Temperaturat e larta të pranverës dhe verës po i bëjnë netët gjithnjë e më të vështira për një gjumë të qetë. Shumë njerëz zgjedhin të flenë pa rroba për t’u ndjerë më freskët, por ekspertët e gjumit paralajmërojnë se kjo praktikë mund të mos jetë aq e shëndetshme sa mendohet.
Sipas specialistëve, trupi i njeriut ka nevojë për një ulje graduale të temperaturës për të hyrë në gjumë të thellë. Kur moti është shumë i nxehtë, organizmi e ka më të vështirë të relaksohet dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit. Ekspertja e gjumit, Dr. Sophie Bostock, shpjegon se netët e ngrohta dhe mbrëmjet me temperatura të larta e mbajnë trupin në gjendje vigjilence dhe pengojnë çlodhjen natyrale.
Sipas saj, studimet tregojnë se sa herë temperaturat rriten, orët e gjumit dhe cilësia e tij bien ndjeshëm. Një tjetër aspekt që ngre shqetësim është fakti se të flesh plotësisht i zhveshur mund të ndikojë negativisht tek sistemi imunitar, sidomos kur temperatura e trupit bie gjatë natës ose kur përdoret ajri i kondicionuar.
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e rrobave të lehta pambuku, mbajtjen e dhomës të freskët dhe shmangien e pajisjeve elektronike para gjumit për të përmirësuar pushimin gjatë netëve të nxehta. Gjithashtu këshillohet hidratimi i mirë dhe ajrosja e ambientit gjatë orëve më të freskëta të ditës. Ndërsa shumë persona mendojnë se gjumi nudo është mënyra më e mirë për të përballuar vapën, specialistët sugjerojnë që zgjedhja të bëhet me kujdes, pasi rehatia nuk do të thotë gjithmonë shëndet më i mirë.

