Kuzhinieri i famshëm tregon recetën e tij për të ngrënë shëndetshëm
Mirë se vini në klubin ku hahet shëndetshëm. Gordon Ramsay, kuzhinieri britanik më i famshëm në botë, ka ndërtuar një “perandori” të kuzhinës së përsosur, falë talentit si kuzhinier dhe si menaxher i restorantit. Sipas tij, të gjithë ushqehen, por për t’u bërë njerëz të mirë duhet të mësojnë të hanë shëndetshëm, duke kërkuar çdo ditë në tavolinë ekuilibrin e përsosur. Për të, të hash shëndetshëm do të thotë të dish të gjesh në dietën e përditshme një ekuilibër mes llojeve të ndryshme të ushqimeve dhe zgjedhjen e përbërësve të duhur për të realizuar gatimet. “Është një çështje mendore, zakoni, sepse me pak ndërgjegjësim kushdo mund të bëjë disa rregullime të vogla për të përmirësuar mënyrën e jetesës, e jo vetëm atë ushqimore”, shton ai. Mjeshtri i kuzhinës tregon vizionin e tij personal të universit gastronomik. Ai shpreson që njerëzit të kuptojnë sekretet dhe metodat e një kuzhine të nivelit të lartë. “Ajo që praktikoj çdo ditë dhe që përpiqem t’ua mësoj gjithmonë të tjerëve është parimi që mund të përgatitet dhe shërbehet ushqim i shëndetshëm e i ushqyeshëm, pa hequr absolutisht dorë nga shija, të shijuarit dhe kënaqësia që të jep e ngrëna. Edhe në një darkë në shtëpi me familjen, mund të përdoren gatime që i bëjnë më të ekuilibruara pjatat tona të preferuara, por duhet të mësojmë se përmbajtja dhe ekuilibri janë thelbësore në kuzhinë. Kjo vlen jo vetëm për ushqimet e ziera, por edhe për erëzat e përpunimin e menysë”, thotë Ramsay. Është 46 vjeç, baba i katër fëmijëve, ka një karrierë si futbollist në të kaluarën, por që u ndërpre shpejt, për shkak të një fatkeqësie. Të tepruara janë paragjykimet për vegjetarianët, me të cilët Rasmay nuk pajtohet me zgjedhjen ekstreme të dietës së tyre, duke përjashtuar krejtësisht nga dieta e tyre mishin. Por ai vlerëson dhe mbron shijet dhe vetitë e tyre ushqyese. Kuzhinieri me origjinë skoceze nuk humbet rastin të shprehë mendimin e tij lidhur me këtë univers të pafund për të, por të panjohur për ne. Një recetë e përgatitur nga duart e tij është rostoja e viçit me patëllxhanë dhe limonë, me pak salcë, që krijohet nga lëngu i mishit dhe vaji i ullirit. Shija e pjatës ndryshon duke i shtuar pak salcë rozmarine, hudhër të njomë dhe trumzë të freskët. “Nuk mund t’i përjashtoj kurrë këto lloj pjatash nga dieta ime. Kjo do të thotë që jo vetëm të humbas kënaqësinë e një eksperience unike gastronomike, por edhe nga pikëpamja ushqyese këto proteina dhe vitamina do t’i zbriteshin organizmit tim. Imagjinoni ç’shije do të merrte gatimi me mish pule ose derri. Meqë jemi te vitaminat, dua të shtoj se edhe frutat e zarzavatet janë të pazëvendësueshme për trupin tonë, pa llogaritur faktin se kanë shumë vitamina, minerale, antioksidantë dhe fibra. Gjëja që urrej vërtet shumë është mishi i pjekur në skarë. Ne në Angli nuk jemi të zotët ta bëjmë, e djegim të gjithë dhe në fund nuk mund ta ndash më shijen e mishit nga e djegura. Amerikanët ia kanë marrë shumë mirë dorën skarës”, thotë ai. Para disa javësh Ramsay ishte në Las Vegas për hapjen e një restoranti të ri, ku specialitet ishte mishi i pjekur në skarë: “Axhenda ime është e mbushur me takime e inaugurime. Unë vazhdoj të inauguroj lokale, megjithatë mbetem besnik i restorantit tim të parë me tri yje ‘Gordon Ramsay’ në Çelsi”, rrëfen kuzhinieri, pastaj shton: “Të gjithë njerëzit tani më quajnë të famshëm, më ftojnë në emisione e programe të ndryshme, jam bërë pothuajse figurë publike, megjithatë nuk do ta braktis kurrë restorantin tim, sepse gjithçka nisi këtu në vitin 1998, para famës, librave dhe shfaqjeve në televizor”. Popullariteti që ka fituar përmes ekranit është i destinuar të rritet. Sipas tij, kuzhina e mirë mund t’i tjetërsojë njerëzit. Sekreti i pjesës më e madhe të të jetuarit mirë fshihet pikërisht tek e ngrëna dhe e gatuara për sëmbari, duke mos harruar asnjëherë ekuilibrin.