Një pyetje që shpesh bëhet në takimin e parë, mund të dëmtojë menjëherë përshtypjen e parë të mirë. Kur njohin një person të ri, shumë njerëz pothuajse instinktivisht bëjnë të njëjtën pyetje: “Me çfarë merresh?” Edhe pse duket e padëmshme, kjo pyetje në fakt mund të shkaktojë siklet dhe të ndërpresë menjëherë mundësinë për t’u lidhur vërtet me dikë, thotë ekspertja e gjuhës së trupit Vanessa Van Edwards. Gjatë një interviste në podcastin “The Diary of a CEO”, Van Edwards paralajmëroi se një pyetje e tillë, pa vetëdije, futet në sferën e vlerësimit të personit vetëm në bazë të profesionit të tij/saj.

“Mos i pyesni njerëzit se me çfarë merren. Kjo tingëllon sikur ju intereson vetëm titulli i tyre apo të ardhurat. Në fakt, me një pyetje të tillë i dërgoni mesazhin: ‘Sa vlen ti si person?’”-thekson Van Edwards. Sipas saj, kjo pyetje mund të tingëllojë e vrazhdë, sidomos nëse personi nuk e bazon vetëvlerësimin e tij/saj vetëm tek puna që bën. Në vend të kësaj, ajo sugjeron një qasje që i jep më shumë hapësirë bisedës natyrale.

“Nëse identiteti i dikujt nuk lidhet vetëm me punën, pyetja ‘Me çfarë merresh?’ mund të duket e papërshtatshme. Më mirë pyesni diçka si: ‘A po punon aktualisht në ndonjë gjë interesante?’ ose ‘Ke ndonjë projekt emocionues këto ditë?’ kjo i lë personit më shumë hapësirë të zgjedhë vetë për çfarë dëshiron të flasë”-shpjegon Van Edwards.