Një studim i ri i kryer nga King’s College London dhe Universiteti i Oksfordit ka zbuluar se antidepresantët ndikojnë ndjeshëm në shëndetin fizik të pacientëve, përfshirë peshën trupore, rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Ky hulumtim, që përfshiu mbi 58,500 individë dhe analizoi 30 lloje të ndryshme barnash, ka treguar se këto efekte mund të manifestohen që në dy muajt e parë të përdorimit.

Diferencat janë të dukshme: disa medikamente mund të shkaktojnë një rritje ose ulje të konsiderueshme të peshës (deri në 4 kg), ndryshime të rrahjeve të zemrës (21 rrahje më shumë ose më pak në minutë) dhe variacione të presionit të gjakut. Këto ndryshime mund të kenë ndikime afatgjata për shëndetin kardiovaskular, çka i bën shumë të rëndësishme zgjedhjet e duhura të terapisë nga mjekët.

Dr. Toby Pillinger, një nga autorët e studimit, theksoi se qëllimi i këtij hulumtimi nuk është të krijohet frikë tek pacientët, por të sigurohet që ata dhe mjekët të kenë informacionin e nevojshëm për të marrë vendime të informuara për trajtimin. Për këtë arsye, ekipi shkencor po zhvillon një mjet online falas që do të ndihmojë mjekët dhe pacientët të bëjnë zgjedhjen më të përshtatshme dhe të sigurt për trajtimin e shëndetit mendor.