Sipas një studimi kanadez, sistemi kardiovaskular punon në mënyrë më efikase kur pedalohet në pishinë, mbuluar me ujë deri te kraharori


Tashmë dihet: aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë, por edhe për mbarëvajtjen psikofizike, përveçse një atlet i mirë për të mbajtur gjithmonë trupin në formë. Kështu që nuk është kurrë shumë vonë për të braktisur stilet e jetës sedentare. Të pedalosh, të vraposh dhe të bësh shëtitje të gjata në ajër të pastër, konsiderohen si ushtrime shumë të mira fizike, por që mund të jenë të vështira për ata që janë në mbipeshë, vuajnë nga artriti apo probleme të tjera me muskujt dhe kockat. Atëherë çfarë duhet të bëjmë? Një këshillë e mirë është të zhytemi të gjithë në pishinë. Sepse stërvitja në ujë është më pak traumatike dhe ka të njëjtat efekte për organizmin si ushtrimet aerobike në tokë. Madje, sipas një studimi të sapopublikuar dhe prezantuar në Toronto, në kongresin kanadez të sëmundjeve kardiovaskulare, mund të jetë akoma më efikas nga pikëpamja kardiorespiratore.


Studimi


Kërkuesit e Montreal Heart Institute kanë monitoruar të dhënat e lidhura me frekuencën kardiake dhe konsumin e oksigjenit të 22 të rinjve me shëndet të mirë që kanë ndjekur të njëjtën stërvitje me biçikleta si brenda në ujë ashtu edhe jashtë. Nga kjo doli se sistemi kardiovaskular punon në mënyrë më efikase kur pedalohet në pishinë, mbuluar me ujë deri në kraharor. “Konsumi maksimal i oksigjenit, treguesi i një stërvitjeje të mirë, është thuajse i njëjtë për të dyja aktivitetet, por frekuenca kardiake është pak më e ulët kur stërvitesh në pishinë, sepse për çdo rrahje pompohet më shumë gjak dhe presioni i ujit, te këmbët dhe pjesët inferiore të trupit, bën që të mbërrijë te zemra në mënyrë më eficente”, tregon Martin Juneau, koordinator i kërkimit dhe drejtor i Qendrës së Parandalimit të Institutit Kanadez. Me pak fjalë, presioni hidrostatik redukton numrin e herëve që zemra duhet të pompojë gjak për të “kënaqur” nevojën për oksigjen.


Funksioni


Në ujë, volumi i gjakut që ventrikuli çon në sistemin arterior për çdo rrahje kardiake është më i madh, e për rrjedhojë frekuenca kardiake më e vogël. Po ashtu miokardi i nënshtrohet një stresi më të vogël. Ndërkaq, uji mban peshën trupore, për të cilin aktiviteti fizik bëhet më pak traumatik për kockat, nyjet dhe muskujt”, motiv për të cilin gjimnastika në ujë këshillohet shumë edhe për ata që kanë pësuar një traumë apo frakturë kockore. Mjekët e studimit këshillojnë se noti është sporti më i mirë për të gjithë, por jo të gjithë dinë të notojnë. Atëherë një alternativë e mirë janë zhytjet e biçikletave në pishinë për të përfituar nga një stërvitje që përfshin gjithë aparatin muskulor të trupit dhe duke qenë se bëhet në ujë, kërkon më pak lodhje dhe eliminon thuajse krejtësisht rrezikun e traumave. Me pak fjalë, aktivitete që lidhen me fitnesin në ujë këshillohen për këdo, edhe për ata që nuk dinë të notojnë.


Stop jetës sedentare


Kolegji amerikan i mjekësisë sportive rekomandon 150 minuta në javë aktivitet fizik me intensitet të moderuar për të mbajtur trupin në formë. “Të ndryshosh stilin e jetesës nuk është kurrë vonë apo shumë e vështirë përballë të mirave që marrim prej tij”, thotë Beth Abramsom, e “Heart and Stroke Foundation”. Për shembull, kush braktis një stil jetese sedentare dhe bëhet aktiv fizikisht, mund të reduktojë, përveç nivelit të stresit, rrezikun e infarktit nga 35 në 55 për qind”. Nga ana tjetër, sipas një kërkimi të publikuar në revistën “Medicine & Science in Sports & Exercise”, nuk ka tregues më të mirë për shëndetin dhe jetëgjatësinë e një personi se sa minutat që çdo javë i dedikon aktivitetit fizik. Me sa duket, aktiviteti fizik i bën mirë edhe trurit: përmirëson funksionet tona konjektive: “Rënia e funksioneve konjektive është një komponent fiziologjik i plakjes: por është shumë qetësuese të dish se të paktën pjesërisht mund të evitohesh me ushtrime fizike”, nënvizon Juneau, që ka studiuar efektet e stërvitjes fizike mbi funksionet konjektive të një grupi subjektesh (mosha mesatare 49 vjeç) në mbipeshë dhe jetë sedentare. Pas katër muajsh trajnim sportiv, funksionet e tyre konjektive, kapaciteti për të menduar, të kujtuar dhe për të marrë vendime të shpejta, u përmirësuan në mënyrë mjaft domethënëse.