Në verën e vitit 1929, në një Shqipëri të brishtë, ende në proces fuqizimi institucional, një seri raportesh administrative do të nxirrnin në pah një çështje të pazakontë në një zonë të thellë të veriut: Kabashi i Pukës. Dokumentet e kohës, të shkëmbyera ndërmjet autoriteteve lokale dhe qendrore, zbulojnë jo vetëm një objekt të çuditshëm me tipare të pazakonta, por edhe një reagim shtetëror që ndërthur interesin shkencor me shqetësimin kombëtar.
Gjithçka nis me një njoftim të Nënprefekturës së Pukës, e cila, duke u mbështetur në informacionet e Komandës së Togës lokale, raporton në Ministrinë e Arsimit, për ekzistencën e një guri gjigant në vendin e quajtur Blinisht, në katundin Kabash, Pukë. Përshkrimi është i detajuar dhe i pazakontë. Kemi të bëjmë me një masiv guri që mund të peshojë mbi 70 ton (edhe pse ka mospërputhje shifrash), i formës së një kubeje, i punuar rreth e rrotull dhe në sipërfaqe me rreth 30 zgavra të vogla “si filxhanë” dhe katër të tjera më të mëdha “si gota”. Vetë forma e gurit dhe formulimi i përshkrimit sugjeron qartë për një ndërhyrje të dukshme njerëzore dhe jo për një formacion natyror. Por nuk është vetëm forma ajo që tërheq vëmendjen e autoriteteve. Në raport theksohet, se për këtë gur “thuhet se duan ta marrin italianët”. Ky detaj, në dukje periferik, merr peshë të veçantë në kontekstin e kohës, kur prania ekonomike dhe teknike italiane në Shqipëri ishte në rritje, veçanërisht në sektorin minerar. Për administratën shqiptare, fakti që një subjekt i huaj shfaq interes për një objekt të tillë ishte një sinjal i qartë se bëhej fjalë për diçka me vlerë.
Ndërkohë, një raport paralel hedh dritë mbi zhvillime të tjera në të njëjtën zonë. Në Prue të Bicajt, gjatë hapjes së një tuneli nga punëtorët e minierës së Kabashit, një inxhinier (identiteti i të cilit nuk jepet) përballet me një zbulim të papritur. Reagimi i tij është i menjëhershëm dhe domethënës: ndalon punimet në çast, shpërblen punëtorët dhe njofton kompaninë e tij me kod. Ky episod, i përshkruar me një gjuhë të kursyer, sugjeron se është hasur diçka e rëndësishme, ndoshta me vlerë të konsiderueshme, e cila kërkon trajtim të rezervuar.
Në këtë pikë, pas këtyre sinjaleve të qarta, çështja kalon nga niveli lokal në atë qendror. Prefektura e Shkodrës dhe më pas ministritë në Tiranë: e Arsimit; e Punëve të Brendshme dhe e Ekonomisë Kombëtare, – përfshihen në një zinxhir komunikimi që tregon seriozitetin e situatës. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Zyrës Sekrete, kërkon informacion shtesë, madje edhe përmes mesazhesh të shifruara, çka nënkupton një dimension konfidencial dhe potencialisht sensitiv të çështjes që po trajtohet.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit vihet në lëvizje për aspektin shkencor. Në një shkresë zyrtare kërkohet që në vendngjarje të dërgohet një specialist për të studiuar situatën nga afër dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për sende antike me vlerë (“vjetërsina”). Formulimi është i qartë dhe i prerë: nëse konstatohen objekte të tilla, ato nuk duhet të zhduken, pasi përbëjnë “pjesë të thesarit të shtetit”. Kjo fjali, ngjan e thjeshtë në dukje. Por, në fakt, ajo përfaqëson një shprehje të hershme të vetëdijes institucionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, si element me rëndësi të veçantë. Ndërkohë, dokumentet zbulojnë edhe pasaktësi e mospërputhje, të cilat mund të jenë tipike të administratës së kohës. Pesha e gurit ndryshon nga një raport në tjetrin. Herë jepet 708 kuintal, herë 768, e madje në një rast jepet gabimisht 7-8 kuintal. Ky detaj tregon një problem në transmetimin e informacionit ose në përpunimin burokratik të tij dhe sipas burimit fillestar pesha e gurit duhet të jetë shumë e madhe. Duhet thënë se kjo luhatje nuk e zbeh thelbin e çështjes: objekti perceptohet si i jashtëzakonshëm.
Nëse e shohim përshkrimin në një plan më të gjerë, të gjitha këto elemente: guri i punuar me zgavra, gërmadhat e një vendbanimi të lashtë, zbulimet e mundshme në tunel dhe interesi i ekspertëve të huaj, – krijojnë profilin e një zone me potencial të lartë arkeologjik. Pa dhënë përfundime të prera, dhe duke u bazuar thjesht në këto dokumente, shihet se këto të fundit sugjerojnë se Kabashi mund të ketë qenë një qendër e rëndësishme në kohërat e vjetra. Objekti i përshkruar mund të lidhet me praktika rituale, funksione utilitare ose forma të tjera të organizimit shoqëror të së kaluarës shumë të lashtë.
Ajo që bie lehtësisht në sy nuk është vetëm misteri i gurit të Kabashit, por edhe mënyra dhe interesi se si një shtet i ri përpiqet ta kuptojë këtë objekt të rëndësishëm kombëtar dhe ta mbrojë atë. Midis interesave ekonomike, ndikimeve të jashtme dhe mungesës së ekspertizës së plotë shkencore kombëtare, administrata shqiptare e vitit 1929 tregon një refleks të qartë: çdo gjë që mund të përfaqësojë vlerë historike apo kulturore duhet të ruhet. Në këtë fije të hollë ku nga njëra anë është e panjohura arkeologjike dhe nga ana tjetër përgjegjësia shtetërore, këto dokumente marrin rëndësinë e tyre të vërtetë. Në vijim jepet korrespodenca shtetërore që ka lidhje me raportimin që bëhet për këtë gur misterioz të gdhendur. Materialet e mëposhtme janë të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH). Shkrimi mbyllet me një material të botuar në revistën “Hylli i Dritës” (1943), që flet për gojëdhënat dhe burimet e lidhura me toponiminë e Kabashit.

DOKUMENTI 1
(AQSH. FONDI 152, VITI 1929, DOSJA 811, FLETA 1)
Shkoder, me 12.VIII.29
Mbretnija Shqyptare, Prefektura e Shkodrës, Nr. 604. Res. Nenprefektura e Pukes, Nr. 62. Res., Puke me 6.8.29. P. T.
Ministris Aresimit, Tirane
Raportohemi nga Komanda e Toges këtushme se ne Blinisht te katundit Kabashe te këtij rethi ndodhet nji gure qi mund te peshoje 708 kuintal ne forme te nji kubeje, i cilli reth e per qark dhe sypri ka te punuem 30 cope si filxhana dhe kater cope gota, per te cillin thuhet se duan sikur te marin Italianet dhe nga kjo kuptohet se asht i vlefshem, përveç keti ne at vend mbasi ka qene si Qender ne kohërat e lashta dhe ne gërmadhat e shtepiave thuhet se ka antika.
Andej ju lu emi te na njoftohet menyra e veprimit mbi çashtje.
Nenprefekti:
P. T.
Prefektures Shkoder
Per njoftim.
Nenprefekti: T. Hilmija. d. v.
Ministris P. Mbrendshme, Tirane. Per dijenie parashtrojme
kopjen e siperme.
Zav. Prefekti, Kapiten [nënshkrimi]
DOKUMENTI 2
(AQSH. FONDI 152, VITI 1929, DOSJA 811, FLETA 2)
Shkoder, me 12.VIII.29
Mbretnija Shqyptare, Prefektura e Shkodrës, Nr. 604/I. Res.
Nenpr fektura e Pukes, Nr. 62/I. Res., Puke me 6.8.29. P. T.
Ministris Ekonomis Kombetare, Tirane
Raportohemi nga Komanda e këtushme se nga informatat qi ka prej puntorve te minjeres Kabashit se ne Germime qe kane ba deri tash, kur ka hape nji brime ne forme toneli ne Prue te Bicaj, Ingjinjeri nga qi kush e di se çka diktue brenda, prej gezimit te madh ka perpjeke duert dhe me nji here e ka ndalue punimin me ate dite tuej u fale dhe punëtoreve si dhurate nga pes Kor. Serm dhe mbi keto duket se ka lajmrue Shoqnin e vet me shifer Rezervat.
Per dijenie e veprim lajmërohet ajo P. T. Ministri.
Nenprefekti:
P. T.
Prefektures Shkoder
Per dijenie.
Nen.Prefekti: T. Hilmija, d. v.
Ministris P. Mbrendshme, Zyres Sekrete, Tirane. Parashtrohet per dijenie.
Zav. Prefekti, Kapiten [nënshkrimi]
DOKUMENTI 3
(AQSH. FONDI 152, VITI 1929, DOSJA 811, FLETA 3)
Tiranë, me 20.8.29
Mbretnija Shqiptare, Komanda e Pergj. e Gjind.
Komanda e Togës IV Pukës, Pukë, me. 6/VIII/929
Nr. 828 Res. Nr. 105 Res.
Nenprefekturës, Ketu
Lajmërojmë se Blinisht të Kabashit ndodhet nji gur qi mund të peshoj 768 kuintal si në forme të nji kubeje, i cilli rreth e qark dhe per mbi te ka të pamun 30 cop si Filxhan dhe 4 copë si gota.
Për ket gur thuhet se duan si kur ta marin Italjanet dhe nga kjo kuptohet se do të jetë i vlefshëm ose prej kategoriës antikave, veç këtij n’atë vend mbasi ka pasë qenë katundi i math në kohëna të vjetra dhe në gërmadhat e shtëpiave thuhet se ka antika, andaj lutemi ndermietsoni pranë kompetencës për veprime përkatëse rreth çashtjes.
Komandant. I. Togës NrIV
Toger R. Çela.d.v.
Ministriës së P. Mbrendshme, Tiranë, Parashtrohet për kompetencë.
Zev. Komandant. I. P. Gjindarmeriës
Major [nënshkrimi]
DOKUMENTI 4
(AQSH. FONDI 152, VITI 1929, DOSJA 811, FLETA 4
Tiranë, me 21/8/1929
Mbretnia Shqiptare
Ministria e P. Mbrendshme, Zyra Sekrete, Nr. 980.
Telegram, Prefektures, Shkodre
Gjegje raporti Nr. 604/I me 12/8/929
Qe te mund terregullojme ceshtjen ne fjalim lutemi na dergoni sa ma pare 7964 5976 5871 private qe ju kemi kërkues me t’onën Nr. 617/3 sate 14/8/29.
Ministr’i P. te Mbrendeshme
DOKUMENTI 5
(AQSH. FONDI 152, VITI 1929, DOSJA 811, FLETA 5)
Tiranë, me 21/8/1929
Mbretnia Shqiptare
Ministria e P. Mbrendshme, Zyra Sekrete, Nr. 980.
Ministries se Aresimit, Tirane
Mbi vjetersinat ne Kabash.
Si mas raportit te Prefektures Shkodres te mbeshtetun ne ate te N/Prefekture se Pukes kam nderin t’ju lajmerojme se ne vendin e quajtun Blinisht te katundit Kabash ndodhet nje gur shtate tete kuintalësh ne forme te nje kubeje e cila rreth e per qark edhe sypri permban te punuese tridhet cope si filxhan dhe kater gure te tjere ne forme gote uji te cilen thuhet se duan t’a marin Italianet qe punojne ne Minier.
Tue mare parasysh se kjo mund te jete nonj gje e vlefteshme si vjetersine dhe tue qene se atje ne nje gremine tjeter qe asht bam ne prua te Bicajt flitet se ka edhe vjetersina te tjera lutemi urdhenoni qe ne vend te dergohet nje nga nenpunesit e posaçme t’asaj Ministrie per te studjue cashtjen dhe te disponohet qe ne qofte se atje konstaton vjetersina te mos mind shduken masi keto jane pjesa e thesarit te Shtetit.
Lutemi ki i miresine me na lajmërue përfundimin.
Ministr’i P. te Mbrendeshme

PREJARDHJA E EMRIT TË KABASHIT NË GOJËDHËNA E BURIME
Këtu mund të lexoni për fisin e Kabashit të Pukës e gjithashtu Gazullorët.
Kabàshët (vëllazëni. Hajmel. Sapë. 2. lgj. Mëzi. Pukë. 3. lgj. Troshan. Sapë. 4. flamër afërë Pezrendit nja 300 shtëpish)
Kabàshi (fis e flamër ndë Pukë. Lagjet: Bëhoti, Blinishti – me banorë që s’janë të fisit – Bicajt, Hadrojt, Micojt, Klosi, Gryka e Kabashit, Ngarreli, Meqëja, Rrapëja, Rrypëja. Vëllazënitë: Hadrojt, Lushajt e Kokajt; fisi diftohet se erdh prej Dheut të Poshtër e nguli ku ashtë sodë, ende ndë Grambsh t’Elbasanit gjindet nji lagje Kabash. I Pari i Kabashëve të Pukësë thirrej për emën Lekë Kolója; ky kohën e Lekë Dukagjinit ardhëka me tre djelmët e vetë Kokën, Hadrin e Lushën e ngulëka te Barka e Lekësë ndë Rrape e bâka nji flakada: njerëzit e Lekë Dukagjinit e pákane zjarmin e çuekanë me marsë vesht kush e kishte ngulë bunin aty ndë tokë të tyne. Fisi ardhacak i u lutëka të zotët të vendit Lekë Dukagjinit me u a lëshue ndonji grimë tokë sa me jetue; anasit u mbëledhëkanë ndë kuvend e danë me i thirrë ndë nji gostë ardhacakët, mbassi nji i diejshëm u paska pasë thanë: Thirrni ndë nji përgim ende shtronejua trevesën lerg; ndë kjoftë se ata e avisinë trevesën prej vedít ta dini se keni mbarue e jua kanë pushtue tokën, por ndë kjoftë se ata avitënë prej trevese don me thanë se janë njerëzë që s janë të zotë me i bâ gja kui e lëni me ngulë! ~ Kabashësit e avitënë trevesën prej vedít, u çuenë anasit me i pré, do sish i damtuenë por toka së mbrami i mbet të Kabashit. Prei kësajë së ngjame thonë se u mbet emëni Kabash prej verbit Kapë; por sikurse dihet ky ashtë nji zhvillim populluer, pse giuhësisht ky emën mundë të lidhet me toponymin Ngurrabash që gjindet ndë Koman të Pukësë (N+gurra e Bashit) e me prefiksin Ka (kë, ko) + Basho, Bashotë.
Lekë Koloja mund të jetë endë emën nieri e duket se tash vonë ka ardhë tue u trajtue gojëdhana se Kabashët e soçëm janë prei Kolonje së Toskënisë. E verteta ashtë se ndë Mollas t’Elbasanit gjindet nji lagje Kabash, por nji tjetër e kemi ende ndë Krumë të Hasit që mundet të jenë prej Kabashit të Pukësë sikurse ata afër Pezrendit. Emëni Kolojë vret te toponymet Kolami, Kolatëja, Koluma, Koloti etr. madje ndë katund të Berishësë ~ Pukë ~ gjindet toponymi: shkoza e Kolojësë; shqipja trajton plotë kësi emënash p. x. bardhoja, kuqoja, shegoja, e, sikurse thohet prej Kolë > Kolosha mundet që asht dhanë ende Koloja.
Nji ndër ndënvëllazëni të Kabashëvet janë Gazullorët të cillët mandej njifenë Lushaj. Sikurse mundë të shifet te emëni Gazulli këjo ndënvëllazëni përmendet qysh ndë vj. 1301 mb. Kr. Ndër gojëdhana të ruejtëne kemi ende kët se Gazullorët janë prej Nishit, vetë emni Kabash na e çon mendën te qyteti thrak Kabesos ÊáâÞóïò, mundet që ky emën mbëlon atë të fisit thrak Besëvet që mbet endë ndë Bullgari të soçëme me toponymet Beshikara Bashikerevo (Besapara e moçëme) e kështu kishte me rrjedhë arësyetimi se Kabashët janë prei Thrakije së moçëme e ma fort nji degë e Besëvet. Sa për kohën e Lekë Dukagjinit që na përmendë gojëdhana ajo qitet poshtë me histori që na përmendë Gazullorët shumë para L. Dukagjinit; gjithmonë ndër hulumtime duhet me e pasë para sysh se gojëdhana i përzien kohënat e sidomos këtu ndër ne i a pështetë kohësë ma të mbramit princ kristjan të ngjamet ma ndë shej. Sa për drejtim se prej kah erdh fisi, gojëdhana mundet të diftojë të shumëtën e herësë me siguri. Brëzënit, a genealogitë janë të mira e madje të doemosdoshëmë për nji fjaluer onomastik, por s mundënë të këpusinë nji çashtëje ethnologike sikurse asht për ne këjo e fisevet. Tue përmbyllë: mbështetë mbë emënin ÊáâÞóïò e ndë gojëdhanë të Gazullorëvet të gjitha giasët janë se jemi para nji tepricësë së fisit thrak të Besëvet a Beshëvet. Kabashi i Grambshit t’Elbasanit e muer emënin prej ndonji degësë së Kabashëvet të veriut. Gojëdhana se Kabashët janë prej Kolonjesë së Toskënisë u trajtue tash vonë, tue u mbështetë nd’emën Koloja e Kolonja, ndër kohëna të luftavet të Përlindëjesë greke ndë të cillën pat rasë krahi i Verit m’ e njoftë Kolonjën e Toskninë.
(Gelasius, “Fjalori Toponomastik, Emna Vendesh”, në: Hylli i Dritës, nr. 4-5, prill-maj 1943, Vjeti XIX, f. 170-171)
Sipas Mark Tirtës (Mitologjia ndër shqiptarë, 2004), Kabashi ka vende të ndryshme që dëshmojnë vijimin e traditës pagane të lidhur me adhurimin e gurëve të shenjtë: “Kemi në jo pak raste vende kulti me emrin Guri i Shenjtë, ose të pagëzuar me emra shejtorësh të krishterë a islamë, po dhe me emrin Gjurma e Shejtit. Kështu, kemi Guri i Shenjtë në Zogaj të Kabashit (Pukë). Guri i Shën Palit në Kabash, jo larg nga Kisha e Shën Palit po në atë vend. Në Bjeshkë të Oroshit (Mirditë) ka Gjurma e Shejtit, Shkalla e Shejtit, Lujt e Shejtit. Kështu mund të shpjegohen dhe varret e Sarisalltikut në Krujë etj. Legjendat mitike për këto vende tregojnë qartë shenjtërinë e dikurshme të tyre, pelegrinazhe dhe dhurata përkushtuese të bëra dikur për to. Në këto vende dëgjohen legjenda mitike me rrënjë të lashta e bëhen rite të natyrës magjike me rrënjë pagane”. Nuk përjashtohet mundësia që guri në fjalë të jetë një prej objekteve të lashta të adhurimit.
Zbardhja e këtyre materialeve arkivore (thuajse 100- vjeçare) synon të zgjojë interesin shkencor, shtetëror e kombëtar që lidhet më objekte të lashta të Kabashit, të cilët sot mund të jenë të mbuluar nga bimësia e egër dhe nga harresa e kohës. Shqipëria pret të zbulohet…/panorama
