Deklarata
E pse një skuadër e varfër futbolli nuk duhet të vijë te ne për të kërkuar ndihmë?
Soula Alevridou
Zonja e bordellos
Një kuplara dhe një varrmihës për sponsor
Mark Lowen, BBC
Portieri i tyre është i aftë dhe skuadra është solide, por nuk janë aftësitë e tyre ajo që e bën skuadrën e futbollit Voukefalas të veçantë, janë bluzat e tyre, ngjyrë rozë me fjalët “Villa Erotica” të shkruara në gjoks.
Në kohë të vështira, kush tjetër mund të dalë sponsor veç bordellos së zonës? Për këtë klub amator në qytetin qendror të Greqisë, Larisa, ishte opsioni i fundit i disponueshëm për të shpëtuar nga falimenti. Trajneri i skuadrës, Yiannis Batziolas, thotë se nuk ndihet aspak i turpëruar për këtë gjë dhe se futbolli është gjithkund përplot me sponsorë të dyshimtë.
“Nëse shikon me vëmendje në futbollin profesional, agjencitë e basteve dhe alkooli reklamohet. Mendoj se ajo është shumë më tepër imorale”, thotë ai. “Në Greqi nuk është shumë e papranueshme të vizitosh një shtëpi seksi. Mendoj se shumica e të rinjve këtu kanë shkuar në vende të tilla, sepse është nevojë njerëzore. Unë jam krenar për gruan që ka nën pronësi bordellon, krenar që ajo ndihmon ëndrrën tonë për të luajtur futboll.”
Gruaja në fjalë është madam Soula Alevridou, e cila ulet në tribunë dhe me krenari sheh skuadrën që demonstron aftësitë e veta.
E imët, me flokë të shkurta gri dhe e veshur me një xhaketë e me një kollare, ajo gëzon reputacion në qytet si një grua biznesi e pasur. Duke i thënë vetes se ka gjithmonë një herë të parë për gjithçka, unë vizitoj bordellon e saj në periferi të Larisës.
Brenda ndërtesës, në dukje e zakonshme, dhomat ndriçohen nga dritat e kuqe me pasqyra me korniza të arta dhe mure të lyera me të kuqe të ndezur. Dekoracioni është i plotësuar me poltrona vjollcë e kadife, si dhe me llamba kristali shumëngjyrëshe. Suita është e pajisur edhe më jakuzi dhe minibar.
Në apartamentin e saj, brenda kompleksit të Vilës Erotike, e pyes se si erdhi puna që ajo po financon skuadrën e futbollit. “Është për shkak se unë e dashuroj Greqinë dhe më pëlqen të ndihmoj të rinjtë”, thotë ajo. “Autoritetet këtu nuk japin më para për sportet, për arsimin e për asgjë. Atëherë për çfarë arsye një skuadër e varfër futbolli nuk duhet të vijë tek unë për të kërkuar ndihmë?”
Përpjekjet e saj për filantropi jo gjithmonë janë pranuar. Së fundmi ajo i dërgoi para një shkolle në qytetin perëndimor të Patras për të financuar një fotokopje shumë të nevojshme, por çeku i saj u kthye mbrapsht.
“Unë thjesht desha që Greqia të ecë përpara në këto kohë të vështira”, thotë ajo. “Ne të gjithë duhet të qëndrojmë përballë vështirësive të vendit. Kjo është një bordello e ligjshme dhe unë dua të ndihmoj. Pse nuk mund ta bëj?”
Por jo të gjithë në Larisa e shohin në këtë mënyrë. Sindikata vendase e futbollit ka nisur protesta formale, duke këmbëngulur se shitja e seksit duhet të qëndrojë jashtë sportit. Ajo ka urdhëruar që për ndeshjet zyrtare, skuadra duhet të veshë bluza me ngjyra më të errëta, megjithëse ato sërish kanë të drejtë të mbajnë logon e bordellos.
“Nuk është e pranueshme të promovohet prostitucioni”, thotë kreu i sindikatës, Marios Spiratos.
“Ne e dimë se është pjesë e jetës, por ne besojmë se nuk është gjëja e duhur për atletët e rinj amatorë. Disa nga lojtarët janë më pak se 18 vjeç.”
Në qytetin vijues të Trikalës, autoritetet e futbollit kanë gjithashtu shqetësime për sponsorin e ri. Skuadra amatore këtu vesh bluza të zeza, jo rozë, dhe logoja është një kryq, është agjencia funerale e qytetit që i ka zgjatur jetën skuadrës së Palaiopyrgos FC.
Për shkak të kundërshtimeve nga autoritetet lokale, kryqi i madh ngjyrë vjollcë duhet të mbulohet me ngjitëse gjatë ndeshjeve, megjithëse vazhdimisht ngjitësja bie dhe askush nuk ankohet.
“Unë e pëlqej bluzën e re”, thotë mesfushori Haris Bakogiannis. “Kryqi i bën kundërshtarët tanë të na tremben, dhe askush nuk ka veshur kurrë më parë diçka të tillë, pra ne jemi të famshëm për këtë.”
Biznesi i funeraleve është një dyqan i vockël në qendër të qytetit, i mbushur përplot me lule artificiale dhe ikona kristiane ortodokse.
I riu, pronar i agjencisë, Christos Panagiotou, thotë se ideja për të sponsorizuar i erdhi në një natë kur po pinte me miqtë e vet nga skuadra deri vonë.
“Në fillim lojtarët menduan se ishte një shaka, por tani janë të mësuar me këtë”, thotë ai. Po a i sjell kryqi më shumë fat skuadrës? “Deri më sot, për fat të keq jo”, thotë ai. “Unë shpresoj që ndihma nga biznesi im do t’i shpëtojë nga shpërbërja. Por është e trishtueshme që skuadrat kanë ardhur te ne për ndihmë dhe se vendi ynë po ecën përmes kësaj situate tragjike.”
Në nivel amator apo kombëtar, sporti i Greqisë është me të vërtetë në gjendje të mjerueshme. Financimet janë shkurtuar ndjeshëm dhe nuk ka më asnjë investim. Atletët përballen me një të ardhme të zymtë.
Vetëm tetë vjet më parë, Greqia zhvilloi Lojërat Olimpike dhe skuadra kombëtare u kurorëzua kampione e Europës. Tashmë stadiumet po rrënohen nga mosriparimi dhe skuadrat po u drejtohen masave të dëshpëruara për të mbijetuar.
Por së paku në këtë rajon, dy klube janë shpëtuar, falë sponsorëve të tyre të rinj jokonvencionalë.
Në këtë histori të pazakontë, ndoshta të dyja palët fitojnë. Futbolli vendas merr ndihma, ndërsa më shumë porosi shkojnë për varrmihësin dhe kuplaranë.

