Shumë njerëz që përpiqen të mbajnë nën kontroll peshën apo nivelin e sheqerit në gjak shpesh shmangin frutat, duke menduar se ato përmbajnë shumë sheqer. Por ekspertët e ushqyerjes paralajmërojnë se frutat e plota nuk duhen krahasuar me ushqimet e përpunuara që kanë sheqer të shtuar.
Sipas specialistëve, frutat janë të pasura me vitamina, minerale, antioksidantë dhe fibra, të cilat ndihmojnë organizmin të përthithë më ngadalë sheqerin dhe të mbajë të qëndrueshme nivelet e glukozës në gjak.
Për personat që ndjekin një regjim ushqimor të kontrolluar, ekspertët sugjerojnë zgjedhjen e frutave me përmbajtje më të ulët sheqeri, të cilat ofrojnë vlera të larta ushqyese pa rënduar organizmin.
Në listën e frutave më të rekomanduara përfshihen manaferra, kivi dhe kajsia, të njohura për sasinë e ulët të sheqerit dhe përfitimet e shumta për shëndetin. Po ashtu, edhe ananasi i freskët, shalqiri, qershitë, grejpfruti dhe papaja konsiderohen alternativa të mira kur konsumohen me masë.
Ekspertët theksojnë se konsumimi i frutit të plotë është shumë më i shëndetshëm sesa pirja e lëngjeve të frutave, pasi fruti ruan fibrat natyrale që ndihmojnë në kontrollin e urisë dhe ngadalësojnë përthithjen e sheqerit.
Ata rekomandojnë që frutat të jenë pjesë e përditshme e ushqimit, të kombinuara me aktivitet fizik dhe një dietë të balancuar.
Në këtë mënyrë, sipas specialistëve, është e mundur të përfitohen të gjitha vlerat ushqyese të frutave pa ndikuar negativisht në nivelin e sheqerit në gjak apo në ruajtjen e formës fizike.
