E hëna e tretë e vitit e cila për 2026 përkon me 19 janarin, njihet botërisht me termin “blue Monday” (e hëna blu), ose dita më depresive e vitit.

Ndërkohë që mungojnë prova shkencore për ta konsideruar si dita më e trishtueshme ose më e zymtë se të tjerat, psikologët mendojnë se sezoni i dimrit mund të jetë sfidues nga ana emocionale për shumë njerëz.

Termi “e hëna blu” u shpik për herë të parë në vitin 2005 nga psikologu Cliff Arnall për kompaninë e udhëtimeve të Mbretërisë së Bashkuar, “Sky Travel” si një mënyrë për të promovuar pushimet dimërore. Idea ishte që kompania të shiste më shumë paketa pushimesh në këtë ditë.

Psikologu Arnall llogariti të dhënat e motit, sasitë e borxhit, kohën e kaluar që nga Krishtlindja, nivelet e motivimit dhe kohën që nga marrja e zotimeve të Vitit të Ri.

Arnall mori shumë kritika nga kolegët. Ata e akuzuan se nuk bazohej në prova shkencore, por së fundmi qarkullon një teori tjetër sipas së cilës 19 janari mund të mos jetë dita më e trishtë e vitit, por dimri është një stinë që ndikon tek humori, duke qenë se ndriçimi është më i ulët dhe dita më e shkurtër.

Shumë njerëz përjetojnë të ashtuquajturin “dëshpërim dimëror”, një rënie afatshkurtër sezonale të humorit dhe energjisë e lidhur me stinën më të ftohtë dhe më të errët.

Mungesa e dritës ndikon te hormonet si serotonina dhe melatonina, të cilat rregullojnë humorin dhe energjinë. Çelësi për të mposhtur trishtimin dimëror mund të jenë ushtrimet e rregullta, rrezet e diellit, gjumi i mirë dhe lidhjet sociale.