Holanda votoi dje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, një referendum për BE-në i kërkuar nga euroskeptikët. Por në frontin e kundërt, Samsom falë një fushate të shkëlqyer mund të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve
“Zgjodha të merrem me politikë duke menduar për ju”. Në video shihet një baba teksa puth vajzën e tij të ulur në një divan para se të dalë nga shtëpia. Diederik Samsom nuk ka fituar popullaritet vetëm duke e përqendruar vëmendjen e kamerave te jeta e tij private, duke nxjerrë në shesh gruan dhe familjen e duke treguar buzëqeshjen e brishtë të vajzës së paralizuar. Megjithatë nëse lideri i Partisë Laburiste ka pësuar një ngjitje të jashtëzakonshme në sondazhe, tashmë kokë më kokë me liberal-konservatorin Mark Rutte, kjo është edhe falë spoteve të tipit “reality show” dhe shfrytëzimit deri në maksimum i ekranit të vogël. Një risi për komunikim politik të vendit, pavarësisht se ishte pikërisht holandezi John de Mol që shpiku formatin e këtyre “reality show”. Menaxheri “unilever”, që ka qeverisur vendin në dy vitet e fundit, duke aspiruar në efikasitetin e një kompanie, është babai shembullor i familjes që mbron vlerat e solidaritetit. Pikërisht në duelin Rutte-Samsom luhet rezultati i votës në Holandë. 12 milionë zgjedhës janë thirrur të shprehin vullnetin e tyre për njërën nga 21 partitë në listë. Me sistemin e pastër proporcional, fragmentarizimi politik po pëson rritje të dukshme. Nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, deri tek integralistët e krishterë, gjithsecili mund të pretendojë për një karrige në “Tweede Kamer”, dhoma e ulët e Parlamentit me 150 deputetë. Por “ylli” i këtyre zgjedhjeve është pikërisht Samsom. 41 vjeç, me një fizik të përkryer, Samsom ka një të kaluar si militant i “Greenpeace”. Është arrestuar me dhjetëra herë për pjesëmarrjen në disa operacione blic të ambientalistëve. Nga marsi i kaluar është bërë lideri i PVDA-së, Partisë Laburiste, që prej vitesh është në krizë për sa i përket popullaritetit. Samsom bëri një fushatë “derë më derë” si ajo e Obamës në vitin 2008, dhe sipas të gjithë komentatorëve ka qenë komunikuesi më i mirë në debatet televizive. Me pak batuta arriti të errësojë imazhin e kundërshtarit Emile Roemer, në krye të Partisë Socialiste dhe “zëdhënës” i së majtës në protestën kundër masave të ashpra të kursimit. “Nuk jemi një kërcënim për Europën”. Paul Schnabel është drejtor i “Social Cultureel Planbureau”, organizmit të statistikës që monitoron ndryshimet sociale në shoqërinë holandeze. Nga observatori i tij, Schnabel parashikon një fitore elektorale që do të forcojë qendrën e moderuar dhe partitë favorizuese ndaj idesë europiane. “Mbi temat europiane nuk ka ndryshime të mëdha mes programit të liberal-konservatorëve dhe atyre të laburistëve”. Të dy mbështesin “Fiscal Compact” dhe janë dakord për reduktimin e deficitit nën 3 për qind të GDP-së, ashtu siç është kërkuar nga Brukseli. Sigurisht, pranon Schnabel, kurrë si në këtë fushatë elektorale është nxitur euroskepticizmi, me populistët ekstremë. Ka qenë Geerd Wilders ai që kërkoi zgjedhjet e parakohshme, duke refuzuar të votojë planin e masave të kursimit të prezantuar nga Rutte në pranverën e kaluar. Lideri i PVV, Partia për Lirinë, braktisi kryqëzatën e tij kundër islamit dhe emigracionit për t’u përqendruar te BE-ja. Wildres kërkon të pengojë fondet e BE-së për Greqinë, Spanjën dhe të gjitha vendet e Europës Jugore, që ai i konsideron si “Garlic countries”. Gjetja e fundit është një videolojë, që gjendet në sajtin e tij, për të luajtur rreth falimentimit dhe krizës, “ashtu siç bëjnë liderët në Bruksel”. Në mënyrë paradoksale, Wilders ka pësuar rënie në sondazhe dhe rrezikon të humbasë shumë vende në Parlament. Në vitin 2010 ai fitoi 24 vende. “Zgjedhësit nuk do ia falin faktin se ai çoi në rrëzimin e qeverisë. Por gjithmonë janë të mundura surpriza në momentin vendimtar të votimit”, shpjegon Schanbel. Një e treta e holandezëve është ende e pavendosur. Në debatin e fundit televiziv mes Rutte dhe Samsom, të hënën në darkë, u fol edhe njëherë për ekonominë dhe Europën. Kryeministri në ikje, një nga aleatët më besnik të Kancelares Merkel, ka mbrojtur asin “Hagë-Berlin”, ndërsa Samsom është më tepër në linjën e Parisit dhe Presidentit Hollande, që kundrejt masave të kursimit propozon edhe ato për rritjen ekonomike. “Emigracioni nuk është më prioritet për holandezët. Prioritetet janë holandezët, janë rrogat, pensionet, punët për të rinjtë”. Kriza ka prekur edhe këtë vende ku papunësia është rritur dhe rritja ekonomike është ngadalësuar. Por cilido qoftë fituesi debatet nuk do të mungojnë. Hipoteza më e mundshme është një koalicion mes PVDA laburiste, liberal-konservatorët VVD dhe me mbështetjen e një apo dy partive të tjera. Është i njëjti koalicion që ka qeverisur mes viteve 1994 dhe 2002. Tonet e ndezura të fushatës në fund mund të zgjidhen lehtësisht përmes artit francez të kompromisit.
Protagonistët
Wilders – Geert Wilders është lideri i partisë së ekstremit të djathtë PVV. Antiislam dhe anti-BE, në 2010-n mori 24 vende. Në rënie në sondazhe
Roemer – Emile Roemer përfaqëson të majtën e “ashpër”. Është lideri i Partisë Socialiste, që në 2010-n fitoi 15 vende. Pretendon 26
Rutte – I pari Kryeministër liberal në Vendet e Ulëta nga viti 1918, Mark Rutte është në krye të sondazheve. Dëshiron ta çojë borxhin publik nën 3% të GDP-së nga viti 2013
Sondazhet – Diederik Samsom, 41 vjeç, është lideri i Partisë Laburiste (PVDA) që nga marsi i këtij viti. Ish-aktivist i “Greenpace” është europian i bindur fitoi terren në sondazhe. Partia e tij, në opozitë që prej 2010-s, parashikon një program të ringjalljes ekonomike dhe një demokratizim të Bashkimit Europian