Jetojnë mbi akull, me miliarda fuçi nafte nën këmbë


May Abdalla, BBC


Pas një dekade të tërë betejash ligjore dhe pasi kanë shpenzuar 4.5 miliardë dollarë, këtë vit, Shell mori leje për të filluar eksplotimin dhe shpimin për naftë në brigjet e Alaskës. Por për shumë banorë vendës të fiseve Inupiat, kjo përbën një shqetësim që mund të ketë pasoja shkatërrimtare në burimin e tyre kryesor ushqimor – balenat ballëgjera.


Marie Casados më tregon përmbajtjen e frigoriferit të vet. Brenda gjendet mish balene, lëkurë e ngrirë balene – e njohur si muktuk – peshk dhe putra e një ariu polar. Kjo e fundit duket si një dorë njeriu. Ajo i përshkruan një nga një si delikatesa shumë të shijshme. Por më e rëndësishmja, aty gjendet e gjithë rezerva ushqimore e saj për dimrin.



Peshkimi dhe gjuetia janë shumë të rëndësishme për mënyrën e jetesës së Inupiatëve. Arkeologët kanë zbuluar prova për gjuetinë e balenave nga njerëzit në këtë zonë deri në 800 vjet Para Krishtit.


“Ne jemi banorët më të vjetër që kemi banuar vazhdimisht në Amerikën e Veriut”, thotë kryebashkiaku i fshatit “Pika e Shpresës”, Steve Oomituk. “Ne jemi këtu prej mijëra vitesh”.


Oomituk ndan frikën e shumëkujt prej kësaj bashkësie të vogël me 800 vetë – frikën se shpimi për naftë në det pranë brigjeve nga Shell do të shkatërrojë zinxhirin ushqimor që i ndihmon ata të mbijetojnë. Rreth 80 për qind e ushqimit në Pikën e Shpresës peshkohet nga vetë njerëzit.


Ata shqetësohen se nafta do të prishë rrugët e migrimit të mamalëve detarë duke i larguar ato nga ujërat bregdetare ku mund të kapen nga peshkatarët.


Shpimet e propozuara prej tyre në Arktik do të kryhen pikërisht në shtegun e migrimit të kafshëve”, thotë Oomituk. “Ne jetojmë në një cikël jete që nuk ka ndryshuar për mijëra vjet. Ne e dimë se ku kalojnë kafshët. E dimë se kur ata drejtohen nga veriu apo kur nisen për në jug, kjo është shtëpia jonë, toka jonë dhe identiteti ynë si njerëz”.


Por Oomituk pranon se, si shumë qytetarë të tjerë amerikanë, ai është nën varësinë e karburanteve fosile. Ai ngroh shtëpinë e tij me diezel dhe ka një makinë që përdor benzinë.


Vendet e punës janë gjithashtu një shqetësim i madh për këtë komunitet të varfër. Edhe kryebashkiaku Oomituk vlerëson faktin se shumë njerëz do të përfitojnë nga punëdhënësit e rinj në këtë zonë.


“Ti dëshiron vende pune për njerëzit apo dëshiron që ekonomia të rritet, por a dëshiron që kjo të vijë me koston e sakrifikimit të mënyrës tënde të jetesës? A dëshiron të vësh në rrezik mënyrën e jetesës që ka vijuar kështu që nga kohët që nuk mbahen mend?”


Kështu, shpimi për naftë i propozuar paraqet një dilemë të madhe për popullatën.


Në fshatin e “Pikës së Shpresës”, disa njerëz thjesht nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Radhët te kuzhina e supës falas të fshatit janë të shpeshta. Aty të varfrit ushqehen me salmon të fërguar shumë dhe një biftek dreri Alaske. Patrick Jobstone thotë se në këto kushte, një vend pune është një gjë shumë e leverdishme.


Ai ka kërkuar për punë që nga koha kur doli nga burgu ku kishte rënë për konsumim pijesh alkoolike dhe shkelje të lidhura me drogën dhe tashmë me vështirësi po furnizon bashkëshorten dhe fëmijën e tij.


Për Jobstone, një vend pune te Shell do të jetë përgjigjja për lutjet e tij. Ai sakaq po trajnohet në pastrimin e mbetjeve toksike në pritje të një mundësie të re për punësim dhe shpreson se do të punësohet në skuadrën e Shell për reagimin në rastet e rrjedhjes së naftës në det.


“Nëse ata kanë punë për të më ofruar, unë do të punoj për ta dhe nuk kam asnjë problem”, thotë ai, megjithëse është si të tjerët i shqetësuar për ndotjen.


“Nëse një pus nafte rrjedh dhe shkakton një telash në oqean, si do t’ia bëj unë të ha një balenë që nuk është kontaminuar? Nafta bruto qëndron gjithmonë në fund të oqeanit”, thotë ai.


Pete Slaiby, zëvendëspresidenti i Shell për Alaskën, pranon se rrjedhjet e naftës janë një shqetësim.


“Nuk ka se si të merret lehtë kjo gjë, unë mendoj se do të ketë rrjedhje dhe asnjë rrjedhje nuk është e pranueshme. Por a do të ketë këtu rrjedhje të përmasave të tilla sa të dëmtojë mbijetesën e njerëzve? Në këndvështrimin tim, jo, nuk besoj se kjo gjë do të ndodhë”.


Në anën tjetër, ai argumenton se nafta e nxjerrë nga brigjet e Pikës së Shpresës mund të bëjë një ndryshim të madh për Amerikën në tërësi.


“Kjo mund të jetë një hap i madh në udhëtimin drejt pavarësisë energjetike të Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.


Slaiby thotë se naftësjellësi Trans-Alaska, që ka furnizuar Shtetet e Bashkuara me naftë të nxjerrë në tokë përgjatë 40 viteve të fundit, tashmë po shkon drejt shterimit.


“Ne po shohim një rënie të prodhimit nga viti në vit prej 6 për qind. Për ne, vijimi i furnizimit me naftë të tubacionit Trans-Alaska është një objektiv i rëndësishëm kombëtar”.


Kjo është një dilemë e njohur me të cilën bota është përballur herë pas here gjithkund. A mundet që bashkësia t’i japë më shumë rëndësi zhvillimit ekonomik sesa mbrojtjes mjedisore?


Këtë verë, për herë të parë, këshilli vendor i fshatit “Pika e Shpresës” u takua me përfaqësues të Shell, përfshirë Pete Slaiby, në selinë e bashkisë së fshatit, një kupolë prej druri e ndërtuar që t’i ngjajë një shtëpie tipike inuite, të njohura si igloo.


Gjatë takimit, vendorët qenë emocionalë, por iu dorëzuan idesë së fillimit të shpimit.


Ne duhet të marrim të gjithë informacionin dhe të sigurohemi se gjithçka do të kryhet siç duhet, tha Peggy Frankeson, drejtoreshë ekzekutive e këshillit fisnor që mori pjesë në takim.


“Ne jemi kujdestarët për kafshët dhe tokën dhe ne kemi nevojë të sigurohemi që kultura jonë të jetë në gjendje të vijojë për 10 apo 20 mijë vitet e ardhshme”, thotë ajo.


Gjithsesi, Shell nuk qe në gjendje të nxirrte naftë askund në det për këtë vit. Fillimisht, shpimi u ndalua kur një copë e madhe akulli, 48 kilometra e gjatë dhe 19 kilometra e gjerë, u duk se po udhëtonte drejt anijes së tyre.


Më vonë, Shell filloi të shpojë në dy vende, por u ndalua të zgjeronte numrin e puseve në rezervuarët e tjerë të naftës nga roja bregdetare e SHBA-së, pasi një kupolë e krijuar për të përmbajtur çdo rrjedhje të mundshme nafte, u thye gjatë testimeve. Zona tashmë është e mbuluar me akull deri vitin e ardhshëm dhe njerëzit te “Pika e Shpresës” kanë marrë një fuqi të veçantë, të drejtën për të ndaluar shpimet ose për t’i shtyrë për më vonë ato në rast se fshatarët e shohin si të nevojshme. Vitin e ardhshëm, Shell do të rikthehet për të filluar shpimet.


 


Popullata e Alaskës dhe balenat


Inupiat janë një grup banorësh vendës të Alaskës Veriore. Ata lejohet të kapin dhjetë balena ballëgjera në vit. Varkat e para që arrijnë të peshkojnë fitojnë edhe kuotat e përcaktuara për ta. Kreu i grupit të gjuetisë së balenës e ndan atë në mënyrë të barabartë mes ekuipazhit. Kafka, pasi i hiqet mishi, rilidhet në det. Inupiatët besojnë se kafka do të “veshë veten” dhe do të bëhet një balenë tjetër.


 


“Shpo, vogëlushe, shpo”


Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës imponoi një moratorium mbi kërkimet e naftës dhe gazit në det të hapur në vitin 1981. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2008, republikanët, si kandidatja për zëvendëspresidente Sarah Palin, bënë thirrje për t’i dhënë fund moratoriumit me sloganin “Shpo, vogëlushe, shpo”. Në atë kohë, Barack Obama e kundërshtoi. Por sapo u zgjodh, ai lejoi shpimin në disa zona në det të hapur, përfshirë detet Çuki dhe Bjufort në veri të Alaskës.


 


Diçitura e hartës


Zonat me ngjyrë portokalli tregojnë vendet ku Shell lejohet të eksplorojë dhe nxjerrë naftë. Shell vlerëson se Arktiku mban rreth 30 për qind të gazit natyror ende të pazbuluar të botës dhe 13 për qind të naftës të pazbuluar, në tërësi rreth 400 miliardë fuçi nafte.


 


A fitojnë gjithmonë multinacionalet?


Në mënyrë shumë habitëse, banorët indigjenë mund të kenë ndikim edhe mbi korporatat e stërmëdha, nëse ata arrijnë të rekrutojnë aleatë dhe arrijnë të vjelin pushtetin e medias.


Etnia Dongria Kondh, për shembull, një fis i vogël që jeton në Indinë Lindore, ka arritur të krijojë një fushatë të suksesshme për të ndaluar shfrytëzimin e kodrave të tyre për mineral hekuri.


Në Peru, fermerët me sukses luftuan kundër një plani për minierë bakri pavarësisht arrestimit dhe torturimit të protestuesve.


Aborigjenët Martu të Australisë luftuan për dekada kundër humbjes së tokës së tyre dhe planeve për ndërtimin e një miniere uraniumi. Ata së fundmi lejuan minierën të ecë përpara – pasi siguruan vendet e tyre të shenjta dhe nënshkruan një marrëveshje për vende pune dhe pagesë rente.


Shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe të drejtat e banorëve indigjenë vendës mund të ecin paralelisht. Por para se të fillojnë punë, kompanitë e naftës dhe të minierave duhet të marrin miratimin e bashkësive ku ato operojnë.


 


Projekti “Karroca”


Më 1958, shpikësi i bombës me hidrogjen, Edward Teller, vizitoi “Pikën e Shpresës” për të provuar një plan për përdorimin e një bombe për të krijuar një port të thellë, rreth 30 kilometra në jug të fshatit.


Fshatarëve iu tha se shpërthimi do të mund të krijonte një port në formën e një ariu polar. Fuqia shpërthyese e impenjuar do të ishte rreth 160 herë më e madhe sesa ajo e përdorur në Hiroshima.


Por bashkësia refuzoi të lëvizë nga shtëpitë e tyre për një shpërthim që duhej të kryhej gjatë sezonit të balenave. Shumë prej inupiatëve të moshuar edhe sot e kësaj dite refuzojnë t’i japin dorën një të bardhi për shkak të fyerjes që ata i shkaktuan.