuarit. Ata bënë edhe qindra regjistrime të takimeve të opozitës, si dhe fotografuan aktivitetet e dyshimta. Arkiva e Terrorit përmban foto të marra me teleobjektiv që paraqesin paraguaianët në dasma e funerale. Policia sekrete mbajti shënim edhe numrin e targave të parkuara pranë vendtakimeve të opozitës klandestine.
Almada hyri në vëmendjen e policisë sekrete herët në vitet 1970 kur ai dhe bashkëshortja e tij, Celestina, po punonin si mësues në një shkollë që patën ndërtuar në periferi të Asuncion. Politikat e tyre kishin tendencë të majtë dhe ata bënin fushatë për paga më të mira dhe kushte pune për mësuesit. Ata bënin thirrje edhe për ndryshimin e teksteve shkollore. Dhe një mbrëmje, policia sekrete erdhi për të.
Pas 30 ditësh marrje në pyetje, Almada u klasifikua zyrtarisht si një “terrorist intelektual dhe injorant”. Ai u dërgua në një burg të hapur dhe namëkeq të quajtur Emboscada, ku qëndroi për tre vjet. Atje ai u përpoq dëshpërimisht të mësonte se çfarë kishte ndodhur me gruan e tij.
Celestina pati vdekur shumë shpejt pas arrestimit të tij dhe policia thotë se qe një vetëvrasje. Almada pati besuar gjithmonë që bashkëshortja e tij kishte vdekur për shkak se policia e kishte vënë të dëgjonte regjistrimet e torturave që ishin kryer ndaj tij.
“Telefoni përdorej si një instrument për torturë psikologjike”, thotë ai. “Për tetë ditë ata e vunë atë të dëgjonte sistematikisht çdo gjë që më ndodhte mua. Pastaj i dërguan asaj rrobat e mia me gjak. Pastaj një natë e morën në telefon dhe i thanë ‘mësuesi subversiv ka vdekur, eja merr trupin e tij’”.
“Ajo vdiq sepse e la zemra”, thotë ai. “Vdiq nga trishtimi”.
Almada gërmoi të gjitha të dhënat e Arkivit së Terrorit me shpresë se do të gjente kasetën ku policia tregonte se po kontaktonte bashkëshorten e tij. Por megjithëse gjeti dosjen e tij personale, asgjë nuk e shpjegoi vdekjen e Celesinës.
Por Almada gjeti përgjigje për një pyetje tjetër. Ndërsa mbahej i arrestuar, Almada takoi bashkëvuajtës nga vende të tjera të Amerikës Latine, të cilët folën mbi një operacion sekret nga Paraguai dhe diktatorë të tjerë të rajonit për të koordinuar operacionet e shërbimeve sekrete dhe për të rikthyer të burgosurit në vendet e tyre të origjinës. Dukej se operacioni e kishte emrin e koduar “Condor”.
“Dëgjova për operacionin ‘Condor’ kur isha i zënë në rrjetën e tij,” thotë Almada. Në arkiv, ata gjetën një dokument të rëndësishëm. Me vulën Top Secret, ajo qe një ftesë nga kreu i shërbimit sekret të Kilit për homologun e tij të Paraguait për të marrë pjesë në takimin themelues të operacionit “Condor” në Santiago, më 25 nëntor 1975.
“Është shumë i rëndësishëm dhe një dokument kyç”, thotë Andrew Nickson, një akademik nga Britania e Madhe i cili dikur punoi për “Amnesty International” në Paraguai. “Kilianët dhe argjentinasit do të çmendeshin po të mësonin se këto dokumente nuk qenë shkatërruar”.
Por falë kësaj ftese, si dhe shumë dokumenteve të tjera në Arkivin e Terrorit, tashmë është e njohur se Paraguai, Kili, Argjentina dhe Uruguai qenë anëtarë themelues të operacionit “Condor”, ku Bolivia dhe Brazili u bashkuan më vonë.
Operacioni përdori një sistem të koduar komunikimi, ku transferimet bëheshin përmes një baze ushtarake amerikane në kanalin e Panamasë. Ky sistem i lejoi vendet anëtare të ndërtojnë një databazë me të dyshuarit dhe të përgjigjeshin shpejt.
John Dinges, autor i librit “Vitet e Operacionit Condor” thotë se Arkiva e Terrorit, bashkë me dokumentet jo më sekret të SHBA-së, Kilit, Argjentinës e vende të tjera – përbëjnë themelin e asaj që njihet si funksionimi i brendshëm i forcave të sigurisë së Amerikës së Jugut në ato vite.
“Pa këto dokumente, hetimet penale në të gjitha këto vende do të duhej të bazoheshin pothuajse tërësisht në të dhënat e viktimave të hartuara nga hetuesit e të drejtave të njeriut me kalimin e viteve dhe me pak zyrtarë ushtarakë të penduar që do të pranonin të dëshmonin”, thotë ai.
Provat e mbledhura nga Almada u bënë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të përndjekur gjeneralin Pinochet në Kili mes viteve 1998 dhe 2006. Arkiva është përdorur edhe në shumë procedime të tjera ligjore në Argjentinë dhe Kili.
Në Paraguai, një grup i vogël torturuesish është dërguar në gjyq që nga rikthimi i demokracisë, por shumica e komandantëve të lidhur me juntën i kanë shpëtuar drejtësisë. Megjithatë, Almada beson se ai dhe jo torturuesit e tij, e dhanë fjalën e fundit.
“Kur më vunë kapuç dhe më torturuan, unë vijova t’u them atyre se bota është një rrotë me ecje të ngadaltë dhe se herët apo vonë, demokracia do të vijë dhe se unë do të luaj një rol të rëndësishëm. Unë e sajova diçka të tillë dhe nuk e di nëse ata më besuan ndonjëherë, por në një farë mënyre, kjo gjë u bë e vërtetë”.
Nga arkiva
Dora Marta Landi dhe bashkëshorti i saj u burgosën nga policia e Paraguait, pasi u larguan nga Argjentina. Ata u akuzuan se mbanin dokumente të rreme identifikimi dhe se kishin kontaktuar me një grup guerilas. Ata u zhdukën ndërsa qenë të arrestuar. Fati i tyre mbetet i panjohur.
Operacioni ‘Condor’
Regjimet ushtarake në Argjentinë, Kili, Paraguai dhe Uruguai bashkëpunuan për të eliminuar kundërshtarët në vitet 1970 dhe 1980. Bolivia dhe Brazili qenë gjithashtu të përshirë. Taktikat përfshinin arrestime ilegale, ekzekutime jashtëgjyqësore dhe shkëmbim të burgosurish.
CIA u informua për bashkëpunimin rajonal para operacionit ‘Condor’, kur trajnoi shërbimin sekret të Kilit.
Viktimat në Paraguai dhe drejtësia
“Të zhdukurit” ose ata që nuk dihet se si përfunduan, janë 399 vetë (më shumë se 150 prej tyre janë parë për herë të fundit në Argjentinë). Vrasjet pa gjyq qenë 59. Të burgosurit dhe të torturuarit vlerësohet se kanë qenë rreth 20 mijë. Njerëzit e prekur indirekt nga kjo fushatë qenë 128 mijë.
Shefi i policisë sekrete, Pastor Coronel, vdiq në burg i dënuar me 25 vite burg për krimet e tij.
Tre komandantë të tjerë policie janë dënuar me 25 vite burg.
Burimi: Komisioni për të Vërtetën dhe Drejtësinë i Paraguait