Ish-kryeministri i Italisë ka një aftësi të madhe për reklamë. Së fundmi, arriti të tërheqë vëmendjen e medias botërore, duke bërë komente lavdëruese për Musolinin në Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit
Lavdërimi i Musolinit
“The Economist”
Koha kur u bënë ato komente tregon se kemi të bëjnë ose me një provokim të mirëmenduar dhe delirant, ose një gafë shumë serioze. Më 27 janar, Silvio Berluskoni, i cili po udhëheq të djathtën në zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Itali, zgjodhi pikërisht Ditën e Memories për Holokaustin për të lavdëruar Benito Musolinin, diktatorin fashist të vendit të tij.
Ndërsa tha se Musolini “bëri gjëra të mira”, ai shprehu keqardhje për ligjet antisemite dhe raciste, të cilat ndaluan hebrenjtë nga mundësia për të bërë karrierë në financë, në universitete, në forcat e armatosura dhe për t’u punësuar në administratën publike, si dhe i ndaloi fëmijët e hebrenjve të shkonin në shkollë.
Megjithatë, ishte e qartë se sado kritik që Berluskoni mund të sillej ndaj ligjeve racore, çdo fjalë justifikuese për Musolinin në ditën e përkujtimit të të vdekurve të Holokaustit do të shkaktonte zemërim.
Siç ka ndodhur me shumë gabime të dukshme të Berluskonit, ka arsye të besohet se kjo e fundit ishte e paramenduar. Një ditë më vonë u zbulua se ai as që kishte marrë ftesë për në ceremoninë ku ai i bëri komentet e tij.
Pra çfarë fshihet pas kësaj? Ka shumë gjasa se ai po përpiqej të joshte ata që janë të lidhur ngushtë me të djathtën, por që ose po mendojnë të abstenojnë në zgjedhje ose po mendojnë të votojnë për Lëvizjen e Pesë Yjeve të udhëhequr nga blogeri komedian Beppe Grillo, i cili po mbiquhet “murtaja në të gjitha shtëpitë”, ose po joshen nga një alternativë e re radikale: “CasaPound” është një lëvizje që e ka marrë emrin nga poeti amerikan i shekullit të njëzet Ezra Pound, i cili ishte njëkohësisht fashist dhe antisemit.
Se sa shumë vota mund të përfitojë nga kjo gjë, është e vështirë të vlerësohet për shkak se sondazhet nuk japin shumë të dhëna për këtë. Kreu i një lëvizjeje të ekstremit të djathtë u ankua javën e kaluar për faktin se kompanitë e organizimit të sondazheve nuk e kishin përfshirë fare në pyetësor. Megjithatë, është e qartë se Berluskoni ka një det me vota ku duhet të peshkojë. Një nga sondazhet zbulon se rreth një e pesta e të gjithë mbështetësve tradicionalë të Berluskonit janë të pasigurt se për kë duhet të votojnë.
Një shpjegim alternativ, por jo tërësisht i papërputhshëm me të parin, është se Berluskoni edhe një herë po përdor komente të ekzagjeruara për të tërhequr vëmendjen te vetja. Përgjatë viteve, ai e ka krahasuar veten me Jezu Krishtin, e përshkroi Barak Obamën si “të nxirë nga dielli”, deklaroi se nuk ka askënd në histori përballë, të cilit duhet të ndihet inferior dhe e përshkroi politikën e Musolinit për internim të brendshëm të armiqve politikë si “dërgimi i tyre për pushime”.
Disa nga këto komente me të vërtetë mund të kenë qenë thjesht të menduara keq nga një njeri që ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së vet i rrethuar nga lakej, si në biznes, ashtu edhe në politikë, nga lakej që nuk guxonin ta kundërshtonin apo t’i vinin në dukje gabimet.
Por kur dikush me inteligjencë të madhe siç është Berluskoni përsërit komente që sakaq kanë shkaktuar zemërim, siç ka bërë me humorin e tij për ngjyrën e lëkurës së Obamës, është e drejtë të supozohet se ai po e bën këtë për ta vendosur veten në qendër të vëmendjes.
Aftësia e tij e dukshme për reklamë ka qenë për një kohë të gjatë objekt i komenteve dhe spekulimeve nga psikologë amatorë. Mund të duket patetike, por në kohë zgjedhjesh, kjo aftësi është shumë fitimprurëse. Komentet e Berluskonit mbi Musolinin e rivendosën atë edhe një herë në listën e lajmeve kryesore.
Në këtë rast, mund të shtrohet pyetja se me çfarë kostosh. Në shumë vende të tjera, komente të tilla kushtojnë shumë shumë rëndë. Por në Itali, kjo nuk është shumë e qartë.
Një nga ministrat e tij argumentoi se mendimet e Berluskonit mbi Musolinin pasqyrojnë “dijen e përgjithshme” mes bashkatdhetarëve të tij: se megjithëse ligjet racore mund të kenë qenë një “gjë shumë e urryer”, diktatori i Italisë gjatë kohës së luftës pati shumë arritje. Ai shkoi edhe më tej se sa Berluskoni. Siç demonstroi zemërimi i shprehur në platformat e ndryshme të medias shoqërore, shumë nga italianët liberalë kanë një mospëlqim të thellë për Musolinin dhe epokën fashiste.
Pavarësisht kësaj, ata nuk janë lloji i njerëzve që do të mendojnë ndonjëherë për të votuar Partinë e Lirisë së Berluskonit. Në një hark të gjerë të popullatës, që shtrihet nga qendra deri tek e djathta ekstreme, e shkuara fashiste e Italisë shihet thjesht si një nga fazat e historisë së turbullt të vendit, një fazë që, njësoj si të tjerat, ka të mirat dhe të këqijat e saj.
Nuk është e pazakontë të dëgjosh nëpër dyqane, lokale apo taksi, komente që i bëjnë jehonë këndvështrimit të Berluskonit për Musolinin. Këto komente thonë se Musolini bëri shumë gjëra të mira për Italinë dhe se ishte shumë më pak i keq se sa Hitleri. Ndodh shumë më rrallë të dëgjosh komente mbi faktin se ishte Musolini që frymëzoi Hitlerin dhe jo anasjelltas dhe se rreth 8 mijë hebrenj u vranë për shkak të aleancës së Italisë me Gjermaninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Italia nuk i ka bërë kurrë llogaritë me të shkuarën e vet totalitariste në atë mënyrë që Gjermania i bëri pas vitit 1968. Përkundrazi, vitet 1970 u karakterizuan nga një konflikt i ashpër mes ekstremit të majtë dhe ekstremit të djathtë, ku u përfshinë përleshje në rrugë, bomba dhe vrasje.
Disa nga politikanët e ekstremit të djathtë, që luajtën role të rëndësishme gjatë atyre viteve, kanë arritur të hyjnë në politikën kryesore dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e saj, pavarësisht se në disa raste janë detyruar të kritikojnë aspektet më negative të politikës së Musolinit. Shumica e tyre kanë qenë aleatë me Berluskonin.