
Shqipëria mund të ketë shumë shpejt supermakinën e parë të saj. Qëndrim Thaqi, themelues i “Arrera Automobili”, është gati për të realizuar projektin e tij madhor, supermakinën “Illyrian Pure Sport”.
“Illyrian Pure Sport” është dizajnuar nga i njëjti dizajner që ka dizajnuar Porsche 9RE, pikërisht Qëndrim Thaçi. Tani, përmes kompanisë së tij “Arrera Automobili”, Thaçi dëshiron ta bëjë “Illyrian Pure Sport” makinën e parë shqiptare.

Ditën e sotme Thaqi ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku tha se “është një makinë direkt seri dhe se po mendohet që të prodhohet në këtë verë të vitit 2021”.
“Kemi objektin tonë. Makina ka patur një emër tjetër, por kjo “Illyrian Pure Sport” ka qenë një ide më e hershme e imja”, tha ai, i cili shtoi se e kanë “nisur me modesti historinë e tyre dhe duan ta shfrytëzojnë mirë emrin e tyre”.

Thaqi tha se kanë nisur porositë e para, madje edhe dy djem shqiptarë kanë bërë porosi për të patur makinën e tij. Ai tregoi gjithashtu se do të prodhojnë 75 makina të tilla.
Supermakina e re “Illyrian Pure Sport” do të mundësohet nga një motor 6.2 litërsh LT2 V8, me një fuqi 840 kuaj. Shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë. 10 makinat e para do të kushtojnë 280 mijë euro. Madje kjo makinë ka bërë jehonë edhe në mediat e huaja.


