Një shkollë riedukimi në Florida ka një histori, për të cilën disa thonë se është e mbushur me tmerre. Një skuadër vullnetare antropologësh po përpiqet të gjejë çfarë ndodhi duke zhvarrosur fëmijët që nuk dolën kurrë prej saj
Kate Dailey, BBC
Antropologët mjekoligjorë po zhvarrosin mbetjet e fëmijëve në një shkollë riedukimi në Florida. Ish të dënuarit shpresojnë se gërmimi do të japë përgjigje mbi akuzat për abuzim me fëmijët brenda mureve të shkollës.
Përgjatë vitit të shkuar, antropologët që po punojnë për Universitetin e Floridës së Jugut kanë zhvarrosur mbetjet e 55 fëmijëve nga një varrezë brenda shkollës së riedukimit “Arthur G. Dozier” për djem, e cila tashmë është mbyllur.
Djemtë janë varrosur në arkivole të thjeshta. Mbetjet e tyre u nxorën bashkë me objekte të tjera si kopsa, rripa dhe në një rast, një memorial.
Që nga viti 1900 deri më 2011-n, shkolla në Mariana, Florida, ishte një institucion publik reformimi për djem që e patën gjetur veten në telashe – kishin vjedhur makina, kishin ikur nga shkolla apo në rastet e djemve gati një vjeç, në nevojë për jetimore në një kohë kur nuk kishte jetimore të disponueshme.
Përgjatë dekadës së fundit, qindra burra kanë dalë publikisht duke denoncuar abuzime dhe neglizhime në shkollë – në mënyrë specifike, rrahje makabre të kryera në një ndërtesë të vogël të bardhë në oborrin e shkollës.
“Kishte gjak nëpër mure, gjak nëpër dyshekë dhe unë e kisha vënë kokën në një jastëk të përgjakur”, thotë Alen Sekston (Alan Sexton) për kohën që ai vuajti dënimin në ndërtesën që fëmijët e thërrisnin “Shtëpia e Bardhë”.
“Ajo mbante erë të qelbur. Ata e kthyen në praktikë të zakonshme t’i mbanin njerëzit që kalonin aty afër ndërtesës për të dëgjuar ulërimat.” Sekston ishte një nxënës në shkollën Dozier në vitin 1957. Ai u dërgua te “Shtëpia e Bardhë” vetëm një herë dhe u godit 37 herë me kamxhik, pasi kishte bërë disa telefonata pa autorizim.
Por burra të tjerë si Xherri Kuper (Jerry Cooper), president i një grupi avokator të quajtur “Djemtë e Shtëpisë së Bardhë”, raportohet se vuajtën 100 fshikullima.
Qenë historitë e treguara nga “Djemtë e Shtëpisë së Bardhë”, të cilët më së shumti kaluan në këtë shkollë në vitet 1950 dhe 1960, që tërhoqën vëmendjen ndaj shkollës dhe nxitën antropologen mjekoligjore Erin Kimmerle që të gërmonte.
Në mënyrë specifike, ajo u tërhoq nga historitë e anëtarëve të familjeve që kërkonin eshtrat e të dashurve të tyre, të cilët nuk dolën nga shkolla.
Shumica e të dhënave për vdekjet në shkollë nuk kanë lënë shënim për shkakun e vdekjes. Fëmijët vdiqën nga zjarri dhe një epidemi gripi e në disa raste, prindërit e varfër dhe të paarsimuar u informuan se fëmijët e tyre kishin vdekur në aksidente apo sherre.
Shpesh, trupat dërgoheshin në shtëpi për t’u varrosur me familjet. Por në disa raste, familjet nuk qenë njoftuar për vdekjen dhe më vonë iu thuhej se ishin varrosur në shkollë. Kur ata shkonin për vizitë, shkolla nuk jepte të dhëna për vendin ekzakt të varrimit dhe as detaje mbi vdekjen.
Sipas Kimmerle, shkolla nuk mbajti një listë të përgjithshme të vendit të varrimit dhe nuk pati ndonjë politikë përkujdesjeje për varret.
“Është dëshira e tyre për të marrë mbetjet dhe për t’i varrosur pranë prindërve”, thotë Kimmerle për të afërmit e viktimave. “Nuk ishte diçka që mund të kryhej në të shkuarën kur patën ndodhur vdekjet. Ne ndiejmë se është e rëndësishme t’i ndihmojmë ata në këtë përpjekje.”
Duke përdorur metoda të arkeologjisë, Kimmerle dhe skuadra e saj vlerësoi se rreth 50 studentë janë varrosur atje – shumë më tepër se sa 31 që qenë vlerësuar nga shteti në vitin 2009.
“Në kuptimin e punës paraprake, ishim shumë pranë”, thotë ajo. “Por se cilët janë dhe specifikisht çfarë u ndodhi atyre, ne nuk e dimë.”
Hetimi është përqendruar në gjendjen e atyre që kanë anëtarë të familjes të varrosur në Dozier, në mënyrë që të mbledhin kodin gjenetik dhe të përpiqen të identifikojnë mbetjet, një detyrë e kryer në bashkëpunim me Qendrën e Shkencave Shëndetësore në Universitetin e Teksasit të Veriut.
Shkolla u mbyll më 2011-n. Disa ndërtesa mirëmbahen nga shteti, por të tjera janë braktisur. Për këtë qëllim, ata hartuan një listë me djemtë që dihet se janë varrosur aty. Deri tani kanë arritur të gjejnë të afërmit e 18 viktimave. Këtë javë, ata publikuan një skeç të bazuar te kafka e një prej trupave që rikuperuan, për t’u dhënë një fytyrë njerëzore përpjekjeve të tyre, thotë Kimmerle.
Një hetim shtetëror i vitit 2010 te shkolla zbuloi se “nuk ka prova fizike as për të mbështetur dhe as për të hedhur poshtë akuzat për abuzime fizike apo seksuale” mbi fëmijët te “Shtëpia e Bardhë.
Një vit më pas, qeveria e mbylli shkollën, duke argumentuar se po e bënte këtë për shkaqe ekonomike. Në të njëjtën kohë, Departamenti i Drejtësisë zbuloi një raport, ku thuhej se ka gjetur “praktika të dëmshme… që cenonin sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve” te shkolla Dozier, si dhe te një shkollë tjetër riedukimi në Xheksonvill, Florida.
Para se prona të mund të shitet, Kimmerle dhe skuadra e saj fitoi të drejtën për të gërmuar. Ajo kishte kohë deri gushtin tjetër për të kërkuar terrenin bazuar në radarë, qen, harta të vjetra dhe dëshmitë e ish-studentëve.
Deri tani nuk janë gjetur varre jashtë kufijve të paqartë të varrezës. Por Kuper, president i “Djemve të Shtëpisë së Bardhë”, thotë se 55 trupat sakaq të gjetur janë vetëm “maja e ajsbergut”.
Ai beson se gërmimet në Dozier mund të jenë shansi i fundit për të provuar akuzat që ata kanë ngritur prej vitesh. Kur BBC-ja vizitoi këtë vend në shkurt, skuadrat po gërmonin terrenin pas “Shtëpisë së Bardhë”, por nuk kishin gjetur mbetje.
Megjithatë, Kimmerle thotë se është tepër herët për të përjashtuar mundësinë e akteve kriminale në lidhje me secilin prej 55 kompleteve të eshtrave të gjetura. Ajo vëren gjithashtu se hetimi i tyre sugjeron se djemtë që kishin vdekur nga një rast zjarri qenë të mbyllur në dhoma pa mundësi shpëtimi, ndërsa ata që kishin vdekur nga gripi qenë braktisur nga stafi pa ushqim apo ilaçe.
Pavarësisht se çfarë gjëje tjetër gjendet, gërmimi dhe vijimi i vëmendjes së krijuar nga Dozier nënkupton se historia e asaj që i ndodhi Kuberit dhe dhjetëra djemve të tjerë do të vijojë të mbetet lajm dhe historia e jetës në Dozier do të vijojë të përhapet.
“Unë dua të zbuloj se çfarë na ndodhi ne”, thotë Kuper, i cili ka kaluar shumë vite duke bërë thirrje për drejtësi për “Djemtë e Shtëpisë së Bardhë”. Ka qenë falë organizatës së tij, si dhe raportimeve të dedikuara nga “St Petersburg Times”, që historia ka mbetur në vëmendjen e publikut.
“Nuk ka pse t’ju vijë keq për ne”, thotë ai. “Ndihuni krenarë që ne e nxorëm këtë në publik.”