Marissa Mayer u bë këtë javë drejtoreshë e përgjithshme e gjigandit të internetit Yahoo, duke i dhënë frymëzim lëvizjes për të drejtat e grave në mënyrë të dyfishtë. Ajo jo vetëm që mori një nga postet më të rëndësishme në një industri multimiliardëshe, por solli frymëzim e shpresë për gratë edhe për faktin se aktualisht është në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
“Presidente ekzekutive dhe shtatzënë në të njëjtën kohë? Marissa Mayer nuk është se thjeshtë ka thyer një barrierë që për gratë ka qenë e pathyeshme. Ajo e ka shkatërruar tërësisht barrierën,” – komentoi një kolege e saj.
Për shumë, lajmi që Yahoo e emëroi kryedrejtoreshë ndërsa e dinte se ajo qe shtatëzënë, është gjithashtu një shenjë shumë pozitive.
“Është gjë e shkëlqyer që Mayer është shtatëzënë. Por intensiteti i reagimit mbi këtë fakt është disi i lodhshëm. Ngjan sikur ato kanë punësuar një specie mitike,” komentoi Rebeça Traister, autore e një libri me titullin “Vajzat e Mëdha nuk Qajnë”.
Mayer do të hyjë këtë vit në listën Fortune 500 si drejtoresha e parë e një kompanie të madhe që është njëkohësisht shtatëzënë.
Në shumë vende të botës është e jashtëligjshme të diskriminosh një grua aplikante për punë bazuar te fakti që është shtatëzënë. Por në realitet, është e pamundur të vërtetohet se refuzimi i punësimit ka ardhur për shkaqe të tilla dhe në praktikë, gratë shtatëzëna kur janë të papuna, janë pothuajse të destinuara të mbeten të papuna deri pas lejes së lindjes.
18 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
