Petalet e luleve të përdorura për t’u dhënë ngjyra pjatave nuk kanë vetëm një vlerë estetike. Një studim i fundit, ka zbuluar se disa prej tyre janë madje më të ushqyeshme sesa frutat dhe perimet kur përdoren në ushqime të ndryshme…


Gastronomi


ELVIRA NASELLI



E kishit menduar ndonjëherë që të përdornit lulet që keni në ballkon ose ato që gjeni gjatë shëtitjeve në pyll, në recetat tuaja të kuzhinës? Sallatë me lule nasturtiums, panzanella me spërkatje të luleradhiqes, snapdragons të mbushura me djathë dhie, petale kumaku në përbërje të bukës dhe të byrekut. Ato i japin një shkëlqim të mrekullueshëm tavolinës dhe një sasi të mirë antioksidantësh organizmit tonë. Me pak fjalë, sot ato janë në modën e të ngrënit modern dhe të ushqyeshëm. Kjo ide nuk është e re, përderisa tashmë grekët dhe romanët i përdorin lulet jo vetëm për të zbukuruar pjatat e tyre, por edhe si përbërës më vete për të përmirësuar aromën apo shijen e disa recetave. Disa masa paraprake në zgjedhjen e lëndës së parë: evitoni të hani lulet e blera nëpër dyqane, pasi ato janë rritur me përdorimin e pesticideve dhe plehrave kimike. Por nëse bëni një shëtitje të bukur nëpër pyje ose edhe në ballkonin tuaj, ju mund t’i gjeni fare lehtë lulet ushqyese pa intoksikime. Një studim interesant vjen nga një grup shkencëtarësh, të cilët u përkasin universiteteve të ndryshme çeke. Ata kanë krahasuar 12 lloje të ndryshme lulesh të zakonshme, duke analizuar përbërjen e tyre dhe kanë arritur në përfundimin se ato kanë një përqendrim të madh mineralesh, ku fosfori dhe kaliumi zënë vendin e parë, ndërsa më pas vjen edhe substanca phenolic, e cila ndodhet në sasi më të mëdha te lulet sesa te frutat dhe perimet. Nuk bëhet fjalë për lule të rralla, por për ato fare të zakonshme që nga kumaku, luleradhiqja, begonja, manushaqja etj. “Ka një kuriozitet të madh për lulet të cilat hahen edhe pse në fillim shumë njerëz hezitojnë dhe janë mosbesues duke qenë se mendojnë se ato mund të jenë të kontaminuara. Por nëse hahet sallatë e kultivuar qoftë edhe në ballkon përse duhet të keni frikë nga lulet, të cilat megjithatë konsumohen në sasi shumë të vogla?”, shprehet Stefano Benvenuti, i cili punon në Departamentin e Universitetit Bujqësor të Pizës. Në fakt, në shumë kuzhina rajonale përdorimi i luleve, sidomos ato të fushës, është më se i zakonshëm. Për shembull rizoto me lulet e akacies dhe të luleradhiqes është mjaft i preferuar. “Të gjitha lulet kanë sasi të konsiderueshme antioksidantësh. Te lulet më shumë sesa te barërat nuk ekziston rreziku për të gabuar për shkak se ato janë lehtësisht të dallueshme, kështu që rreziku toksik është me të vërtetë shumë i ulët. Por njerëzit për fat të keq nuk janë mësuar me idenë e të ngrënit lule, të cilat për të thënë të vërtetën janë mjaft të këndshme dhe të shijshme kur gatuhen në ushqime të ndryshme qoftë të kripura të ëmbla, apo majhoshe”, përfundon biologu italian, Stefano Benvenuti.


 


Disa lloje lulesh të cilat hahen:


Strigoli-( Taraxacum officinale)-Luleradhiqja është pjesë e bimëve të egra, ajo mund të bëhet shumë mirë pjesë përbërëse e supave të ndryshme.


Cicerbita (Sonchus oleraceus)- Një lloj luleje që mund të përdoret për të përgatitur shumë pjata të shijshme si për pansoti, por edhe në raviolet tipike të përgatitura me makarona dhe vezë, të mbushura me djathë, gjizë dhe perime.


Rrepkë– (Cichorium intybus)- Përdoret për rizoto, supa të ndryshme, por një nga pjatat më të shijshme e bërë me rrepkë është ajo me krepa me krem nga gorgonzola.


Begonja- (Begonia spp)-Lulet e begonjës janë shumë të pasura me vitamina, minerale dhe proteina. Janë perfekte për sallatat e frutave, akulloret etj.


Akacia– (Robinia pseudo)-Lulet e akacies janë përbërëse shumë të mira për të bërë petulla të shijshme.