Një studim me 1 milion persona zbulon një përbërës kyç të lumturisë që shumica e drejtuesve e injorojnë. Një meta-analizë e vitit 2024, me mbi 1 milion pjesëmarrës nga 132 studime globale, tregon se faktori më i rëndësishëm për mirëqenien dhe angazhimin e punonjësve nuk është puna nga shtëpia, orari fleksibël apo abonimet në palestër, por besimi.
Studimi identifikon dy lloje: besimi ndërpersonal (mes kolegëve) dhe besimi institucional (tek organizata, drejtuesit dhe proceset). Të dy lidhen fort me mirëqenien sociale, psikologjike dhe deri diku fizike.
Si mund të ndërtohet besimi në punë? Nuk mund të kërkohet me urdhër, por mund të krijohet një kulturë ku ai lulëzon. Artikulli liston katër mënyra kyçe:
1. Transparenca
Punonjësit duan të dinë çfarë po ndodh në kompani, sidomos lajmet e vështira. Mungesa e informacionit është burimi më i madh i stresit për gjysmën e të anketuarve. komunikimi i hapur dhe i ndershëm krijon siguri.
2. Parashikueshmëria
Punonjësit duhet të dinë se çfarë prioritetesh ka drejtuesi dhe si vendos. “Njerëzit nuk duhet të hamendësojnë si do t’u përgjigjem,” tha një CEO i suksesshëm. Liderët e qëndrueshëm dhe të qartë ndërtojnë më shumë besim sesa ata që ndryshojnë mendje shpesh.
3. Besimi i dhënë punonjësve
Nuk mund të kërkosh besim nëse vetë punon me dyshime, për shembull, duke monitoruar tastierat. Mungesa e besimit krijon pasiguri, zemërim dhe sjellje jo bashkëpunuese. Organizatat që i besojnë njerëzve performojnë më mirë në kohë.
4. Nxitja e besimit mes kolegëve
Konkurrenca e brendshme e tepërt dëmton bashkëpunimin. Kur punonjësit i besojnë njëri-tjetrit, ata punojnë më mirë, janë më të lumtur dhe qëndrojnë më gjatë në kompani. Projekte të përbashkëta, ekipe ndër-funksionale dhe aktivitete sociale ndërtojnë lidhje të forta.
Artikulli thekson se marrëdhëniet në punë janë ndër faktorët kryesorë që përcaktojnë nëse dikush qëndron apo largohet nga një vend pune. Besimi ul lodhjen, rrit angazhimin dhe krijon një kulturë pozitive.
Lumturia në punë varet nga cilësia e marrëdhënieve dhe ambientit. Dhe pikërisht kjo është detyra e çdo drejtuesi: të krijojë një vend ku njerëzit ndihen të sigurt, të respektuar dhe të besuar.
