Ekzistojnë pesë mënyra të ndryshme, të cilat do t’ju ndihmojnë që të kuroni dhimbjen dhe fryrjen e mishrave të dhëmbëve, sigurisht nëse vuani nga to. Ndiqini, janë të thjeshta…
Herët a vonë të gjithëve u ndodh që të kenë mishra dhëmbësh të fryra, të cilat të japin dhembje dhe bezdi kur ushqeheni, shpesh të shoqëruara edhe me rrjedhje gjaku. Shkaqet mund të jenë të shumta, mbi të gjitha te personat që te dhëmbët kanë proteza ose ura. Ndonjëherë mund të ndodhë që për shkak të një copëz ushqimi që ka ngelur mes dhëmbëve, të infektohet e gjitha zonën e mishrave. Por çfarë duhet të bëni në rastin kur keni mishra dhëmbësh të infektuar, të fryrë e me dhimbje të bezdisshme? Ja disa këshilla:
1. Kur ndodh që të keni shqetësime te mishrat e dhëmbëve, një mënyrë për ta zgjidhur shumë shpejt këtë shqetësim është shpëlarja e shpeshtë me solucione përkatëse për këtë lloj problemi. Megjithatë, nëse mishrat janë të fryrë për një kohë të gjatë, për t’i kuruar është e nevojshme që të konsultoheni me dentistin, në mënyrë që ky i fundit të përcaktojë shkaqet dhe t’ju japë një zgjidhje definitive.
2. Në 90% të rasteve fenomeni i fryrjes së mishrave të dhëmbëve vjen për shkak të gurëzave. Për të kuruar këtë problem bëni një pastrim të gurëzave te dentisti, në mënyrë që mishrat të kthehen në normalitet dhe të rifitojnë ngjyrën normale. Pas kësaj është e nevojshme që edhe në shtëpi të kujdeseni për ta shpëlarë gojën, mundësisht me produkte natyrale, siç janë për shembull gjethet e mentes të përzier me qumësht. Edhe antibiotikët që shërbejnë për eliminimin e baktereve janë një mënyrë shumë e mirë për të pasur një gojë sa më të pastër dhe të shëndetshme.
3. Shpeshherë edhe mënyra e të ushqyerit është shkak i fryrjes së mishrave të dhëmbëve. Për këtë është e nevojshme që të konsumoni sa më pak ushqime dhe pije me sheqer, duke i zëvendësuar ato me ushqime me bazë vitaminash, si fruta, zarzavate që ndihmojnë për të pasur mishra sa më të shëndetshme. Në rastet kur ky problem ju shfaqet papritur dhe nuk keni mundësi që të shkoni të vizitoheni te dentisti juaj për të qetësuar dhimbjet, përdorni gjethe sallate të ziera dhe lëngun ende të nxehtë vendoseni te pjesa që ju dhemb.
4. Rasti i mishrave që kanë rrjedhje gjaku zakonisht shkaktohet nga gurëzat. Sigurisht që edhe në këtë rast, vizita dhe pastrimi i tyre te dentisti është zgjidhja kryesore. Për ata që vuajnë nga ky shqetësim është e këshillueshme që të bëni shumë kujdes me furçën e dhëmbëve që përdorni. Ajo nuk duhet të jetë shumë e fortë, ndërsa edhe pasta që përdorni duhet të jetë jo agresive dhe specifike për këtë lloj problemi.
5. Në rastet e gjakderdhjes së vazhdueshme dhe intensive, këshillohet që të lagni me ujë shumë të ftohtë një garzë dhe ta vendosni për disa minuta te pjesa e mishit ku del gjak. Gjithashtu është e këshillueshme që të përdorni lëng aloe vera, me të cilin duhet ta shpëlani gojën tri herë në ditë. Kjo do t’ju ndihmojë në rigjenerimin e mishrave.