Filma si “Koha e tanishme” tregojnë histori personale dhe intime të shoqërisë që po përjeton ndryshime të shpejta
Dorian Jones, BBC
Kinemaja e Turqisë është aktualisht në shëndet të plotë, duke prodhuar më shumë filma se çdo vend tjetër europian me përjashtim të Francës, si dhe duke fituar disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Por tani regjisorët e këtij vendi po kërkojnë diçka më shumë, po kërkojnë një sukses të madh, sa artistik, aq edhe komercial.
Vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të mira për filmat e këtij vendi. Regjisori Semih Kaplanoglu Bal mori “Ariun e Artë” në Berlin më 2010-n, ndërsa Nuri Bilgi Ceylan ishte bashkëfitues i Çmimit të Madh për filmin e tij “Na ish një herë në Anadoll”. Kinemaja e këtij vendi është përfaqësuar nga këta regjisorë, të cilët kanë artizanuar filma që paraqesin panorama pak të njohura të tokës së pafundme të Turqisë dhe histori intime. Por pas suksesit të filmave të tyre autorialë dhe jo shumë të suksesshëm nga pikëpamja komerciale, disa regjisorë dëshirojnë ta shtyjnë kinemanë e këtij vendi në një drejtim të ri.
“Synimi im është të jem i ndryshëm. Mund të themi se Nuri dhe Semih bënë filma poetikë, por unë dua të shkoj në aspektin politik”, thotë Orhan Eskikoy, bashkëregjisor i filmit “Zëri i babait”.
“Unë dua të tregoj më shumë se të tjerët realitetin e Turqisë. Po shikojmë se gjithnjë e më shumë regjisorë po shohin te problemet politike. Ne na kanë thënë gjithmonë se Turqia ka armiq, por çfarë është të qenët armik? Kush është armiku? Hap pas hapi ne do të shohim stile të tjera dhe këndvështrime të tjera në filma.”
Fuqia e kinemasë
Eskikoy po fliste në Stamboll në prezantimin gala të filmit të tij dhe sapo kishte fituar çmimin më të mirë të këtij vendi. “Zëri i babait” po transmetohet aktualisht edhe në Gjermani dhe trajton dy nga çështjet më të debatuara në shoqërinë e sotme turke, minoritetin turk dhe telashet e alevinjve, një minoritet fetar shpesh i persekutuar në këtë vend.
Filmi është pjesërisht i bazuar te historia familjare e një regjisori kurd, Zeynel Dogan.
“Unë desha të tregoj me këtë film se ngjarja është shumë pranë meje. Përshkrova atë që përjetova”, thotë Dogan. “Mendoj se tashmë e kuptojnë të gjithë se kinemaja ka fuqinë për t’i ndryshuar gjërat në Turqi.”
Historitë intime të fuqishme janë një faktor i zakonshëm i filmave të kohëve të fundit në Turqi. “Është një vështrim në jetët e përditshme të njerëzve të zakonshëm dhe për këtë arsye e titullova filmin “Koha e tashme”, thotë regjisorja Belmin Soylemez. “Është një vështrim përmes syve të njerëzve të zakonshëm në një shoqëri në ndryshim në Stamboll dhe Turqi. Ne po vëmë në pyetje të gjitha ndryshimet që po ndodhin.”
“Koha e tashme” një film që ka fituar shumë çmime në Turqi dhe që tashmë po shfaqet edhe jashtë vendit, tregon historinë e një gruaje të re që po përpiqet dëshpërimisht të fitojë paratë dhe të parashikojë fatin në mënyrë që të shkojë të jetojë në SHBA.
“Shumë të rinj, veçanërisht të arsimuarit, po përpiqen të ikin jashtë vendit, pasi ndiejnë se nuk kanë vend këtu”, thotë Soylemez.
Duke u fuqizuar
Në një seancë pyetje-përgjigjesh, një kritik ndërkombëtar i kinematografisë krahason “Kohën e tashme” me valën e re të kinemasë së Argjentinës, e cila gjithashtu është angazhuar të shohë botën përmes syve të njerëzve të zakonshëm. Dhe ndërsa Turqia po ecën drejt një transformimi të madh ekonomik, politik dhe kulturor, ka shumë mundësi zgjedhjeje për regjisorët.
Soylemez është pjesë e një grupi gjithnjë e në rritje regjisoresh femra që po zënë vend në kinemanë e Turqisë. “Përfundimisht ato janë të guximshme”, thotë një regjisore tjetër, Ilkesen Basarir.
“Ndoshta për shkak se mendojnë se do t’u jepet vetëm një shans, ata kërkojnë të tregojnë historinë më të fuqishme të mundshme”, vijon ajo. Filmi i saj “Meri del vërdallë”, merret me incestin, një temë ende tabu për diskutim në Turqi.
“Regjisoret gra janë shumë më tepër të përfshira në problemet shoqërore dhe ato politike nga sa përjetojnë realisht”, thotë profesor Tul Akhal Sualp në Universitetin Bahcesehir të Stambollit. “Ata po bëhen më të fuqishme”, shton ai.
Filmi “Zefir”, i Belma Bas fitoi çmimin për fotografinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Gratë në Gjermani këtë vit. Filmi flet për marrëdhënien mes një nëne pa burrë dhe fëmijës së saj, marrëdhënie që përfundon në tragjedi. Ai u filmua në një rajon shumë të bukur dhe të izoluar alpin pranë Detit të Zi.
“Unë përpiqem të krijoj personazhe femrash të forta në filmat e mi, por kjo nuk i bën ato filma për gra. Ka kaq shumë mungesa në botën e filmit për gra me karakter të fortë dhe unë mendoj se kjo duhet të ndryshojë”, thotë ajo.
Por Bas, ashtu si edhe regjisorët e tjerë të pavarur, e kanë të vështirë të nxjerrin filmat e tyre nëpër kinematë e Turqisë. Ato e kanë të vështirë të konkurrojnë me importet nga Hollivudi, por edhe me filmat e shtëpive filmike komerciale.
Një shëtitje në bulevardin “Istiklal” në Stamboll, i famshëm për numrin e madh të kinemave, e ilustron më së miri këtë. Industria e telenovelave dukshëm e dominon tregun.
“Shpërndarësit duan vetëm filma komercialë turk”, thotë Soylemez. “Është ironike se më shumë shikues të filmave tanë i kemi jashtë vendit se sa brenda Turqisë.”