
Mund të tingëllojë ironike, por fjala më e kërkuar në “Bing”, motorin e kërkimit të Microsoft është fjala “Google”. Ky është pretendimi i ngritur nga vetë kompania “Google”, që me këtë argument po përpiqet që të mbrohet në një proces gjyqësor kundër Bashkimit Europian për një gjobë të majme prej 4.3 miliardë eurosh.
BE ka akuzuar Google se ka shfrytëzuar sistemin e operimit Android për të favorizuar motorin e saj të kërkimit “Google”. Kompania mbrohet duke deklaruar se shërbimet e ofruara prej motorit të saj të kërkimit janë thjesht më populloret.
“Kemi depozituar prova që tregojnë se fjala më e kërkuar në Bing, deri më tani është fjala Google. Njerëzit përdorin Google si zgjedhje, jo se janë të detyruar për ta bërë këtë. Anketat të ndryshme kanë treguar se 95 për qind e përdoruesve të internetit preferojnë Google si motor kërkimi përballë rivalëve të saj”, tha avokati i kompanisë, Alfonso Lamadrid para gjykatës së çështjeve të përgjithshme të BE, ku po shqyrtohet padia për anulimin e gjobës.
BE i vendosi gjobë në vitin 2018 kompanisë amerikane me akuzën e abuzimit me pozitat e monopolit në tregun e sistemeve të operimit në telefona.
Komisionerja e Konkurrencës e BE në atë kohë, Margrethe Vestager akuzonte se Google kishte të instaluara në sistemin Android motorin e saj të kërkimit dhe vetë shfletuesin Chrome, madje edhe pagoi disa prodhues të telefonave që ta bënin motorin e saj të kërkimit të vetmin ofrues të këtij shërbimi.