Prej kohësh, ekuilibri punë-jetë është paraqitur si receta e lumturisë në karrierë dhe jetë private. Por sipërmarrësi Dustin Lemick, themelues i BriteCo, thotë se ky ideal nuk ekziston dhe kërkimi i tij vetëm sa shton zhgënjimin.
Kur nisa kompaninë, ndihesha fajtor nëse qëndroja më gjatë në zyrë, sikur po dështoja si baba e bashkëshort. Por kur merrja më shumë kohë për familjen, mendoja se nuk po jepja sa duhej në punë. Ky mendim i gabuar më bllokonte derisa e ndryshova këndvështrimin: nuk është çështje ekuilibri, por ndërthurjeje dhe zotërimi të punës me jetën.
Sipas Lemick-ut, koncepti i punës dhe jetës si dy botë të ndara është ai që sjell lodhjen. Forca e vërtetë vjen nga gjetja e mënyrave për t’i ndërthurur, duke qenë i qëllimshëm se çfarë kërkon vëmendje në një moment të caktuar. Për sipërmarrësit, pëlqimi ndaj punës është thelbësor. Pasioni i shtyn të përballojnë orë të gjata, të gjejnë zgjidhje dhe të qëndrojnë kureshtarë.
Kur puna të jep kënaqësi, ajo bëhet pjesë organike e jetës, jo një barrë nga e cila duhet të shkëputesh me çdo kusht.
Ndërthurja nuk nënkupton të injorosh familjen apo pushimet. Është e rëndësishme të rezervosh ditë pushimi, të kalosh kohë me fëmijët e të shijosh udhëtime.
Por kjo nuk përjashton të mbyllësh një detyrë të vogël fundjave ose të kontrollosh email-et gjatë një udhëtimi, për të shmangur kthimin me punë të prapambetura. Lemick thekson se suksesi profesional duhet parë si pjesë e rritjes personale.
Nëse arritjet në punë nuk sjellin energji dhe motivim edhe në sferat e tjera, shëndetin, familjen, pasionet, atëherë ndoshta është koha për të rishikuar drejtimin e karrierës. Në vend që puna dhe jeta të konkurrojnë, integrimi i kuptimplotë mund të gjenerojë energji për të dyja.
Eshtë koha të përmbysim mitin e ekuilibrit dhe të investojmë në punë që jep kuptim, sepse ajo mund të ushqejë gjithë jetën.
Në të njëjtën kohë, brezi i ri i punonjësve po kërkon gjithnjë e më shumë fleksibilitet dhe kuptim në punë, duke i sfiduar kompanitë të shkojnë përtej formulës klasike të “ekuilibrit”. Për ta, puna nuk është vetëm një burim të ardhurash, por duhet të lidhet edhe me vlerat dhe aspiratat personale.
Sipas Lemick-ut, kjo është edhe një përgjegjësi e lidershipit: mënyra si drejtuesit e përjetojnë dhe modelojnë ekuilibrin ndikon drejtpërdrejt tek kultura e gjithë organizatës. Nëse drejtuesit arrijnë të tregojnë me shembull se ndërthurja punë-jetë është e mundur dhe e shëndetshme, atëherë edhe ekipet e tyre do ta përqafojnë më lehtë këtë qasje.