Një stil jetese i shëndetshëm po konsiderohet gjithnjë e më shumë si çelësi jo vetëm për mirëqenien fizike, por edhe për funksionimin e trurit dhe forcimin e kujtesës. Specialistët e shëndetit theksojnë se mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë për t’u përqendruar dhe për të mbajtur mend informacionin, pavarësisht moshës.
Sipas studimeve të fundit, shumë të moshuar që ushqehen në mënyrë të balancuar dhe mbajnë trupin aktiv rezultojnë të kenë kujtesë më të mirë se të rinjtë që ndjekin një stil jetese sedentare, konsumojnë ushqime të shpejta dhe kalojnë orë të tëra para pajisjeve elektronike. Ekspertët nënvizojnë se problemet me kujtesën nuk lidhen domosdoshmërisht me plakjen, por me zakonet e përditshme.
Një dietë e pasur me fruta, perime jeshile dhe drithëra ndihmon trurin të furnizohet me elementët e nevojshëm ushqyes.
Ushqime si lakra, lulelakra dhe soja konsiderohen të dobishme për funksionimin e neuroneve, ndërsa frutat si kajsitë dhe pjeshkët ndihmojnë në përmirësimin e aftësive njohëse.
Po ashtu, specialistët rekomandojnë edhe përdorimin e bimëve natyrale si rozmarina, trumza, rigoni i egër dhe kopra, të cilat njihen për efektet pozitive në përqendrim dhe kujtesë. Çajrat bimorë dhe produktet natyrale mund të ndihmojnë në mbështetjen e aktivitetit të trurit.
Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i tepërt i alkoolit, duhanit, ushqimeve të përpunuara dhe kafesë mund të ndikojë negativisht në kujtesë. Një tjetër faktor shqetësues mbetet përdorimi i vazhdueshëm i teknologjisë, i cili po ul aftësinë e trurit për të ruajtur informacionin.
Specialistët këshillojnë që kujtesa të trajtohet si një “muskuj” që ka nevojë për ushqim të mirë, aktivitet fizik dhe stimulim të vazhdueshëm, në mënyrë që të qëndrojë e fortë dhe funksionale me kalimin e viteve.
