Një studim i ri i realizuar në Kili ka ngritur alarmin për efektet afatgjata që mund të lërë hantavirusi te pacientët, edhe muaj pasi kanë kaluar infeksionin. Vëmendja ndaj virusit është shtuar së fundmi pas rasteve të raportuara në anijen turistike “MV Hondius”.
Sipas specialistëve, hantavirusi i Andesit, që përhapet kryesisht në Amerikën e Jugut, mund të shkaktojë komplikacione të rënda kur zhvillohet në sindromën kardiopulmonare nga hantavirusi (HCPS), duke prekur mushkëritë dhe zemrën. Aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim antiviral specifik për këtë virus.
Studiuesit e “Pontificia Universidad Católica de Chile” monitoruan për 3 deri në 6 muaj 21 persona që kishin mbijetuar pas infektimit.
Rezultatet treguan se të gjithë pacientët kishin përjetuar të paktën një simptomë edhe pas daljes nga spitali, ndërsa mbi 60% deklaruan se nuk ishin rikthyer ende plotësisht në gjendjen e tyre normale shëndetësore.
Ndër shqetësimet më të shpeshta të raportuara ishin lodhja kronike, pagjumësia, ankthi, problemet me kujtesën, rënia e flokëve, makthet dhe vështirësitë në lëvizje. Në disa raste më serioze u vunë re edhe probleme motorike dhe rrahje të shpejta të zemrës.
Ekspertët paralajmërojnë se shumë pacientë kanë pasur vështirësi të rikthehen në punë apo në shkollë edhe gjashtë muaj pas infektimit. Për këtë arsye, ata theksojnë se kujdesi ndaj të prekurve nuk duhet të ndalet me daljen nga spitali, por duhet të shoqërohet me ndjekje mjekësore dhe rehabilitim afatgjatë.
