Debat – Njerëzit kanë besuar prej kohësh se janë disi të veçantë. Por shumë nga tiparet tona, të cilat i konsiderojmë si unike, gjenden edhe te kafshët e tjera.
Kanzi ka shije të rafinuar. Ai pëlqen portokajtë, qershitë dhe rrushin. Ai e tregon se çfarë do në një leksigram, një pajisje me prekje ku çdo simbol përfaqëson një fjalë. Kanzi mund të përdorë 500 fjalë dhe kur të tjerët i flasin mund të kuptojë disa mijëra. Kanzi nuk është njeri. Ai është një lloj majmuni i quajtur bonobo, që së bashku me shimpanzetë, është i afërmi ynë më i afërt.
Megjithëse ai nuk mund të flasë si ne, Kanzi transformoi idetë tona rreth ‘kushërinjve’ primatë dhe së fundmi, idetë tona për veten.
Dikur e shihnim veten si krijesat e vetme me emocione, moral dhe kulturë. Por sa më shumë hetojmë rreth mbretërisë së kafshëve, aq më shumë zbulojmë se kjo nuk është e vërtetë. Shumë shkencëtarë janë tani të bindur se të gjitha këto tipare, që dikur i konsideronim si monopole të njerëzimit, gjenden edhe te kafshët.
Nëse ata kanë të drejtë, na rezulton se nuk jemi aq të veçantë nga sa mendojmë. Sigurisht që me këtë teori nuk bien të gjitha dakord. Një specie, nga vetë fjala, është unike. Në këtë kuptim njerëzit janë unikë, ashtu siç janë edhe minjtë unikë.
Por kur themi se njerëzit janë unikë, ne nënkuptojmë më shumë se kaq. Përgjatë gjithë historisë, njeriu ka krijuar një barrierë në dukje të papenetrueshme mes nesh dhe kafshëve.
Siç e thoshte dhe Dekarti në vitet 1600 “kafshët janë makineri të thjeshta, por njeriu qëndron më vete”.
Darvini ishte i pari që foli kundër kësaj ideje. Ai tha se nuk kishte ndryshime të thella mes njeriut dhe gjitarëve të tjerë në kuptimin mendor dhe se të gjitha ndryshimet janë vetëm të një niveli, jo të llojit. Më vonë ai dokumentoi ngjashmëritë mes shprehjeve të fytyrës te njeriu dhe kafshët.
Sipas tij edhe shimpanzetë e reja guduliseshin dhe bënin tinguj të ngjashëm me bebet e njerëzve. Ai vëzhgoi gjithashtu se shprehjet e fytyrës që përfshinin sytë te shimpanzetë ishin ashtu si te njerëzit më të ndritshme kur qeshnin.
Por fjalët e tij u harruan shpejt dhe në vitet 1950 ekzistonte ideja se kafshët ishin pa emocione dhe vetëm me instinkte. Kishte një tabu kundër emocioneve te kafshët.
Pati nga ata studiues që i futën të gjithë kafshët në një thes për nga tiparet dhe thanë se të njëjtat rregulla mësimi aplikoheshin për të gjithë. Fillimisht mendohej se atyre u mungonte inteligjenca.
Në fillim të viteve 1960 u përhap ideja se shimpanzetë nuk ishin shumë ndryshe nga ne. Ky mendim i Jane Goodall filloi të revolucionarizonte gjërat, megjithëse pak e nga pak.
Dikur mendohej se përdorimi i veglave të punës ishte aftësi e veçantë e njeriut. Por studiuesja Jane Goodall zbuloi se edhe shimpanzetë hanin mish, pra nuk ishin vegjetarianë siç mendohej. Ajo vërtetoi se ata përdornin vegla pune, pasi shimpanzetë peshkonin po ashtu.
Këto zbulime të vogla në dukje filluan të thyenin akullin që kishte diferencuar njerëzit nga pjesa tjetër e kafshëve. Po ashtu studiues të tjerë zbuluan atë që Darvini e kishte thënë më herët: shimpanzetë lexonin mirë shprehjet e fytyrës së llojit të tyre, e njëjta gjë mund të thuhet dhe për majmunët.
Derisa arrijmë në zbulimin e majit 2015 që pretendoi se të njëjtat muskuj përfshihen në buzëqeshjen e shimpanzeve dhe atë të njeriut. Një tjetër ‘mur’ i ngritur nga vetë njeriu, që pretendonte se kishte në mënyrë unike ndjesinë e drejtësisë vërtetoi se edhe kafshë të tjera kishin një ndjesi të brendshme drejtësie. Një kërkim i vitit 2003 provoi se majmunët “kapuçinë” refuzonin një pagesë të padrejtë. Po kështu silleshin edhe shimpanzetë.
Për më tepër, studimet kanë provuar se kafshët nuk kanë vetëm ndjesinë e egoizmit për ushqimet. Ata njohin gjithashtu vlerën e bashkëpunimit. Kafshët ndajnë ushqimin mes tyre nëse kanë diçka që nuk mund ta hanë vetë prej tij.
Shimpanzetë në veçanti kanë instinktin të ndihmojnë, ata u japin objekte atyre që kanë nevojë, por nuk i arrijnë dot. Po ashtu altruizmi gjendet edhe te kafshë të tjera, si për shembull te minjtë që ndihmojnë një të llojit të tyre, i cili mund të jetë në rrezik mbytjeje.
Shembuj të tjera për këtë ndjesi unike që ka njeriu për veten, e cila rezulton e gabuar nëse trajtohet nga aspekti i tipareve që na përbëjnë, janë të pafundme.
*Burimi: Melissa Hogenboom/BBC