Një zbulim i ri tregon gjurmë të lashta uji në Mars, që datojnë 4,45 miliardë vjet më parë, të gjetura në një kokërr minerali zirkoni të izoluar brenda meteoritit “Bukuria e Zezë”. Studiuesit analizuan zirkonin, një mineral i njohur për qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të ruajtur gjurmë të kushteve të krijimit të tij. Analiza zbuloi se uji ka ekzistuar në koren e Marsit vetëm 100 milionë vjet pas formimit të planetit. Elementë si hekuri, natriumi dhe alumini të gjetur brenda zirkonit tregojnë se ky mineral u formua në prani të ujit të pasur me minerale, duke sugjeruar ekzistencën e sistemeve hidrotermale, si burime të nxehta.

“Kjo është prova më e hershme e ujit në Mars dhe tregon që planeti mund të ketë pasur kushte për të banuar në të”-tha Jack Gillespie, autor i studimit nga Universiteti i Lozanës. Megjithëse “Bukuria e Zezë” është burimi më i mirë aktual për studimin e historisë së hershme të Marsit, kthimi i mostrave të zgjedhura nga robotët e dërguar atje, si Perseverance, mund të japë të dhëna më të detajuara. Roboti aktualisht po mbledh mostra nga Krateri Jezero, ku besohet se kanë ekzistuar liqene dhe sisteme hidrotermale 3,7 miliardë vjet më parë. Ky studim tregon rëndësinë e kërkimit për ujë dhe jetën e hershme, duke ngritur hipoteza të reja për historinë e Marsit dhe potencialin e tij për të lejuar jetën në të.

Një shkëmb me vija i identifikuar nga roveri Mars Perseverance ka ngjallur interes të madh në mesin e shkencëtarëve për historinë e Planetit të Kuq. I quajtur “Kështjella Freya”, ky shkëmb, i cili mund të ketë origjinë vullkanike, u zbulua në shpatet e kraterit Jezero. Përmes instrumentit të saj Mastcam-Z, Perseverance e fotografi dhe matjet e para sugjerojnë se struktura e tij është ndikuar nga procese magmatike ose metamorfike. Megjithatë, origjina e këtij shkëmbi mbetet enigmatike, duke lënë hapësirë për spekulime se ai mund të ketë rrokullisur nga shkëmbinj të tjerë më lart.

Athanasios Klidaras, student doktorature në Universitetin Purdue, shprehu optimizëm për gjetjen e më shumë shkëmbinjve të tillë gjatë misionit. Kjo gjetje është pjesë e një eksplorimi më të gjerë, pasi në maj 2024, Perseverance kishte hasur edhe në një fushë guri të quajtur Mount Washburn, ku një shkëmb me ngjyrë të ndryshme ra në sy. Shkencëtarët janë të kënaqur me zhvillimet e deritanishme dhe presin të zbulojnë më shumë informacione për planetin.