Për mijëra persona që vuajnë nga varësia ndaj alkoolit, vendimi për të ndalur menjëherë pirjen, siç ndodh shpesh në muajin janar me “Janarin e Thatë”, nuk është gjithmonë i sigurt.
Ekspertët paralajmërojnë se abstenenca pa udhëzim mjekësor mund të shkaktojë simptoma serioze të abstinencës dhe në disa raste mund të jetë kërcënuese për jetën.
Sipas vlerësimeve, rreth 600,000 njerëz në Britani, ose një në dhjetë, janë të varur nga alkooli. Pas periudhës festive, kur konsumimi i alkoolit rritet, shumë zgjedhin të mos pijnë për një muaj, por kjo mund të ketë pasoja të rënda për ata që kanë varësi.
Dr. Andrew Kim shpjegon se rreth gjysma e personave me varësi do të përjetojnë simptoma të abstinencës brenda 6 deri në 24 orë pas konsumimit të fundit.
Simptomat e lehta përfshijnë dridhje, nervozizëm, dhimbje koke dhe çrregullime të gjumit. Në formë më të moderuar, mund të ndodhë takikardi, ndjesi se zemra “nuk rreh” ose tension i lartë i gjakut, si dhe të përziera dhe të vjella.
Simptomat zakonisht zhduken brenda pak ditësh, por ato mund të shkaktojnë një rreth vicioz, pasi shumë persona rikthehen te alkooli për të ndaluar shqetësimet.
Tek rreth një në pesë persona, simptoma mund të jenë shumë më serioze. Një nga këto është halucinacioni alkoolik, i cili mund të shfaqet 12 deri 24 orë pas ndërprerjes dhe të zgjasë disa ditë deri në një javë.
Ai përfshin halucinacione vizuale (hije, fytyra, kafshë ose insekte), dëgjimore (zëra që të tjerët nuk i dëgjojnë) dhe ndjesinë se diçka “zvarritet” në lëkurë.
Më rrezikshme janë krizat e abstinencës, që ndodhin 6–72 orë pas konsumimit të fundit, duke prekur 10–30% të pacientëve. Gjatë një krize, personi mund të humbasë vetëdijen, të ketë konvulsione, të humbasë kontrollin e fshikëzës ose të kafshojë gjuhën. Këto situata kërkojnë menjëherë vëmendje mjekësore.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) këshillon që personat me varësi të rëndë nuk duhet të ndalojnë menjëherë pirjen pa udhëzim mjekësor. Reduktimi gradual ose mbështetja farmakologjike shpesh janë të nevojshme për të shmangur ndërlikimet.
Ekspertët nënvizojnë se ndërprerja e alkoolit mund të ketë përfitime shëndetësore, por për ata që janë të varur, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe nën mbikëqyrje mjekësore. /TAR/

