Një studim thotë se mbipesha dhe obeziteti kanë një ndikim të fortë në tru. Kur njeriu, i madh apo i vogël, është obez, në trurin e tij nxitet një reagim inflamator që motivon ushqyerjen pa karar dhe të keqe, e cila më pas rrit predispozitën e një shëndeti të ligë në të ardhmen.

Nëse që fëmijë njeriu mësohet të hajë me tepri, kur të rritet, truri do e nxisë të ushqehet me të njëjtat ritme, frekuencë dhe intenstitet. Studiuesit janë të alarmuar për faktin se obeziteti tek tek fëmijët është katërfishuar në 40 vitet e shkuara, sepse sipas tyre, sa më obezë të jenë njerëzit në fëmijëri, aq më problematik do të jetë shëndeti i tyre.

Studime të shumta kanë treguar se sa më i lartë të jetë indeksi i masës trupore aq më të larta janë gjasat që njeriu të vuajë nga shumë sëmundje të ndryshme. Këtu përfshihen sëmundjet e zemrës, problemet me gjumin, diabeti, tensioni i lartë. Për këtë arsye, shumë shoqata dhe organizata kanë kërkuar njohjen e obezitetit si një sëmundje kronike. Të dhënat tregojnë se sa më gjatë të jetë obez ose mbipeshë njeriu aq më të vështirë do ta ketë të humbasë kilogramët e tepërt.

Një studim tregoi se sa më shumë depozita dhjamore të ketë njeriu aq më e vështirë do të jetë humbja e tyre. Kjo ndodh për shkak të një proteine të njohur si sLR11. Kjo proteinë prodhohet gjatë pranisë së depozitave të dhjamit dhe bllokon aftësinë e trupit për të djegur yndyrnat.

Gjasat që njeriu ta teprojë me ushqimin gjatë ditëve të festave janë shumë të larta. Rreziku i shtimit të kilogramëve është i madh. Sipas studimeve, pesha e një njeriu mund të shtohet me deri në 0.6 për qind gjatë dhjetorit. Pjesa më e madhe e peshës merret në 10 ditët pas Krishtlindjeve. Studimet tregojnë se eliminimi i kilogramëve të tepërt të marra gjatë kësaj periudhe është një proces shumë i vështirë. Nëse i përmbaheni rutinës suaj të shëndetshme të aktivitetit fizik ndonëse i dorëzoheni nepsit, do ta keni më të lehtë për të mos shtuar në peshë. Një mënyrë se si t’i shmangeni konsumit të ushqimeve të mbetura të natës së vitit të ri, është që t’i hidhni ato në plehra, në mënyrë që mos të tundoheni