Sa herë shfaqet emri i një virusi të panjohur, frika rikthehet menjëherë. Këtë herë, alarmi vjen nga Hantavirusi, më saktë nga një variant i tij, virusi Andes, që ka rikthyer shqetësimin pas disa rasteve të raportuara në lidhje me një anije turistike dhe një stjuardesë në Holandë.
Por ekspertët theksojnë një gjë të rëndësishme, ky nuk është një “COVID i ri”.
Ndryshe nga viruset respiratore që përhapen lehtësisht nga personi te personi, Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit e infektuar.
Njerëzit infektohen kryesisht duke thithur grimca të kontaminuara nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e minjve dhe brejtësve të tjerë, sidomos në ambiente të mbyllura dhe të papastruara si bodrume, magazina apo shtëpi të braktisura.
Rasti i fundit ka marrë vëmendje sepse lidhet me virusin Andes, një nga variantet e rralla të Hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Megjithatë, specialistët sqarojnë se kjo ndodh vetëm në kontakte shumë të afërta dhe të zgjatura, jo në mënyrë masive si gripi apo koronavirusi.
Simptomat fillestare shpesh duken si një virozë normale: temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, të përziera dhe probleme me stomakun. Por në disa raste, sëmundja mund të përparojë shpejt dhe të prekë mushkëritë dhe zemrën, duke shkaktuar komplikacione serioze në frymëmarrje.
Megjithatë, jo çdo kontakt me virusin do të thotë infektim dhe jo çdo infektim përfundon në gjendje kritike.
Autoritetet shëndetësore po monitorojnë situatën dhe po kryejnë gjurmim kontaktesh, por deri tani nuk flitet për rrezik të gjerë për popullatën.
Virusi Andes është raportuar kryesisht në Amerikën e Jugut, ndërsa rastet e fundit në Europë lidhen me udhëtime ndërkombëtare dhe kontakte specifike. Kjo është arsyeja pse lajmi ka marrë përmasa globale, edhe pse rreziku për publikun e zakonshëm mbetet i ulët.
Ekspertët këshillojnë kujdes sidomos gjatë pastrimit të ambienteve ku mund të ketë brejtës, duke shmangur ngritjen e pluhurit dhe përdorimin e metodave të thata të pastrimit.
Pra, a duhet të frikësohemi? Jo të hyjmë në panik. Por ta marrim seriozisht, po. Sepse diferenca mes frikës dhe sigurisë qëndron te informacioni i saktë.
