Të gjitha vendet e Ballkanit kanë vetëm një apo dy femra në qeveritë e veta, por gjithmonë, një femër shërben si ministre për Integrim në Bashkimin Europian. Një lloj “flirtimi” politik me BE-në, e quajnë sociologët



Pozita e femrës ballkanase në politikë ka ardhur duke u përmirësuar në dekadën e fundit. Sot vendet e Ballkanit udhëhiqen nga femra presidente, kryeministre, zëvendëskryeministre e ministre. Sidoqoftë, të dhënat flasin që një grua politikane e suksesshme në Ballkan mund të emërohet më së lehti e më së shpeshti si shefe e çështjeve që kanë të bëjnë më integrimet në Bashkimin Europian përkatësisht ministre e Integrimeve Europiane.


Gjashtë vende ballkanike afrimin me Bashkimin Europian, në kohë dhe kushte të ndryshme, e nisën me një të përbashkët. Ato emëruan në krye të mekanizmave të tyre integrues politikane të gjinisë së bukur.


Njëri nga këto vende hyri në BE në vitin 2007, një tjetër do të anëtarësohet në organizatë me të drejta të plota në qershor të këtij viti, ndërsa katër të tjerët kanë ende rrugë për të bërë.


Bëhet fjalë për Bullgarinë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën që me Vlora Çitakun në krye të Ministrisë së Integrimeve, nuk iu shmang këtij “pakti” të pashkruar.


E kthyer nga Luksemburgu dhe Brukseli javën e kaluar, me një axhendë më të qartë europiane për Kosovën dhe me bindjen se Komisioni Europian do t’i japë vendit tonë datën për fillimin e bisedimeve rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit më 28 qershor, Vlora Çitaku, e quan rastësi emërimin e politikaneve ballkanike si drejtuese të ministrive të integrimeve.


“Fakti që integrimet europiane në rajon udhëhiqen nga femrat, është vetëm koincidencë e asgjë më shumë”, thotë Çitaku, për gazetën “Jeta” në Kosovë.


Të kundërtën e thotë sociologia Linda Gusia.


“Caktimi i femrave në ballë të integrimeve europiane është një mesazh i Ballkanit drejt Brukselit që tregon dëshirën ballkanase për t’i përqafuar vlerat e këtij unioni”, shprehet ajo.


Përderisa, Venera Hajrullahu, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, pozicionohet në mes.


“Procesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë me atë se cila gjini e udhëheq Ministrinë e Integrimeve Europiane, por kush e kupton më drejt kompleksitetin e procesit”, deklaron Hajrullahu.


Rruga drejt Bashkimit Europian është e vështirë megjithëse “ky vit është vit shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit të Kosovës në BE”, thotë ministrja Çitaku, që pos shqipes flet anglisht, frëngjisht, serbisht.


Nga gjashtë politikanet ballkanike, drejtuese të proceseve integruese të vendeve të tyre, përpos Çitakut, qëlloi që edhe dy të tjera të jenë shqiptare.


Majlinda Bregu është ministre e Integrimit Europian në Shqipëri. Kontakti i saj i parë me institucionet e Bashkimit Europian kishte filluar në vitin 2005, kur u emërua si kryetare e delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian.


Që nga viti 2007 ajo udhëheq Ministrinë e Integrimit Europian, ndërsa Shqipëria mbetet peng e mosmarrëveshjeve pozitë-opozitë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Bregu flet rrjedhshëm italisht, frëngjisht dhe anglisht.


Edhe Maqedonia, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian që nga viti 2005 ka pasur një femër në krye të proceseve eurointegruese. Teuta Arifi nga Tetova ka qenë zëvendësministre e Maqedonisë për Eurointegrime.


Arifi është zëvendësuar nga Fatmir Besimi, megjithatë progresi i mëtejshëm i Maqedonisë është bllokuar nga Greqia që nuk pranon emrin zyrtar të këtij shteti.


As Bregu, as Arifi nuk folën për gazetën “Jeta” në Kosovë, megjithëse e patën kohën e duhur për ta bërë këtë.


Drejtimin e ministrive të Integrimit, për cilëndo që ka pranuar një gjë të tillë, Venera Hajrullahu e sheh si një sfidë, ku suksesi individual është vështirë i matshëm, pasi procesi i hyrjes në BE është i lidhur edhe me ministri, individë të tjerë dhe punë ekipore.


“Kur tre shtete përfaqësohen nga gra shqiptare në nivelet më të larta, kjo i kontribuon thyerjes së stereotipave dhe përmirësimit të imazhit të vendeve tona në BE”, thotë drejtoresha e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.


Maglena Kuneva nga Bullgaria ishte femra e parë në Ballkan së cilës iu besua integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Në vitin 2001 ishte caktuar nga qeveria bullgare si negociatore kryesore me Bashkimin Europian, ndërsa në vitin 2002 ajo bëhet ministre e Integrimit Europian të Bullgarisë.


Me anëtarësimin e Bullgarisë në BE, Kuneva, emërohet komisionerja e parë bullgare në Komisionin Europian. Kuneva flet rrjedhshëm rusisht, frëngjisht dhe anglisht.


Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Kroacia duke emëruar Vesna Pusiqin si udhëheqëse të Komitetit Kombëtar të Kroacisë për negociata me Bashkimin Europian. Pusiq tani është ministre e Integrimit Europian  në Kroaci, post i cili pritet të shuhet, pasi Kroacia t’i bashkohet edhe zyrtarisht Bashkimit Europian në qershor.


Serbia gjithashtu ka rezervuar Ministrinë e Integrimit Europian për një femër. Suzana Grubjesiq ka filluar karrierën e integrimeve europiane si pjesë e Komitetit Administrativ të Parlamentit të Serbisë për integrime europiane. Grubjesiq është pioniere e këtyre çështjeve, pasi udhëhoqi një projekt të quajtur Lëvizja Europiane në Serbi qysh në kohën e Millosheviçit në vitin 1996.


Grubjesiq flet katër gjuhë të huaja; frëngjisht, greqisht, anglisht dhe gjermanisht. Serbia mbetet kandidat potencial për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit, megjithëse normalizimi i marrëdhënieve më Kosovën mbetet një kusht që duhet të plotësohet.


Edhe pse eurointergrimi në Ballkan u është besuar politikaneve femra kjo më shumë ngjet në një “flirt” me BE-në, sesa është një përpjekje e vendeve ballkanike për të balancuar pozitën e femrës në postet udhëheqëse. Kështu mendon edhe sociologia Gusia.


“Mendoj se është një prezantim i caktuar, megjithëse emërimi i femrave është një tendencë për ta menaxhuar realitetin patriarkal në Ballkan”, thotë Gusia për gazetën “Jeta” në Kosovë, derisa aktivistja Hajrullahu kërkon të ndryshojë mentaliteti te ne.


“Mentaliteti i barazisë gjinore gjithsesi duhet të evoluojë në Kosovë dhe në rajon, mirëpo bashkë me këtë edhe mentaliteti i punës në përgjithësi”, vlerëson Hajrullahu.


Nga 19 ministri sa ka Kosova (Kosova është vendi më i vogël me territor, por ka numrin më të madh të ministrive në Ballkan) vetëm dy ministri udhëhiqen nga femrat.


Maqedonia me 18 ministri ka gjithashtu vetëm dy ministre. Kroacia ka 27 ministri, dy ministre. Shqipëria ka 15 ministri dhe vetëm një ministre. Bosnja dhe Hercegovina ka 16 ministri dhe një ministre. Mali i Zi ka 17 ministri dhe tri ministre. Serbia ka 18 ministri dhe tri ministre. Bullgaria ka 17 ministri dhe katër ministre.


Përderisa vende si Gjermania, Suedia e Holanda kanë një numër më të konsiderueshëm të femrave ministre. Suedia në fakt ka tejkaluar këtë pabarazi duke emëruar më shumë ministre se ministra.