Kur kanceri i mëlçisë përhapet në kocka, kjo do të thotë se karcinoma ka arritur stadiumin e katërt (IV) ose ka metastazuar dhe është përhapur në indet, organet dhe kockat përreth. Ky stad mund të shkaktojë dhimbje të forta në kocka, të rrisë rrezikun e frakturave dhe të çojë në ndërlikime të tjera si kompresioni i palcës kurrizore dhe hiperkalcemia, gjendje kur niveli i kalciumit në gjak rritet ndjeshëm.

Hiperkalcemia është një nga komplikimet më të zakonshme të metastazave kockore dhe mund të shkaktojë simptoma si lodhje, të përziera, konfuzion dhe humbje oreksi. Këto komplikime mund të rezultojnë me dhimbje të vazhdueshme, dobësi ose mpirje në gjymtyrë, vështirësi në urinim ose zbrazje të zorrëve, si dhe probleme sistemike si mungesë oreksi dhe konfuzion mendor.

Karcinoma metastatike e mëlçisë, veçanërisht te pacientët e moshuar, paraqet një sfidë të madhe për ekipet mjekësore dhe sistemin shëndetësor. Fatkeqësisht, te shumë pacientë, metastazat mund të zhvillohen pas një periudhe të gjatë latente, madje edhe pas disa vitesh, pa simptoma të dukshme klinike. Kanceri i mëlçisë shpesh diagnostikohet në faza kur është tashmë i pashërueshëm. Ai shfaqet më shpesh te personat me hepatit kronik B ose C, me cirozë për shkak të alkoolit, si dhe te ata me diabet ose mbipeshë.

Sipas Mayo Clinic, hepatiti viral mbetet faktori më i fortë i rrezikut për kancerin e mëlçisë, ndërsa obeziteti dhe diabeti mund të përshpejtojnë zhvillimin e karcinomës hepatocelulare. Sot ekzistojnë shumë trajtime efektive që ndihmojnë në kontrollin e përhapjes së kancerit të mëlçisë, duke i mundësuar pacientëve të jetojnë më gjatë. Ironikisht, kjo rrit mundësinë që disa qeliza tumorale të “shkëputura” të kalojnë në qarkullimin e gjakut, të arrijnë në organe të tjera dhe të fillojnë të rriten atje.

Ky proces quhet kancer metastatik i mëlçisë, për ta dalluar nga karcinoma primare. Për shembull, kur kanceri zhvillohet në mushkëri, ai quhet kancer primar i mushkërive, ndërsa kur qelizat e mëlçisë shkojnë dhe krijojnë tumore në mushkëri, quhet metastazë e kancerit të mëlçisë në mushkëri. Kanceri i mëlçisë më shpesh metastazon në mushkëri, ndërsa përhapja në kocka është më e rrallë krahasuar me, për shembull, kancerin e prostatës që shpesh kalon në kocka. Sipas një analize të publikuar nga American Journal of Gastroenterology, 3% deri në 20% e pacientëve me karcinomë hepatike zhvillojnë metastaza kockore, dhe rreth 50–75 % e tyre ndodhin në shtyllën kurrizore.

Po ashtu, një studim i botuar në National Library of Medicine thekson se metastazat kockore nga kanceri i mëlçisë janë në rritje në dekadën e fundit, kryesisht për shkak të mbijetesës më të gjatë të pacientëve me terapitë moderne sistemike. Edhe pse mëlçia nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me indin kockor, nëse qelizat tumorale implantohen në kockë, ato shfrytëzojnë faktorët e rritjes dhe furnizimin e pasur me gjak të këtij indi, duke e dëmtuar atë dhe duke shkaktuar simptomat tipike të kancerit të kockave si dhimbje kockore; dobësim i strukturës së kockës që çon në fraktura spontane ose pas goditjeve të lehta; kompresim i palcës kurrizore, që shkakton dobësi, mpirje, vështirësi në urinim dhe në raste të avancuara paralizë; rritje e kalciumit në gjak si pasojë e shkatërrimit të kockave, që mund të shkaktojë etje të madhe, nauze dhe humbje oreksi. Kur kanceri i mëlçisë përhapet në kocka, dhimbja bëhet ekstreme.

Edhe pse të gjitha simptomat e mësipërme janë të rënda, dhimbja kockore shpesh është më e padurueshmja dhe privon pacientin nga cilësia e jetës. Kjo dhimbje është e padurueshme dhe shpesh nuk i përgjigjet plotësisht trajtimit me barna analgjezike. Sipas MD Anderson Cancer Center, metastazat kockore mund të shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme që kërkon kombinim të trajtimeve me medikamente, radioterapi dhe ndërhyrje për stabilizimin e kockave.

Në këto raste, kirurgjia ose radioterapia përdoren si masa paliative, jo për shërim, por për të lehtësuar dhimbjen dhe sikletin. Kjo është e rëndësishme, sepse trajtimi i vazhdueshëm mund të zgjasë jetën, por jeta me dhimbje të forta nuk është e pranueshme për shumicën e pacientëve. Nëse burimi i dhimbjes eliminohet, pacientët pranojnë më lehtë trajtimet që zgjasin jetën.