Google është aktualisht në gjyq në Uashington DC, pasi është shpallur fajtor nga shteti i Virxhinias për shkelje të ligjeve antitrust, duke monopolizuar tregjet e reklamave dixhitale. Gjatë diskutimeve mbi mënyrat e mundshme për të zbutur ndikimin e këtij monopoli, përfaqësues të antitrust-it sugjeruan se një zgjidhje mund të ishte që Google të shiste “Chrome” – një ide që ka ngjallur menjëherë interes të madh nga rivalët.

Yahoo, në pronësi të Apollo Global Management (me një kapital tregu prej rreth 80 miliardë dollarësh), shprehu se do të ishte i gatshëm të blinte Chrome nëse një gjykatë federale do të urdhëronte këtë. Lajmin e konfirmoi drejtori menaxhues i Yahoo, Brian Provost, gjatë dëshmisë së tij në gjykatë.

“Chrome është ndoshta lojtari më strategjik në internet,” deklaroi Provost. “Ne do të ishim të gatshëm ta ndjekim blerjen së bashku me Apollo.”

Provost vlerësoi se Chrome do të kishte një çmim në rangun e dhjetëra miliarda dollarëve. Por Yahoo nuk do të ishte i vetmi në garë. Edhe OpenAI, kompania pas ChatGPT, ka shprehur interesin për të blerë Chrome. Gjatë dëshmisë së tij të martën, drejtuesi i OpenAI, Nick Turley, u shpreh:

“Po, do të ishim të interesuar, ashtu si shumë kompani të tjera.”

Ky zhvillim vjen pasi, javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka fituar rastin e dytë të madh të monopolizimit kundër Google. Gjykata e Distriktit Lindor të Virxhinias konstatoi se Google ka “dëmtuar klientët e saj botues, procesin konkurrues dhe, në fund, konsumatorët e informacionit në internet.”

Në një deklaratë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e quajti vendimin “një fitore historike në luftën për të ndalur Google nga monopolizimi i hapësirës publike dixhitale.”

Ndërkohë, Asistentja e Prokurorit të Përgjithshëm, Abigail Slater, shtoi:

Vendimi i Gjykatës është i qartë: Google ka abuzuar me fuqinë e tij. Dominimi i paligjshëm i Google i lejon atij të censurojë dhe madje të përjashtojë zërat amerikanë nga interneti.