Lidhja e këputur


Iluzioni i ndarjes është ai që sjell më së shumti çiftet në terapi. Ata nuk ndihen të lidhur me njëri-tjetrin, nuk përjetojnë një lidhje me botën përreth as me universin. Ata ndihen të palidhur, të izoluar dhe të vetmuar. Marrëdhëniet e tyre mund të karakterizohen si “Unë kundër teje”. “Përvoja jonë na ka mësuar se arsyeja kryesore pse çiftet dështojnë në krijimin e një marrëdhënie “Unë-Ti” është se ata nuk e kanë përjetuar atë në fëmijëri. Fatkeqësisht, shumica e njerëzve përjetojnë vështirësi në “marrëdhëniet” e tyre të para gjatë tetëmbëdhjetë muajve të parë të jetës. Ekspertët në zhvillimin e fëmijëve e quajnë këtë periudha kritike e “Fazës së Atashimit”. Duke pasur një lidhje të ngushtë me një ose më shumë njerëz që kujdesen për ne është e rëndësishme gjatë fëmijërisë, por sidomos në muajt e parë të jetës. Në mënyrë që të përjetojmë një lidhje të fortë dhe të sigurt me njeriun që kujdeset për ne, quajtur ndryshe kujdestari ynë, ne si fëmijë kemi nevojë për atë çfarë psikologët e zhvillimit e quajnë  prind “në harmoni”. Ky është një prind që është prezent në të dy kuptimet e botës: fizikisht dhe emocionalisht gjatë gjithë kohës. Në mënyrë ideale ky kujdestar respekton nevojat tona individuale, u përgjigjet kërkesave tona të momentit. Të marrin në krahë kur ke nevojë për kontakt fizik. Të ushqejnë kur ke uri. Të ledhatojnë kur je i mërzitur, ke frikë apo dhimbje. Të vënë në gjumë kur të flihet. Ky prind “në harmoni” të inkurajon për të shprehur veten siç je, për të shprehur emocionet, zemërimin, gëzimin, zhgënjimin apo inatin. Të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën. Në vend që të shtypë emocionet e tua, kujdestari në harmoni i pranon ato dhe i pasqyron tek ti. “Një bebe e lumtur! Ti je aq i lumtur”. Po nëse dukesh i trishtuar? Je i mërzitur se nuk të lënë të luash?” E gjithë kjo bëhet me shpirtin e pranimit, dashurisë dhe dashamirësisë. Kur ke një prind në harmoni nuk je një barrë për prindin as nuk je një zgjidhje për nevojat e paplotësuara të tij. Ti je i lirë të jesh vetja dhe të jesh emocionalisht apo fizikisht afër me një person të dashur në të njëjtën kohë.


Te marresh dashurine qe do, Harville HendrixFëmijët e rritur nga prindër të harmonishëm e kanë më të lehtë të krijojnë një marrëdhënie të kënaqshme kur rriten. Duke u rritur të sigurt, të lidhur shëndetshëm me kujdestarët e tyre ata nuk kanë frikë të ekzagjeruar nga braktisja apo presioni. Nuk kanë prirje të zgjedhin një partner nga nevoja absolute, sepse shumë prej nevojave të tyre janë plotësuar në fëmijëri. Nuk janë të tërhequr nga njerëz që neglizhojnë, kritikojnë apo abuzojnë me ta. Të qenët i keqtrajtuar të bën të ndihesh totalisht i huaj, në vendin e gabuar, dhe thellësisht në faj. Për më tepër ata priren të tërheqin pikërisht atë partner që i gjejnë lehtë këto cilësi. Një person që është emocionalisht ekspresiv, ka një imazh pozitiv për veten, ndihet relativisht i sigurt, dhe që mirëpret intimitetin është shumë atraktiv për të tjerët.


 


Dëshpërimisht në kërkim të një lidhjeje


Me keqardhje duhet të pranojmë se shumë prej nesh kemi pasur prindër jo në harmoni dhe kur rritemi sjellim si rezultat nevoja të papërmbushura në marrëdhëniet tona. Jo vetëm kemi përjetuar shkëputje nga prindërit, por në këtë mënyrë ne fillojmë të ndiejmë se po shkëputemi nga pjesë të vetes tonë. Kjo shkëputje e brendshme dhe e jashtme çon në një ndjesi izolimi edhe nga të tjerët, edhe në kontekst më të gjerë, kjo ndjesi të ndan nga universi. Shkëputja ka ardhur nga dy arsye thelbësore të plagëve sociologjike: neglizhimi dhe imponimi. Në kuptimin më të madh të fjalës, prindërit tanë ose na kanë neglizhuar duke dështuar që të mbështesin nevojat tona, ose kanë ndërhyrë shumë në botën tonë të brendshme, na janë imponuar duke u përpjekur të plotësojnë ëndrrat e tyre përmes nesh. Shumë fëmijë vuajnë nga të dy llojet e plagëve, sepse në shumë familje, njëri kujdestar priret të ndërhyjë dhe tjetri të jetë neglizhues. Kjo sjellje konfuze thotë shumë për fëmijën: “Tani kam nevojë për ty. Tani nuk kam”. Unë dhe Helena e shohim këtë shkëputje në fëmijëri si një burim të të gjitha problemeve njerëzore, dhe besojmë se duke rimëkëmbur vetëdijen e lidhjes tonë është burimi i shërimit. Ne kemi një diagnozë për çiftet e palumtura: duke i ndihmuar ata që të rimëkëmbin vetëdijen e lidhjes me njëri-tjetrin. Kur dy njerëz mësojnë si të lidhen në një nivel shumë të thellë, dhimbja që ata kanë përjetuar në fëmijëri shuhet: Mendja e pavetëdijshme ka një vështirësi të madhe për të dalluar të shkuarën nga e tashmja. Kur çiftet riparojnë lidhjen e shkëputur në të tashmen e marrëdhënies së tyre, ata njëkohësisht shërojnë traumat që kanë ndier kur ishin fëmijë të vegjël. Marrëdhënia e tyre me njëri-tjetrin dhe universin është rikuperuar. Kjo lidhje mund të ketë fuqi dhe cilësi që shoqërohet me një përvojë shpirtërore. Lidhja bëhet një vend i shenjtë. Shërim i së tashmes; shërim i të shkuarës; shërim i lidhjes në tërësi. Është bërë gjithashtu shumë e qartë për ne se siguria është numër Një si kusht për t’u lidhur. Dy njerëz nuk mund të lidhen nëse janë duke u mbrojtur kundër një prite negative ose nëse jetojnë me frikën e braktisjes apo janë të tronditur nga prindërit e tyre.


“Dashuria shëron gjithçka” është një thënie e njohur. Dhe është e mundur. Madje mund të shërojë edhe plagët më të thella emocionale të të gjitha lidhjeve të shkëputura mes jush dhe partnerit. Por është e nevojshme që të jetë një lloj dashurie shumë specifike. Duhet të jetë dashuri e pjekur, e duruar, larg manipulimeve dhe shtrembërimeve dhe ka nevojë të jetë brenda kontekstit të marrëdhënies intime. Pranimi i empatisë nga një mik mund të jetë shumë efektiv, por nuk shkon aq thellë psikes tuaj. Në mënyrë që të shërohen plagët e të shkuarës ju duhet të pranoni dashurinë nga një person prej të cilit subkoshienca e mendjes tuaj të nxjerrë në pah kujdestarët e fëmijërisë.