Leucovorini përdoret zakonisht në kimioterapi, por po shqyrtohet edhe për lidhjen e tij me autizmim. Ilaçi Leucovorin për të cilin Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka nisur procedurat për përdorim kundër autizmit dhe që e ka paralajmëruar presidenti i SHBA-ve Donald Trump, është një ilaç që parandalon ose trajton efektet e dëmshme të disa llojeve të barnave. Ky ilaç merret vetëm me recetë dhe përdoret rreptësishtë sipas udhëzimeve. Përmban substancën aktive kalcium-folinat dhe vepron duke rritur përqendrimin e acidit folik në organizëm.
Përdoret në kombinom me 5-fluorouracilin për të rritur efikasitetin e tij në terapinë citotoksike. Leucovorini nuk duhet të përdoret nga personat alergjikë ndaj kalcium-folinatit ose ndonjë prej substancave ndihmëse të këtij ilaçi, personat me anemi si pasojë e mungesës së vitaminës B12. Pacienti duhet të kontaktojë menjëherë mjekun nëse pas marrjes së ilaçit shfaq ndonjë nga simptomat e mëposhtme, të cilat edhe pse shumë të rralla, mund të jenë serioze.
Simptoma të reaksionit alergjik janë skuqje ose kruarje, ënjtje e duarve, këmbëve, kyçeve, ënjtje e fytyrës, buzëve ose gjuhës, që mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje e gëlltitje dhe humbje të vetëdijes. “Ky ilaç përdoret kryesisht në trajtimin e kancerit. Zakonisht kombinohet me ilaçin kimioterapik fluorouracil, i cili pengon qelizat e kancerit të krijojnë ADN dhe të ndahen. Leucovorini e forcon veprimin e fluorouracilit. Leukovorini përdoret gjithashtu për të zvogëluar efektet toksike të metotreksatit, një tjetër ilaç kimioterapik”, shpjegojnë ekspertët.
Metotreksati vepron duke bllokuar përdorimin e folatit në trup, i cili u nevojitet qelizave të shëndetshme për prodhimin e ADN-së. “Leucovorini siguron formën aktive të folatit që qelizat e shëndetshme mund të përdorin për të prodhuar ADN, duke i ‘shpëtuar’ ato, ndërkohë që metotreksati vazhdon të sulmojë qelizat e kancerit. Meqë metotreksati përdoret edhe për trajtimin e psoriazës, një sëmundje autoimune e lëkurës, ky ilaç mund të përdoret si mjet mbrojtës gjatë trajtimit të këtij gjendjeje”, theksojnë ekspertët.
“Kjo, sepse mungesa e folatit lidhet me zhvillimin e spina bifida, një gjendje ku shtylla kurrizore e fetusit nuk zhvillohet siç duhet. Për këtë arsye, grave u rekomandohet të marrin suplemente të acidit folik para shtatzënisë dhe gjatë muajve të parë të saj. Folatit i atribuohet gjithashtu rëndësi në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe në funksionimin e përgjithshëm të trurit”, shtojnë Witt dhe Li. Sipas tyre, rekomandimi për përdorimin e leucovorinit në trajtimin e autizmit buron nga teoria se nivelet e ulëta të folatit në tru mund të çojnë në një gjendje të quajtur mungesa cerebrale e folatit.
Fëmijët me këtë mungesë zakonisht nuk shfaqin simptoma gjatë dy viteve të para të jetës. Më pas, ata shfaqin vështirësi në të folur, kriza epileptike dhe prapambetje intelektuale. Pasi simptomat e autizmit janë të ngjashme dhe zakonisht shfaqen në të njëjtën moshë, disa ekspertë kanë propozuar lidhje midis mungesës së folatit në tru dhe autizmit. “Sipas një studimi të vogël nga viti 2024, i cili përfshiu rreth 80 fëmijë të moshës 2-10 vjeç me autizëm, gjysma mori dozën maksimale ditore prej 50 mg acid folik (ngjashëm me leucovorinin), ndërsa gjysma tjetër mori placebo. Fëmijët që morën acid folik treguan përmirësime më të dukshme krahasuar me ata që morën placebo”, thonë Witt dhe Li. Një studim tjetër i vitit 2025 testoi të njëjtën dozë tek fëmijë kinezë me autizëm. Ata që morën acid folik patën përparim më të madh në zhvillimin e aftësisë shoqërore të quajtur reciprocitet social, krahasuar me ata që morën placebo.