Kur vjen vjeshta, shumë prej nesh fillojmë të ndjejmë hundët që rrjedhin apo një kollë të lehtë. Kjo është normale, sepse gjatë kësaj periudhe përhapen shumë viroza dhe sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Me njerëzit që qëndrojnë më shumë brenda për t’u ngrohur, bakteret dhe viruset përhapen më lehtë. Sipas mjekëve, edhe pse të ftohurat janë të zakonshme nga fundi i gushtit deri në mars, mund të bëni disa gjëra të thjeshta për të mbetur të shëndetshëm.
Kjo ndihmon jo vetëm veten tuaj, por edhe njerëzit më të rrezikuar si foshnjat, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobët. Sipas ekspertëve, pastrimi i shpeshtë i duarve është thelbësor. Mjekët theksojnë se larja e duarve është mënyra më e mirë për të shmangur sëmundjet, sidomos në vjeshtë dhe dimër. “Lani duart para se të hani ose para se të prekni fytyrën, hundën apo sytë”, thotë Dr. Bryan Cochran.
Gjithashtu, lani duart kur ktheheni nga jashtë, pas përdorimit të tualetit, pas teshtimës, kur kujdeseni për dikë të sëmurë ose pas hedhjes së mbeturinave. A ndihmon vërtet larja e duarve në parandalimin e sëmundjeve? Po, dhe shumë. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), shumë sëmundje përhapen sepse njerëzit nuk i lajnë duart siç duhet. Lani duart me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda. Kur nuk keni sapun, mund të përdorni dezinfektues duarsh me të paktën 60 për qind alkool.
A keni menduar ndonjëherë se disa ushqime që mund t’i keni në kuzhinë sjellin përfitime të shumta për shëndetin? Disa ushqime, sipas ekspertëve mund t’i japin një shtysë sistemit tënd imunitar.
“Ushqimi nuk është vetëm për kaloritë”, thotë Michele D. Rager, ekspert në Berry Street, duke shtuar:
“Ne mund të bëjmë zgjedhje që ulin rrezikun për sëmundje dhe na ndihmojnë të ndihemi më mirë më shpejt. Ndërkohë që ushqimi nuk zëvendëson mjekimin, ai mund të jetë një mjet i fuqishëm për të mbështetur trupin kur është nën stres, si gjatë një ftohjeje”.