Kompeticionin më të madh të futbollit për këtë vit, pikërisht Kampionatin Europian, që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni do ta parashikojë një derr. Ai do të zëvendësojë në “detyrë” oktapodit Paul, i cili u bë shumë i famshëm në Botërorin e Futbollit Afrikë e Jugut 2010, kur arriti të parashikonte rezultatin e një numri të konsiderueshëm ndeshjesh.


“Bëhet fjalë për një derr autentik ukrainas, profet e madje dhe njohës i mirë i futbollit”, – sigurojnë përmes një komunikate, autoritetet e bashkisë së Kievit.


Derri, i cili është një parashikues unik për nga lloji, do të ketë një vend nderi në qendër të kryeqytetit ukrainas, dhe çdo ditë në orën 16:00 me orën lokale do të bëjë edhe parashikimet e tij për ndeshjen e radhës, thuhet më tej në komunikatën, që tingëllon shumë serioze, por nuk shpjegon se në ç’mënyrë derri do t’i bëjë parashikimet e tij të famshme.


Oktapodi Paul u bë molusku më i famshëm në botë, pasi arriti të parashikonte të gjitha rezultatet e ndeshjeve të skuadrës gjermane në Botërorin Afrikë e Jugut 2010, dhe madje edhe fitoren e Spanjës në finalen e madhe përballë Holandës. Mënyra se si e shprehte parashikimin e vet ky oktapod ishte duke zgjedhur ushqimin në një nga kutitë ku ai i ofrohej, të cilat kishin secila ngjyrat e dy skuadrave që do të zhvillonin ndeshjen e radhës. Na mbetet vetëm të presim çfarë do të bëjë derrkuci ukrainas i ‘Euro 2012’.


20 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)