Napoleoni ndoshta do ta kishte dashur të tillë kompjuterin e tij personal: prej ari, me dy obeliskë anësorë, një bazë prej mermeri të zi, e zbukuruar me ornamente prej ari dhe një kornizë neoklasike. Nisma e veçantë është marrë në Francë nga një kompani e cila ka menduar të harmonizojë shijen e mobilieve antike të epokës mbretërore me një nga risitë më të rëndësishme të teknologjisë, kompjuterin.


I frymëzuar nga mobilimet e brendshme të kështjellave të epokës së mbretërive franceze, prodhuesi i këtyre pajisjeve të veçanta ka dashur të mbushë një zbrazëti në treg; kompjuterë të “stilit” të Luigjit XV apo Luigjit XVI dhe sipas traditave të konsoliduara të mobilieve tipike franceze. Quhet ‘informatikë luksi’ dhe synon të lidhë në një të vetme dekorimin antik me elektronikën moderne.



Në sajtin e shoqërisë së Georges Chirita, që prodhon kompjuterët luksozë, shihet veç të tjerash, edhe një foto e shefes së FMN, Christine Lagarde përballë një ‘kompjuteri të epokës mbretërore’. Sipas kompanisë që i prodhon, 90 për qind e porosive për një produkt kaq të veçantë janë ndërkombëtare, dhe çmimi fillestar për një të tillë nis nga 17 mijë euro.

28 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)