Vezët janë ndër ushqimet më të konsumuara në botë. Ato janë të pasura me vitamina, aminoacide thelbësore, acid folik, acide yndyrore omega-3 dhe minerale si seleni dhe hekuri. Megjithatë, për shkak të përmbajtjes së kolesterolit dhe yndyrnave, roli i vezëve në ushqimin e personave me kolesterol të lartë apo me sëmundje kardiovaskulare vazhdon të jetë temë diskutimi. Sipas një analize të publikuar nga Mayo Clinic, konsumimi i moderuar i vezëve, deri në shtatë copë në javë, nuk e rrit rrezikun për sëmundje të zemrës apo të enëve të gjakut te personat e shëndetshëm.
Përkundrazi, vezët mund të jenë pjesë e një diete të ekuilibruar, nëse kombinohen me perime, drithëra integrale dhe yndyra të shëndetshme. Edhe një analizë e publikuar në National Institutes of Health (NIH) raporton se në shumicën e rasteve, konsumimi i moderuar i vezëve nuk lidhet me rritje të incidencës së sëmundjeve koronare, përderisa dieta e përgjithshme është e pasur me fibra dhe yndyra të pangopura. Në të kundërt, konsumimi i sasive të mëdha, veçanërisht më shumë se 12 vezë në javë, mund të rrisë rrezikun për probleme kardiovaskulare, sidomos te personat me nivele të larta të kolesterolit LDL (“kolesteroli i keq”).
Një studim i publikuar në European Journal of Preventive Cardiology tregon se personat që konsumonin një deri në tri vezë në javë kishin një rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës krahasuar me ata që nuk hanin fare ose që hanin në sasi të tepruara. Ky rezultat tregon se shëndeti nuk varet nga një ushqim i vetëm, por nga mënyra e përgjithshme e jetesës dhe ushqyerjes. Ekspertët e Harvard School of Public Health theksojnë se ndikimi i vezëve në shëndetin kardiovaskular varet shumë nga konteksti ushqimor. Për shembull, vezët janë të dobishme kur zëvendësojnë mishin e përpunuar, por më pak të favorshme kur shoqërohen me ushqime të pasura me yndyra të ngopura. Personat me probleme kardiake ose me kolesterol të lartë nuk kanë pse t’i shmangin plotësisht vezët, por duhet t’i konsumojnë në sasi të moderuar deri në 7 vezë në javë, duke i kombinuar me ushqime të pasura me fibra, perime dhe yndyra të pangopura.