Ndërsa disa industri në Kanada hasin vështirësi në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, disa të tjera gjejnë punëtorë të kualifikuar me bollëk dhe kanë pak vende pune për të ofruar. Profesori Peter Fragiskatos thotë se këmbëngulja në rëndësinë e arsimit universitar shpesh e bën problemin më të vështirë


Kanadezët dështojnë me arsimin


Peter Fragiskatos, BBC


Javën e kaluar, kanadezëve iu tha ajo që shumë prej tyre i frikësoheshin, në një raport të mbushur me lajme të këqija dhe pak opsione për shpresë.


Sipas autorit të studimit, kryeekonomisti i Bankës Perandorake Kanadeze të Tregtisë, CIBC, Benjamin Tal, ekonomia e Kanadasë përballet me një mungesë të madhe të njerëzve të kualifikuar. Rreth 30 për qind e bizneseve kanë vështirësi në plotësimin e posteve të punës për shkak se nuk gjejnë dot punëtorë të përshtatshëm. Këto biznese që po hasin në vështirësi, janë dyfishuar në krahasim me vitin 2010.


Shumica e problemeve hasen në industrinë e minierave, inxhinieri (civile, kimike, elektrike dhe mekanike) si dhe shëndetësi (mjekë, infermierë, dentistë, farmacistë, dietologë etj).


Problemi më i madh është në Saskatçeuan, Ontario dhe Alberta, ku gjendet rezerva e tretë më e madhe e botës në naftë, por nuk ka punëtorët e nevojshëm për ta nxjerrë dhe përpunuar atë. Këto janë tri provincat nga ku varet zhvillimi i Kanadasë për dekadat e ardhshme.


Në të njëjtën kohë, Tal identifikon fusha të ndryshme ku ka shumë tepër individë të kualifikuar, gjë që nënkupton se kërkesa për punësim dhe pagat janë tepër të ulëta. Manifaktura është një nga këto fusha, por edhe mësuesia, kasapët, rrobaqepësit, menaxherët e zyrave, zyrtarët dhe bukëpjekësit, janë gjithashtu me tepri.


Njerëzit me profesione të tilla ka gjasa që do të mbeten pa punë edhe në rast se ekonomia përmirësohet, një fakt i frikshëm edhe për 15 profesione të tjera në listën e Tal. Të gjithë së bashku, mbiprodhimi në disa profesione është përgjegjës për 16 për qind të papunësisë aktuale të Kanadasë.


Ndërsa planet aktuale të propozuara përfshijnë thithjen e emigrantëve, reformim dhe investim në arsim apo ritrajnime për ndryshim profesionesh, studimi vëren se të gjitha këto propozime mund të rezultojnë të gabuara, madje, ta përkeqësojnë problemin në vend që ta përmirësojnë atë.


Më shumë se çdo grup tjetër, janë të rinjtë ata që kanë shanset më të mëdha që të zgjidhin problemin e mungesës së aftësive apo pasjes së aftësive të papërshtatshme për tregun.


Papunësia mes të rinjve në Kanada – një matje që bazohet tek ata që janë mes moshës 15 dhe 24 vjeç, aktualisht është 14 për qind, gati dyfishi i normës kombëtare të papunësisë që është 7.2 për qind.


Për disa, zgjidhja e këtij problemi qëndron te dhënia e mundësisë për studentët me shkollë të mesme për të ndjekur arsimin universitar, përmes ofrimit të bursave të studimit dhe kredive me interes të ulët.


Por studimi vëren se kjo politikë e këmbënguljes tek arsimi universitar praktikisht po e dëmton rininë kanadeze dhe ekonominë në tërësi, tani dhe në të ardhmen.


Është me të vërtetë që kanadezët po jetojnë në një epokë të re, ku arsimi teknik ka perspektivën e ofrimit jo vetëm të më shumë mundësive për punë, por edhe pagave më të mira sesa ato me diplomë universitare realisht mund të kenë.


Koncepti i suksesit në Kanada ka qenë dhe sërish mbetet i lidhur ngushtë me aftësinë për të fituar një diplomë universitare. Pse? Në fund të fundit, Platoni, Aristoteli, Niçe (Nietzsche) dhe Hejdegeri mund të mësohen po aq lehtë në një librari publike sesa në universitet, dhe natyrisht kushtojnë shumë më pak.


Këto konkluzione mund të duken të çuditshme kur vijnë nga dikush që jep leksione në universitet. Por ndërsa gëzimi që unë kam kur punoj me studentët është i papërshkrueshëm me fjalë, eksperienca më ka bërë të kuptoj se dashuria për të mësuar nuk është motivimi i tyre kryesor, dhe dyshoj të ketë qenë ndonjëherë motiv.


Shumica janë rritur me idenë se ajo që siguron të ardhmen, është vetëm një diplomë universitare dhe rrjedhimisht ata regjistrohen në universitete për këtë arsye. Ndërsa ata rriten, ka gjasa që studentët e sotëm do të vijojnë t’i mësojnë të njëjtën gjë fëmijëve të tyre.


Realiteti është se kanadezët po jetojnë në një epokë të re, atë kur arsimi teknik, zakonisht i përfituar në shkollë të mesme – ka perspektivën e ofrimit të pagave më të larta sesa arsimi universitar.


Inxhinieria, minierat dhe shumë profesione të lidhura me shëndetësinë, – tre sektorë të identifikuar nga raporti i Tal, janë më shumë në nevojë për aplikantë të trajnuar dhe këta sektorë nuk kanë nevojë për diplomë universitare.


Dhe këtu është edhe çelësi i zgjidhjes së problemit. Duhet të gjendet një mënyrë për ta parë këtë sfidë si një mundësi. Megjithëse problemi mund të duket i rëndë, nuk duhet të merret si i pamundur për shkak se eksperiencat e vendeve të tjera ofrojnë leksione mbi zgjidhjet e mundshme.


Çdo diskutim mbi atë se si mund të zgjidhet problemi i mungesës së njerëzve të kualifikuar, duhet të përqendrohet te Gjermania për të gjetur zgjidhje. Megjithëse raportet e fundit tregojnë se ekonomia e Gjermanisë po ngadalësohet, ajo ka qenë e aftë të shmangë presionet që kanë ardhur nga recesioni europian dhe mbetet relativisht e fuqishme. Një arsye madhore për këtë është se sa shumë rëndësi i kanë kushtuar gjermanët zhvillimit të aftësive profesionale.


Pasi diplomohen nga shkolla e mesme, 60 për qind e studentëve aplikojnë për punë si çirakë të paguar. Pagesa mesatare është 1200 euro në muaj për një kategori të gjerë të punës. Këtu përfshihen trajnimet për elektricistë, hidraulikë, mekanikë, karpentierë dhe saldatorë, por edhe për inxhinierë, minatorë apo profesionistë të shëndetësisë.


Askush nuk i detyron kompanitë të pranojnë çirakë – ata pranohen vetëm në rast se kompanitë i shohin si të nevojshëm. Trajnimi zgjat për tre vjet dhe dizajnohet nga punëdhënësi, i cili e di më së miri se për çfarë aftësish ka nevojë biznesi i tij.


Ky aspekt praktik plotësohet me instruksione në shkollë, të cilat përqendrohen te shëndeti dhe siguria dhe drejtohen nga sindikatat. Shteti, nga ana e vet, siguron fonde për të mbuluar kostot e trajnimit.


Ky bashkëpunim është çelësi për të gjithë procesin. Të gjitha palët punojnë së bashku për shkak se secila shërben më së miri kur të rinjve u jepet koha dhe mundësia për të zhvilluar aftësitë e tyre.


Natyrisht, ky model nuk mund thjesht të imponohet, por duhet të dizajnohet për të plotësuar nevojat specifike të Kanadasë. Për shembull, nëse çirakët paguhen, siç ndodh në Gjermani, atëherë paratë duhet të paguhen nga punëdhënësit dhe jo nga shteti. Por kjo gjë është e vështirë të ndodhë në kohë vështirësish ekonomike.


Kjo është çfarë po ndodh në Holandë, kur një variant i sistemit gjerman po praktikohet aktualisht. Mund të kërkohet deri në një dekadë përpjekje për ta vënë në punë një sistem të tillë, apo ndoshta edhe më shumë, si dhe do të kërkohet bashkëpunim në të gjitha nivelet e qeverisjes, sektorit privat, sindikatave dhe shkollave të mesme.


Por ajo që është më e sigurt, është se nëse dështohet në trajtimin e problemit në mënyrë të qenësishme, atëherë çfarëdolloj rritje ekonomike nuk do t’ia dalë të arrijë potencialin e vet maksimal.


Pasojat për të rinjtë, si dhe për të tërë vendin do të jenë të rënda.