Në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, gjermanët janë ngurrues në përkujtimin e viktimave. Ndryshe nga Britania, zyrtarët e Gjermanisë e shohin me siklet luftën për të cilën u shpallën fajtorë dhe që solli edhe Luftën e Dytë
Stephen Evans, BBC
Nuk është e vërtetë që qeveria e Gjermanisë ka urdhëruar: “Mos e përmend luftën”. Diplomati që po organizon përkujtimet kombëtare është duke vuajtur nevojën për të mohuar disa lajme të medias britanike, që thonë se qeveria e vendit të tij i ka kërkuar qeverisë britanike të mos angazhohen shumë në përkujtimin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore.
Është e vërtetë se Andreas Meitzner, i cili është përgjegjës si zyrtari gjerman për organizimin e përkujtimoreve, e vizitoi Ministrinë e Jashtme të Londrës për të diskutuar përvjetorin. Ky takim gjeneroi akuzat e medias britanike se Gjermania po “përzihej”, duke i thënë Britanisë se si duhet t’i përkujtojë të vdekurit.
Ai i tha BBC-së së fundmi, se zyrtari i Gjermanisë është keqcituar: “Unë nuk propozova asgjë për palën britanike. Kush jam unë të propozoj diçka në Ministrinë e Jashtme apo në Ministrinë e Mbrojtjes së një vendi tjetër?”
Ajo ishte në fakt përgjigje për një ftesë nga britanikët dhe një diskutim miqësor. Gjermania do të marrë pjesë në një ceremoni në një varrezë të madhe të luftës në Mons të Belgjikës. Ndoshta do të jetë i pranishëm Presidenti i vendit, për të vendosur një kurorë, por detajet nuk janë caktuar ende. Toni i ceremonisë, sipas diplomatit gjerman, do të jetë “jopatriotik” dhe për këtë është rënë dakord me britanikët.
Pavarësisht kësaj, disa historianë kanë akuzuar Gjermaninë se po nënvlerësojnë përvjetorin. Profesor Sonke Neitzel i shkollës ekonomike të Londrës, tha: “Gjermania zyrtare duket se po fut kokën në rërë, duke shpresuar se përvjetori do të kalojë shpejt”. Ai ka frikë nga një “përqasje pa shije” me “fjalime të mbushura me klishe nga politikanët e Gjermanisë”.
Zyrtarët e Gjermanisë përgjigjen se shumë ceremoni janë planifikuar. Dhe është e vërtetë se ka shumë seminare mësimore që vijojnë prej muajsh në një departament historie në një universitet goxha të mirë. Ka ekspozita nëpër muzetë e vendit dhe galeri.
Por është gjithashtu e vërtetë se Lufta e Parë Botërore nuk krijon shumë imagjinatë për gjermanët e zakonshëm, në të njëjtën mënyrë siç prek psikikën e britanikëve. Nuk ka një ndjesi përkujtimi kombëtar i cili do të sigurojë pjesëmarrjen e njerëzve të të gjitha llojeve. Nuk është një moment për reflektim kombëtar.
Në Berlin, shumë pranë aeroportit të Tempelhof, ka një varrezë shumë domethënëse. Quhet Neuer Garnisionfriedhof dhe aty janë varrosur në vija të drejta 7200 ushtarë të vrarë në atë luftë të parë. Ata qenë kthyer të plagosur rëndë nga fronti dhe vdiqën nga plagët në spitalet e qytetit. Çdo varr ka një gur të thjeshtë. Disa thonë “unbekannte” – të panjohur – por të tjerë tregojnë emrin dhe moshën, duke dhënë ndjenjën e hidhur të një individi në vuajtje.
Por pothuajse askush nuk i viziton këto varreza. Ndërsa britanikët kalojnë kanalin me autobusë për të vizituar varrezat e luftës në Belgjikë, berlinezët nuk i vizitojnë varret e të vrarëve në luftë, që janë në derë të shtëpisë së tyre.
Dr. Ingolf Verneke (Wernicke) nga organizata që përkujdeset për këto varre, i tha BBC-së: “Askush nuk është i interesuar. Më vjen keq për këtë. Koha është shumë e largët dhe askush nuk e di se kujt i përkasin këto varre. Ato janë të harruara”.
Atij i vjen shumë keq për këtë dhe mendon se kjo vjen për shkak se Lufta e Parë Botërore në ndërgjegjen e gjermanëve u vu në hije gjerësisht nga Lufta e Dytë Botërore.
“Gjithçka që ndodhi në Luftën e Parë Botërore u mbyt nga Lufta e Dytë Botërore. Kur unë shkova në shkollë këtu në Berlin në vitet ’60 dhe ’70, ne dëgjuam diçka për Luftën e Parë Botërore, e cila dukej sikur nuk kishte ndodhur në Gjermani. Ajo dukej sikur kishte ndodhur diku larg”.
Mund të jetë edhe një arsye tjetër që ndoshta ndihmon për të shpjeguar ngurrimin e zyrtarëve gjermanë për përvjetorin.
Pak larg nga varreza gjendet një statujë e madhe. Ajo u ngrit nga ata që ishin në pushtet pas luftës. Është përkujtimorja e një regjimenti, përbëhet nga një bazament i madh i zi, mbi të cilën gjendet statuja e një ushtari të vdekur, të mbuluar me një flamur. Në gjoksin e tij është një shpatë e thyer dhe një helmetë. Vetëm një anë e trupit të tij është e dukshme: Poshtë trupit gjendet shënimi: “Wir sterben, auf dass Deutschland lebe, so lasset uns leben in euch” – “Ne vdiqëm në mënyrë që Gjermania të jetojë, pra na lejoni të jetojmë te ju”.
Ky është një paralajmërim për të gjallët dhe u thotë që të sigurohen që sakrifica e të vdekurve nuk shkoi dëm “na lini ne, të vdekurit e luftës, të jetojmë përmes jush, të gjallëve”.
Kjo ishte një ndjesi e fortë në vitet 1920 dhe që shkaktoi edhe më shumë katastrofë. Komplikimi është se atëherë Gjermania e humbi luftën, për shkak të një “thike në kurriz” ideja e përdorur nga Hitleri për të nxitur dhunën kundër atyre që u shpallën armiq të brendshëm, para së gjithash, hebrenjve.
Mundet të jetë që ngurrimi zyrtar mbi Luftën e Parë Botërore është i fuqishëm, për shkak se të hapësh debatin mbi kujtimin e viktimave ushtarake të Luftës së Parë është njësoj si të hapësh debatin mbi viktimat ushtarake të luftës që pasoi.
Nuk mund të ketë prirje për kërkim shpirtëror në Gjermani mbi Luftën e Parë Botërore (siç po ndodh në Britani), por kjo nuk do të thotë se askush nuk po mendon për të. Një libër nga Kristofer Klark (Christopher Clark), një historian australian i Universitetit të Kembrixhit, është bërë libër i shumëshitur në përkthimin në gjermanisht. “Somnambul” analizon periudhën që solli luftën dhe jep një panoramë gabimesh dhe keqkuptimesh në politikën komplekse perandorake të Europës.
Kjo është arsyeja se pse gjermanët e pëlqejnë këtë libër kaq shumë, thotë Mikael (Michael) Epkenhans, drejtor i kërkimit në Qendrën për Histori Ushtarake të Forcave të Armatosura të Gjermanisë në Potsdam.
“Libri i Kristofer Klarkut po shitet si ëmbëlsirë e freskët”, thotë ai, “për shkak se u jep gjermanëve ndjesinë se të gjithë duhet të konsiderohen fajtorë për Luftën e Parë Botërore dhe jo vetëm gjermanët. Sheh njerëz të moshuar që gjallërohen kur dëgjojnë atë duke thënë leksione apo ndërsa lexojnë librin e tij. Ata ndiejnë se ai po thotë se shumë qenë fajtorë dhe jo vetëm gjermanët”.
Këndvështrimi se gjermanët qenë veçanërisht fajtorë u shfaq menjëherë pas luftës te Traktati i Versajës, i cili imponoi reparacione të rënda mbi Gjermaninë (një barrë e cila, aksidentalisht, ekonomisti i madh britanik, Xhon Mejnard Kejnes (John Maynard Keynes), paralajmëroi më 1919-n, do të sjellë katastrofë: “Por kush mund të thotë se sa shumë është e përballueshme ose se në çfarë drejtimi burrat do të kërkojnë në fund të shpëtojnë nga fati i keq?”
Ky debat është rihapur mes historianëve në Gjermani nga libri i Kristofer Klark. Do të ketë një debat akademikësh pak para përvjetorit të luftës në gusht.
Por vetë kombi nuk është me të vërtetë i angazhuar.
Ka një varrezë tjetër të stërmadhe jo shumë larg Tempelhof. Është varreza e hebrenjve në Viesense, dhe mes 115 mijë varreve të saj janë ato të 12 mijë ushtarëve gjermanë hebrenj që luftuan në Luftën e Parë Botërore. Hebrenjtë e mbajtën luftën në përqindje shumë më të madhe sesa kërkonte pjesa e popullsisë së tyre.
Disa nga gurët e varreve në Veisense tregojnë histori të dhimbshme mbi një tragjedi personale dhe kombëtare – një djalosh hebre rreth 20 vjeç, Albert Lovinski (Lowinsky), i cili vdiq në Flanders nën flamurin gjerman, më 1914-n.
Mundet të ndiesh lotët e prindërve të tij, ndërsa qëndron para varrit të tij. Dhe çfarë ndodhi me ta?