Thojuni “Po” makaronave dhe çokollatave. Pini shumë ujë dhe mos konsumoni shumë mish. Në një libër janë shkruar rregullat e një mjeku të famshëm për t’u ushqyer mirë dhe për të ruajtur peshën
Një studiues dhe mjek italian ka publikuar së fundmi librin “Dieta e vërtetë e shëndetshme për t’u dobësuar dhe për të qenë mirë”, ku janë shkruar të gjitha rregullat ushqimore për jetuar më gjatë dhe më mirë. Me një eksperiencë 20-vjeçare në fushën e të ushqyerit, doktori italian analizon ndikimin e ushqimit mbi cilësinë e jetës dhe shëndetit. Një ushqyerje korrekte është e rëndësishme jo vetëm për të humbur në peshë, por edhe për të vënë një rregull në stilin e jetesës. Në libër doktori e konsideron dietën jo si një ilaç magjik për të pasur një trup të përsosur, por si një lloj edukimi ushqimor – me tabela kalorie dhe receta të përditshme – të frymëzuara nga dieta mesdhetare, që sipas specialistit konsiderohet më e mira, sepse është e pasur me substancat e nevojshme për trupin siç janë karbohidratet, vitaminat, fibrat, kripërat, mineralet.
Konsumimi i tepruar i mishit të bën keq. Kjo është vërtetuar shkencërisht. Sasia e tepruar e proteinave shtazore që gjenden te mishi është shkak i mbipeshës.
Makaronat nuk të shëndoshin: sipas doktorit ushqimi kryesor i dietës mesdhetare i bën mirë humorit, sepse përmban triptofan, një aminoacid me të cilin organizmi prodhon serotoninën.
Çokollata është një ushqim i shkëlqyer. Një studim i Universitetit të Melburnit tregoi se konsumimi i ekuilibruar i çokollatës së zezë parandalon sëmundjet e zemrës.
Vaji i ullirit është një burim i çmuar lipidesh. Edhe pse marrja e yndyrnave duhet pakësuar, ato janë shumë të rëndësishme, sepse forcojnë membranat qelizore. Vaji i ullirit është i pasur me antioksidantë, ndaj të mbron nga rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumoret.
Sipas specialistit, të gjitha ushqimet duke u marrë nga pak nuk të bëjnë keq. “Nuk keni pse të ndiheni në faj se konsuamuat pak djathë gorgonzola me një gjysmë gote verë. Të jeni të bindur se asortimentet e përdorura as nuk do t’ju sëmurin dhe as nuk do t’ju rrisin sasinë e yndyrnave në trup”, shkruan doktori.
Përveç të tjerave duhet t’i kushtojmë rëndësi edhe stinës. Është shumë e rëndësishme që të kontrollohen dhe të konsumohen ushqimet e stinës. Për shembull në dimër rekomandohen ushqimet e ziera, supërat dhe më shumë proteina shtazore, ndërkohë që në vjeshtë dreka duhet të jetë e ekuilibruar mes ushqimeve të ziera dhe të pjekura dhe pak fruta.
Po ashtu në libër nuk mungojnë edhe mënyrat e sakta për një gatim të shijshëm. Sipas doktorit duke zbatuar këshillat e mësipërme një muaj është i mjaftueshëm për të rënë një masë dhe kjo mund të arrihet kryesisht duke ngrënë fruta, zarzavate makarona, bukë, bishtajore dhe një herë në javë një ose dy copa picë.
Një sekret tjetër është edhe konsumimi i ujit. Pirja e një litri ujë në ditë favorizon eliminimin e helmeve dhe mirëfunksionimin e zorrëve. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se personat që konsumojnë më shumë se pesë gota ujë në ditë janë 40% më të mbrojtur ndaj infarktit të miokardit në krahasime me ata që pinë më pak se dy gota ujë në ditë.
Duke u bazuar te këshillat e doktorit nuk duhet të përdoren në mënyrë absolute dietat “mono-ushqimore” (për shembull ato që sugjerojnë ngrënien e një ushqimi të vetëm: vetëm biftek, vetëm qofte, vetëm sallatë…) dhe që rekomandojnë të hani sipas dëshirës, pa peshë dhe masë. Skema duhet të jetë individuale, sepse çdo metabolizëm ka karakteristikat e veta dhe ndryshon nga tjetri. Ushqimet duhet të ndryshohen gjithmonë dhe sa më shumë të jetë e mundur, duke luajtur me përbërësit për të përgatitur pjata të shijshme. Doktori sugjeron receta të ndryshme për të mbuluar nevojën e përditshme me proteina, karbohidrate dhe yndyrna. Shumë të shijshme janë edhe salcat me bazë domaten ose kosin. Ky i fundit mund të përzihet me mustardën, salcën e kerrit, ravenit, etj., duke i dhënë më shumë shije gatimeve tuaja.