Eljan Tanini
U bënë 8 muaj që dua të bëj një intervistë me Markun. Ai është inxhinier audioje, por edhe kompozitor. Punon prej disa vitesh në Akademinë e Arteve. Është drejtor artistik i Ansamblit ARKETIP, studiues i Organologjisë, koleksionist i veglave folklorike muzikore të trevave shqiptare. Ka pak gjëra për të thënë në lidhje me të, sepse flet më shumë për një koleksion privat. Më në fund, takohemi në një natë të ftohtë shtatori afër studios së tij. Ai është i qetë, njohës i mirë i tingujve që hapen pa i dëgjuar normalisht. Ka sedër koleksionuesi dhe kjo thellohet kur njeh hapësirat e dëshirave që lidhen vetëm me veglat muzikore dhe tingujt e ndryshëm që mund të bësh çdo gjë me to. Ngjitemi për në studion e tij personale. Ai më flet pak për punën e tij, ndërsa unë dua të di çdo gjë për këta tinguj kohe që ende lumturojnë.
Sa kohë të është dashur ta nisësh gjetjen e këtyre veglave muzikore? Dhe pse pikërisht ky koleksion Mark?
Babai është marrë shumë me lahutën, ishte veteriner. Ai në dasmat e asaj kohe ishte më i privilegjuari dhe i respektuari. Pasioni im fillon që në moshë të njomë, aty nga fillimi i adoleshencës, kur të gjithë kërkonin për t’u marrë me diçka si me sport p.sh, vetëm unë kisha një pasion pak si më ndryshe. Shpesh në atë moshën time, ndoshta mund të vihesha edhe në lojë, jo në lojë të hidhur. Njerëzit më thoshin pse i do këto vegla: dhe unë u thosha që këto janë më tepër se shokët e mi, jam më i mbrojtur me to. Ndihem më shumë unë. Edhe kur e thosha ëmbël këtë fjali, ata sigurisht që nuk më kuptonin. Të gjithë morën fusha të tjera, unë më pas studiova muzikë. Kam jetuar në Lezhë në fillim, ku jam marrë shumë me muzikë. Atje ku kam filluar të mendoj më shumë për veglat muzikore e folklorike. Ato më çudisnin, më bënin të ngjitesha pas tyre. Kam të gjitha grupet e instrumenteve muzikore, ku përfshihen krahinat shqiptare. Të ndara sipas grupeve, membranofoni, kordofoni, aerofoni etj. E kam nisur me lloje të ndryshme fyejsh, dajret, sitra, lahutat etj. Curla dyjare e jugut, çiftelia e Malësisë së Tiranës, instrumentet me kallam, pipëzat etj…
Sa ke vuajtur për t’i ruajtur këto vegla?
Shumë, sa të duash. Mos harro se këtu në koleksionin tim privat, janë gjithsej 110 vegla muzikore që funksionojnë. Dhe këto vegla muzikore nuk përdoren më në informacionet e ndryshme popullore. Ashtu siç ka mbetur e vetme në koleksionin tim Lahuta e Vermoshit, sepse ajo bëhet me drurin e panjës, që e gjen në këtë vend. Vështirë ta imagjinosh. Kam pasur një periudhë kohe që punoja gjithë kohën deri në 4 dhe 5 të mëngjesit. Pothuajse çdo gjë për këto vegla muzikore e bëja natën. Në kohën e Enverit nuk e dinte askush këtë. Dhe askujt nuk i thosha, do më bënin sherr, përse lodhesh etj. Shtëpia ishte e fshehta e gjërave të mia, nuk desha që të tjerët të dinin. Janë nga këto veprimet që njerëzit kurrë nuk kuptojnë. E fundit ka qenë nusja ime, kishte thjesht merakun se ne nuk kemi nevojë që ti të lodhesh. Siguroja të gjitha pajisjet, kam punuar me tre ustallarë, njëri prej tyre është edhe mjeshtri Ramazan Gura, që më ka ndihmuar sa herë unë i kam kërkuar ndihmë. Nuk e harroj kurrë atë që më thoshte ai: Unë vetëm për ty nuk kursej asnjë orë ta natës dhe të ditës. Problemi i këtyre veglave muzikore është se ato duhet të mirëmbahen, ndryshimet e temperaturave, ka prej tyre që duhet të bëhen edhe të reja, por mbi të gjitha ato duhet të marrin frymë nga fryma jonë. Janë delikate. Temperatura shpeshherë në shtëpi shkonte edhe 40 gradë dhe druri pësonte plasaritje. Ishte shkatërrim për punën time, duhet ta bëja nga fillimi. Kështu nisa të bëj vetë në shtëpi lagështirën dhe ngrohtësinë. Kur kam shkuar në vitin 1991 në Itali, kam blerë dy barometra tejet të shtrenjtë. Shpëtova mbrojtjen e tyre, dhe sot i kam 40 vjet parking në studion time. Më kupto, 40 vjet parking ka shpenzime jo edhe aq të vogla. Po çfarë të bësh, këto janë dëshirat e shpirtit tim.
Të ndalemi pak te jetesa me këto vegla muzikore. Po nga ata joshësit që duan të blejnë këtë pasuri ke pasur?
Oooo, po ata janë gjithmonë. Unë nuk mundem kurrë t’i shes veglat e mia. Unë jam me to, u kam dhënë dhe më kanë dhënë frymë. Po mos të jenë ato do vuaj. Përmes tyre unë kam kompozuar muzikë për film, për festivale etj… Prandaj, kjo është një pasuri që lihet trashëgimi. Një ditë, 2 tregtarë kinezë erdhën e më takuan, nuk e di nga kishin dëgjuar për mua. Ata ishin bashkë, por njëri prej tyre më tha se unë jam në gjendje të t’i marr sa të hapësh gojën ti. Unë kam vend plot dhe ato më hyjnë shumë në punë. Por nuk mundesha të pranoja. Ato vegla muzikore, janë pjesë e traditës sonë popullore, nuk mund t’i shes, pavarësisht shtrenjtë! Kam hapur ekspozita në disa vende të botës. Njerëzit që kanë ardhur tek unë janë të shumtë, studiues të muzikës, studentë, apo edhe turistë. Një ditë erdhën 3 autobusë me turq, u bë një radhë kaq e madhe sa hynin 5 e nga 5. Por ato duhet të jenë më afër publikut, jo në studion time.
Sa është kostoja e tyre, dhe kush është vegla e parë që ke marrë në koleksion?
Është kostoja e një pasurie të veçantë. Shto këtu edhe mirëmbajtjen. Është një instrument briri, që besoj se është marrë në malësitë e Shkodrës dhe unë e kam blerë në Krujë për 1000 lekë të reja. Është bri i gdhendur, mbi 150-vjeçar. Vegël moderne që nuk i iku koha kurrë. Nëse je te Pallati i Kongreseve, ai dëgjohet pa frikë deri tek ish-Stacioni i Trenit. Në fillimet e tregut të Krujës gjeje perlat e kulturës shqiptare. Kam qenë para 20 ditëve aty, më ka ardhur turp nga vetja, sepse kishte humbur çdo vlerë, të tjerat ishin imitime të shëmtuara. Unë i njoh veglat pa i prekur me dorë. Po aq sa nuk u vjen turp dhe bëjnë fyej me tuba perdesh të vjetra, madje edhe me tuba çezmash. Kam edhe një kockë, ajo është gjetur në një thellësi 4 ose 5 metra. Në zonën e Fushëkuqes në Laç, ajo kockë është përdorur për t’i rënë një instrumenti tjetër, për të bërë një thirrje, ose fillim gjëje. Ndoshta edhe për të vendosur në qetësi një vend me njerëz. Këta e kanë konstatuar disa studiues italianë që erdhën në Shqipëri.
Veglat janë të gjitha shqiptare, a ngjajnë ato me të tjerat në Ballkan dhe më gjerë?
Kjo është pyetje kureshtare me vend. Janë absolutisht të gjitha shqiptare, të prodhuara nga vetë ata që i kanë përdorur ato. Ata janë shpikësit e parë. Lahuta është personifikimi i instrumentit shqiptar. Nëse kishte instrument që unë nuk kisha mundësi ta blija, sepse jo gjithmonë kam pasur mundësi ekonomike të mirë, i bëja vetë ashtu siç bëheshin nga vetë mjeshtrit e popullit që i kanë shpikur. Dhe për këtë gjë, më kanë ndihmuar shumë Zef Përshtjefa dhe Zef Staka. Pastaj mos harroni, se kultura muzikore lëviz. Ajo interpretohet përmes mënyrave të ndryshme. Çdo shtet i botës ka instrumente, por i kanë ndryshe, kanë mënyrën e lojës më tjetër, sepse kultura shtegton. Ashtu siç edhe një pjesë të muzikës sonë na i kanë sjellë ushtarët pushtues, si sazet e gojës, lahuta me 8 tela etj… Të mos e ngatërrojmë këtë me lahutën që është me një tel.
Vegla e fundit që ke blerë?
Është një zmadhues zëri, i cili kufizon gjendjen e frymës dhe lejon që zëri të ecë drejt. Si në një hinkë. Pak a shumë një megafon.
Mark, çfarë kërkoni ju të bëni me këto vegla të kulturës sonë?
Ehhhhhhh! Me këto vegla muzikore unë kam hapur ekspozita në shumë vende të botës. Të huajt kanë shumë kureshtje, sepse detajet nuk duan t’i humbin. Unë kërkoj që kjo vlerë kombëtare të mos rrijë e burgosur në studion time, ku turistët dhe studiuesit të më marrin mua në telefon për të hapur derën e studios sime. Ato duhet të shihen nga të gjithë, prandaj kërkoj që kjo pasuri kombëtare të ekspozohet përgjithmonë diku, afër qendrës së Tiranës. Duhet të jetë me patjetër afër turistëve, por edhe shqiptarëve. Unë normalisht nuk do t’i kem gjithmonë kushtet që ato të shihen nga publiku. E drejtoj thirrjen time te të gjithë ata që mendojnë se vlerat e stërgjyshërve janë krenari kombëtare që nuk duhet të dalë jashtë Shqipërisë. Këto janë vlera që nuk shuhen. Një institucion duhet t’i marrë në mbrojtje. Ka shumë holle ku mund të ekspozohen dhe ruhen. Shpesh më kanë pyetur: Çfarë lloji muzike keni ju shqiptarët?! Ja, ato janë shembulli i gëzimeve, emocioneve, me to janë kënduar këngë vaji, trimërie, thirrje, këngë deti etj. Por janë një pasuri për çdo nxënës, dhe për çdo shkollë artistike. Sepse nga këtu fillon e vërteta se kush jemi ne.
Sa vjeçare është kultura jonë në muzikën e lumturisë dhe hidhërimit?
Ka vegla deri në 170-vjeçare, që janë shqiptare. P.sh: si briri i kaut, i cili është quajtur celulari i asaj kohe, mjet komunikimi, që në bazë të stilit të rënies, është kuptuar kodi i nevojës për gëzim apo hidhërim. Janë edhe vegla primitive si tepsia, me të cilën është kënduar kënga: Bluaj mulli bluaj… Në kohën e bereqetit njerëzit bënin një festë dhe këndonin duke rrotulluar tepsinë dhe e shoqëronin me fjalë. Fyelli, që është më i thjeshtë, me një, dy dhe tri vrima. Madje në zonën e Jugut i thonë tredyjar. Por janë edhe Gurët e Bletës. Me to këndohej kënga që thirrej Bleta dhe ajo vinte aty: Ti o bletë je e bekuar që shëtit lule më lule, më jep mjaltin, por si përrua… Thuhej se bleta për këta njerëz nuk ngordhte, por vdiste. E barazuar me njeriun, kaq e shenjtë ishte. Prandaj e them shpesh: Këto nuk janë veglat e mia muzikore. Janë të shqiptarëve, ata duhet t’i shohin dhe të admirojnë stërgjyshërit e tyre.
Për çfarë e pyet veten tënde tani?
Unë e pyes veten përse e dua kaq shumë këtë kulturë, pse i dua kaq shumë vlerat shqiptare. Çfarë ka ndodhur? Dhe pse shqiptarët i anashkalojnë këto gjëra? E pyes veten se kur do të vijë ajo ditë që kjo kulturë e humbur te ne të ekspozohet përgjithmonë, dhe lutem që këtë gjë ta bëjë një institucion privat apo shtetëror. Unë me këto instrumente kam ndërtuar kolonat muzikore të disa filmave të huaj. Kam bërë edhe muzikë për balet, me dhjetëra këngë e muzikë popullore për të rritur dhe fëmijë që kanë marrë pjesë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. I lumtë shkencës elektronike që ka shpikur të gjitha gjërat e gjalla, e kam fjalën për tingujt. Komoditeti i dembelizmit i ka marrë njerëzit në qafë, sepse po shkatërrohet tingulli, ai tingulli live siç i themi nëpër televizione. Ne vetëm shqip nuk kompozojmë më. Fëmijët tanë nuk e do e dinë më se çfarë është muzika shqip, ajo sot është kthyer në një grup qelizash të vdekura pa puls, që vështirë të bëhet e gjallë.
Kë falënderon Mark?
Falënderoj shumë Shpend Bengun. Ai është lëvizësi i daljes së veglave nga burgu i studios sime. Prej kohësh më ka dhënë krah dhe forcë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe në veçanti zonjën Mirela Kumbaro, që në datën 29 shtator për “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe nismës së po kësaj ministrie “Trego Kulturën Tënde” në orën 18:00 do të organizojë ekspozitën me instrumentet e mia muzikore, duke futur këtu edhe një performancë të lashtë muzikore nga Ansambli Arketip, me muzikë nga koleksioni im privat: që nuk duhet të jetë më privat. Do të jem më i lumtur një ditë nëse muzika jonë do të bëhet ashtu siç duhet.