Ka tre fëmijë, është një super modele, ka interpretuar role dramatike dhe brilante, bën kinema dhe teatër, është Marianne, imazhi i Francës dhe “Urdhri i kavalierit” i artit dhe i letërsisë franceze, po ashtu anëtare e jurisë në festivalin filmit në Venecia. Laetitia Casta i ka të gjitha.
Gruaja që i bën ende meshkujt të ëndërrojnë
Familja – Flitet për krizë martesore, për një divorc të mundshëm, por për një nga femrat më të bukura në botë këto janë thjesht gjepura: martesa e saj është e lumtur, ndërsa familja për t’u adhuruar
Imazhi – Sot gratë nuk arrijnë ta ‘ndërtojnë’ veten duke u bazuar në një imazh femëror real. 20-vjeçaret që shohim nëpër reklama janë të gjitha të ribëra. Si në foto të punuara me Photoshop, si në të vërtetë
Profesionet – Kam interpretuar në më shumë se 20 filma dhe kam zbritur në pasarelë me qindra mijëra herë përkrah emrave më të mëdhenj të kësaj fushe. Jam e mendimit se një modele e zonja dhe një aktore e mirë transmetojë emocione të mëdha
Koha e lirë – Më pëlqen shumë të gatuaj, të kujdesem për fëmijët dhe shtëpinë. Dua të bëj vetë gjithçka që ka lidhje me ta. Dua t’i shoh në çdo moment, teksa rriten me përkujdesjen time. Pastaj, kur nuk udhëtoj për punë, na pëlqen që pasditeve të dalim të gjithë së bashku
Ishte vetëm 15 vjeç kur fitoi një konkurs bukurie dhe u zgjodh menjëherë nga disa fotografë si fotomodele. Më pas do të ishte stilisti Jean Paul Gaultier që do ta nxirrte në pasarelë dhe do ta promovonte si topmodele. Sot edhe pse ka hequr dorë nga pasarelat, nëna e tre fëmijëve, vazhdon ende të jetë fotomodele, dhe pjesë e kopertinave më të mëdha të revistave apo imazhi i firmave më të mëdha në botën e modës.
Cila është një nga gjërat më irrituese që mund t’i ndodhin Laetitia Casta-s? Nëse mendoni se janë thashethemet në lidhje me format e saj trupore, që shkruhen andej-këndej për të në shtypin rozë e keni shumë gabim. Janë të tjera gjëra që e shqetësojnë në këto momente, si ato që thonë dhe shkruhen në lidhje me fëmijët dhe bashkëshortin e saj. Flitet për krizë martesore, për një divorc të mundshëm, por për një nga femrat më të bukura në botë këto janë thjesht gjepura: martesa e saj është e lumtur, ndërsa familja për t’u adhuruar. Nënë e dy fëmijëve, Laetitia vazhdon të jetë jashtëzakonisht e bukur, edhe pse e palyer dhe e veshur thjesht, me xhinse, sandale me pak takë dhe një xhaketë me vija. “Sot gratë nuk arrijnë ta ‘ndërtojnë’ veten duke u bazuar në një imazh femëror real. 20-vjeçaret që shohim nëpër reklama janë të gjitha të ribëra. Si në foto të punuara me Photoshop, si në të vërtetë. Ato nuk janë reale, janë thjesht fantazma dhe mbi to kanë projektuar jetën e tyre. Ky është perfeksion i shëmtuar dhe unë trishtohem kur e shoh këtë”.
Laetitia tregon se pesha nuk i ka interesuar kurrë: ndonjëherë jemi më të dobët, ndonjëherë më të shëndoshë. Për të këto nuk janë gjëra të rëndësishme. “Unë ha kur më hahet, bëj gjimnastikë kur dua dhe e ndiej veten shumë mirë kështu. Kur një grua më flet për bukurinë, i them gjithmonë: “Të lutem flasim për diçka tjetër më të vërtetë. Unë nuk jam një grua imazh, jam e vërtetë”. E në fakt, gjenetikisht kromozomet e saj janë një përzierje e këndshme mes Veriut dhe Jugut. Kur e pyet se kujt nga prindërit i ka ngjarë që është kaq e bukur, përgjigjet:”Edhe pse kam lindur në Normandi, toka e nënës sime, më tepër kam ngjarë nga babai. Kam edhe një stërgjyshe italiane, që erdhi në Korsikë nga Toskana, në përkim të një pune. Megjithatë nuk jam aspak parisiane. Me prindërit dhe vëllezërit jemi një familje e bashkuar dhe mesdhetare. Ka pasion, diskutojmë, nuk jemi tipa të ftohtë. E pra, është normale që jam martuar me një italian”. Nga imazhet e realizuara nga Mario Testino, për reklamën e re të parfumit “D&G” Casta shfaqet tepër joshëse e veshur me një bust të zi, që i nxjerr në pah format e buta dhe dekoltenë mbresëlënëse. Lëkura e nxirë nga dielli, flokët e mbledhur dhe një tualet të lehtë në sy dhe buzë, Casta shfaqet shumë natyrale, por që transmeton imazhin e një gruaje të fortë dhe sensuale. Casta, që po kalon një moment shumë pozitiv në pikëpamjen profesionale, do të jetë një nga anëtarët e jurisë së Festivalit të Venecias, që nisi më 29 gusht.
Stefano Açorsi, babai i tre fëmijëve të tu. Çfarë ju ka mësuar për Italinë?
Së bashku mësuam italishten: për një grua dashuria është metoda e parë për të mësuar. Stefano më bëri të njihesha edhe me këngët e Mina-s dhe të Lucio Battisti-it, po ashtu dhe kinemanë. Me pak fjalë jam kokë e këmbë e dashuruar me Italinë. Shkojmë shumë shpesh aty me fëmijët. Kam parë shumë vende të bukura, si: Toskanën, Pulian dhe Romën. Kur arrij, ndihem e çlodhur. Sapo ngre kokën, sheh një monument: kjo është e jashtëzakonshme. Më pëlqen ngrohtësia e njerëzve, kultura teatrale, këngët lirike, Karavaxho, piktura. Komedia dhe arti.
Jeni imazhi i ri i një parfumi të Dolce&Gabbana-s…
E vërtetë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Në fotot për
Pour Femme të Dolce&Gabbana-s nuk u sforcova aspak. Thjesht nxora në pah shpirtin tim mesdhetar. Këtë më kishin kërkuar edhe dy stilistët e mëdhenj, të cilët i kam edhe miq të mirë në jetë.
Le të kthehemi tek Franca, për kë votuat në zgjedhjet presidenciale?
Votova për Hollande, ishte i preferuari im në krahasim me Sarkozy-në. Mendova se ishte njeriu i duhur për Francën. Po ashtu, mendoj se shoqja e tij, Valérie Trierëeiler, do të bëjë më shumë politikë se sa Carla Bruni.
Pra jeni e majtë?
Po nëse doni të më përkufizoni kështu. Pikërisht aty e gjej veten dhe bindjet e mia.
Çfarë është e rëndësishme në punën si modele?
Drita. Fakti që të dish të punosh me dritën. Kërkoj gjithmonë atë të duhurën.
Po në atë të aktores?
Unë bëj punën më të bukur në botë. Kam interpretuar në më shumë se 20 filma dhe kam zbritur në pasarelë me qindra mijëra herë përkrah emrave më të mëdhenj të kësaj fushe. Jam e mendimit se një modele e zonja dhe një aktore e mirë transmetojë emocione të mëdha. I ndihmojnë spektatorët të gjejnë dhe të çlirojnë ndjenjat që janë mësuar t’i fshehin, duke fshehur kështu edhe veten.
Projektet e ardhshme?
Në tetor do të dalë “Do not disturb“, një komedi e Yvan Attal-it me Charlotte Gainsbourg-un dhe Asia Argento-n; dhe “Les Adorées” e Hélène Fillières, ku interpretoj rolin e dashnores vrasëse të bankierit Stern. Pjesë e një kronike të zezë, që ka ngjallur shumë diskutime. Ai ishte një burrë i bukur, por i çmendur: dashuronte dhe urrente në të njëjtën kohë, kërkonte një raport ku të dy të ishin viktima. Ajo që trajtohej si prostitutë në fund vendosi ta vriste. Një rol i vështirë dhe njëkohësisht i fortë. Pastaj mund të interpretoj në kinema një pjesë, që në kinema është interpretuar nga Liz Taylor.
Ke tre fëmijë, je një super modele, ke interpretuar role dramatike dhe brilante, bën kinema dhe teatër, je
Marianne, imazhi i Francës dhe “Urdhri i kavalierit” i artit dhe i letërsisë franceze. Ka ndonjë gjë që ju mungon?
Jam unë që bëj zgjedhjet e duhura në jetë. Jam shumë kurioze dhe kreative, madje edhe kur bëj fëmijë. Mund të pikturoj dhe të drejtoj një film. Nuk jam e interesuar vetëm për joshjen, pavarësisht se për mua dikur ka qenë e rëndësishme. Jam një vajzë me mend në kokë, që ngrihem sa herë rrëzohem. Kjo më bën të eci përpara dhe të jem e suksesshme.
Po në kohën e lirë, me se merresh?
Më pëlqen shumë të gatuaj, të kujdesem për fëmijët dhe shtëpinë. Dua të bëj vetë gjithçka që ka lidhje me ta. Dua t’i shoh në çdo moment, teksa rriten me përkujdesjen time. Pastaj kur nuk udhëtoj për punë, na pëlqen që pasditeve të dalim të gjithë së bashku apo fundjavave të shkojmë në kinema apo teatër, familja me fëmijë është si çerdhe e gëzueshme me zogj. Për këtë arsye dua të kujdesem vetë për ta sa herë që kam kohë të lirë.
Po fëmijët i kanë shfaqur prirjet e tyre për të ardhmen?
Janë ende shumë të vegjël, por sigurisht janë të lirë të bëjnë atë që duan më shumë në jetë. Le të investojnë për atë çka duan. E rëndësishme është të dinë që ne prindërit e tyre do t’i mbështesim në çdo gjë që ata do të bëjnë. Sa herë të kenë nevojë për ndihmën tonë, ne do të jemi aty.
Pra, zërat për një divorc janë gënjeshtra?
Në gjithë këto vite martese që kam me Stefano-n mund të them vetëm kaq: Jam e lumtur. Kam një familje të adhurueshme. Stefano është një baba dhe një bashkëshort i jashtëzakonshëm. Një grua si unë është me shumë fat në këtë aspekt.