Intervistat e punës nuk testojnë vetëm njohuritë profesionale. Shpesh, punëdhënësit duan të kuptojnë si sillet kandidati në situata reale: si reagon nën presion, si punon me të tjerët, si zgjidh konfliktet, si komunikon me klientët dhe si i menaxhon afatet.

Për këtë arsye, një nga format më të përdorura janë pyetjet e sjelljes, që zakonisht nisin me “Më tregoni për një rast kur…” ose “Jepni një shembull kur…”. Ideja është se mënyra si një kandidat ka vepruar në të kaluarën jep një pamje më të qartë për mënyrën si mund të veprojë në të ardhmen.

Pyetjet më të shpeshta lidhen fillimisht me punën në ekip. Kandidatit mund t’i kërkohet të tregojë një rast kur ka punuar me dikë me personalitet shumë të ndryshëm, kur ka pasur konflikt me një koleg, kur i është dashur të marrë rol drejtues, kur ka bërë një gabim në raport me një koleg, apo kur i është dashur të marrë informacion nga dikush që nuk përgjigjej.

Në këto raste, punëdhënësi nuk kërkon një histori perfekte, por një shembull që tregon maturi, bashkëpunim dhe aftësi për të zgjidhur situata të vështira.

Një grup tjetër pyetjesh lidhet me klientët. Kandidati mund të pyetet për një rast kur ishte e rëndësishme të linte përshtypje të mirë, kur nuk i përmbushi pritshmëritë e një klienti, kur u sigurua që klienti të largohej i kënaqur, apo kur iu desh të menaxhonte një klient të vështirë.

Për pozicionet që kanë kontakt me publikun, këto pyetje janë vendimtare, sepse tregojnë jo vetëm durim, por edhe aftësi për të ruajtur imazhin e kompanisë.

Në intervista shfaqen shpesh edhe pyetjet mbi përshtatjen me ndryshimet.

“Më tregoni për një rast kur keni qenë nën presion”, “Si u përshtatët me një ndryshim në kompani?”, “Si e përballuat fillimin në një punë të re?”, “Kur ju është dashur të mendoni shpejt?” apo “Më tregoni për një dështim” janë pyetje që synojnë të nxjerrin në pah fleksibilitetin e kandidatit.

Përgjigjja më e mirë nuk është ajo që fsheh vështirësitë, por ajo që tregon çfarë mësoi kandidati prej tyre.

Menaxhimi i kohës është një tjetër pikë e fortë në intervista. Punëdhënësi mund të kërkojë shembuj për raste kur kandidati ka pasur shumë përgjegjësi njëkohësisht, kur ka mbajtur në kontroll një projekt afatgjatë, kur puna është bërë e papërballueshme, kur ka vendosur një objektiv personal apo kur një problem i papritur i ka prishur planin.

Në këto përgjigje, rëndësi ka të tregohet si janë vendosur prioritetet dhe si është ruajtur cilësia e punës.

Edhe organizimi është një aftësi që kërkohet pothuajse në çdo pozicion. Pyetje si “Si i vendosni prioritetet?”, “Si delegoni detyrat?” apo “Kur ju ka ndihmuar organizimi të respektoni një afat të ngushtë?” synojnë të kuptojnë nëse kandidati punon në mënyrë të strukturuar apo vetëm reagon ndaj urgjencave.

Komunikimi është po aq i rëndësishëm. Kandidatit mund t’i kërkohet të tregojë një rast kur komunikimi me shkrim ishte vendimtar, kur arriti të bindte dikë në punë, kur shpjegoi një çështje teknike për persona jo specialistë, kur zhvilloi një bisedë të vështirë me një klient apo koleg, ose kur dha një prezantim të suksesshëm.

Në këto raste, punëdhënësi kërkon të shohë jo vetëm çfarë u tha, por si u mendua dhe u përgatit komunikimi.

Në fund, shumë pyetje lidhen me motivimin dhe vlerat profesionale. “Cila është arritja juaj më e madhe?”, “Kur keni marrë iniciativë për të zgjidhur një problem?”, “Si punoni nën mbikëqyrje shumë të afërt apo shumë të lirshme?”, “Kur keni qenë kreativ në punë?” apo “Kur jeni ndier të pakënaqur në një rol?” janë pyetje që ndihmojnë punëdhënësin të kuptojë çfarë e motivon kandidatin dhe çfarë lloj ambienti pune i përshtatet.

Përgjigjet më të mira janë ato që ndërtohen si histori të shkurtra dhe konkrete. Rekomandohet metoda STAR: situata, detyra, veprimi dhe rezultati. Fillimisht jepet konteksti, më pas përgjegjësia që kishte kandidati, veprimi konkret që ndërmori dhe në fund rezultati ose mësimi që doli nga ajo përvojë.

Këshilla kryesore është që kandidati të mos përpiqet të mësojë përgjigje përmendësh. Më mirë është të përgatisë disa histori reale nga përvoja e tij, të lidhura me punën në ekip, komunikimin, presionin, organizimin dhe zgjidhjen e problemeve. Këto histori mund të përshtaten lehtë gjatë intervistës, në varësi të pyetjes që bëhet./Monitor