Por nuk është fundi i botës…


Pas 40 vjetësh do të jemi 8,1 miliardë, por nga atëherë numri i popullsisë së globit do të fillojë të bjerë. Si pasojë, edhe konsumi do të ulet. Deri në vitin 2052 efekti serë nuk do të ketë më efekte katastrofike. Prej 20 qershorit të këtij muaji, në Rio de Zhaneiro ka nisur konferenca botërore për mbështetjen e zhvillimit. Në fokus janë parashikimet e 66-vjeçarit nga Norvegjia, Jorgen Randers, i cili ka parashikuar të ardhmen e botës



Nuk është magjistar, por parashikon të ardhmen. E bën me modelet e tij matematikore dhe me ato që i quan “best guess” (me mend): pra një përzierje intuite, arsyetimi dhe eksperience. Të flasësh me norvegjezin Jorgen Randers, 66 vjeç, analist i skenarëve globalë, do të thotë të imagjinosh botën pas 40 vjetësh: jeta, gjendja e planetit, problemet që do të kemi dhe ato që do të lëmë pas. A do të jetë një botë më e mirë? “Varet”, thotë mjeshtri. “Për t’iu përgjigjur me saktësi pyetjes, duhet të njoh moshën, profesionin, kombësinë dhe gjendjen familjare të lexuesve që e bëjnë këtë pyetje”. Randers ndodhet në Nju Jork, sepse do të marrë pjesë në konferencën Rio+20 në Brazil, ku do të diskutohet e ardhmja e mjedisit. Randers i peshon mirë fjalët, ndërkohë që bota e parashikuar prej sistemeve të ekuacioneve merr formë. Atëherë mund të imagjinoni (pas 20 ose 30 vjetësh), se do të jetoni në një prej pesë hapësirave të mëdha të globit. Po ashtu do të kemi mundësinë të shohim të shkruar librin e tij të ri: “2025 a Global forecast for the next forty years“, që është një pikë referimi edhe në debatet e Rio+20. Një punë që rifreskon të famshmin “Raportin mbi kufijtë e rritjes” i urdhëruar më 1972-shin nga Instituti i Teknologjisë së Masaçusets. Randers ishte njëri nga autorët e atij raporti dhe për këtë arsye libri i tij i ri u prit me shumë kuriozitet. “Urbanizimi do të çojë në një amulli të popullsisë botërore. Menjëherë pas vitit 2040 numri i banorëve do të arrijë në 8,1 miliardë, pastaj do të fillojë të ulet. Si pasojë, në dekadat e ardhshme prodhimi industrial do të rritet ngadalë. Pas 40 vjetësh do të jetë 2,2 herë më shumë se niveli i sotëm”, parashikon futurologjisti. Megjithatë rritja e pasurisë së botës nuk do të ketë efekte të mëdha: “Konsumi do të ulet, sepse një pjesë e mirë e PBB do të shkojë për investimet për zgjidhjen e problemeve që lidhen me shkatërrimin e burimeve dhe humbjen e biodiversiteteve”, shton ai. Gjithsesi, para vitit 2052 ndryshimet e lidhura me efektin serë nuk do të jenë katastrofike. Vetëm pas, Randers parashikon “ndryshime” në zonat më të rrezikuara, që në pjesën më të madhe të rasteve janë më të varfrat. Parashikimet e bëra nga Randers dhe kolegët e tij të “ITM” në vitin 1972 njoftonin se pa ndryshimet e mëdha njerëzimi do të ishte përtej kufijve biofizikë të planetit, me pasojën e një rënieje të pakontrollueshme të numrit të popullsisë dhe prodhimit industrial brenda vitit 2100. Në fund të fundit dihet se është e pamundur një rritje përtej kufijve të burimeve natyrore të tokës. Raporti i famshëm u bë objekt i shumë kritikave të ashpra, sepse vinte në diskutim forcën që modelet tona ekonomike përdorin për rritjen e pasurisë kombëtare. Përveç disa parashikimeve ekonomike, si ato për burimet natyrore, analiza është paraqitur korrekte, sidomos teza që kufijtë e burimeve do të kaloheshin. Në vitin 2009, fituesi i çmimit “Nobel” për kiminë, Paul Cruizen, publikoi dy studime në revistën “Nature” dhe “Ecology and Society“. Crutzen vendoste nëntë “kufij planetarë” dhe theksonte se në tre prej këtyre, ndryshimi klimatik, cikli i azotit dhe biodiversiteti i kanë kaluar kufijtë. Në vitin 2011, një studim tjetër i publikuar në revistën “Environmental research letters” theksonte se depozitat e fosforit do të mbarojnë pas 20 vjetësh, madje edhe eutrofikimi i ekosistemeve të ujit të ëmbël është në fazë të avancuar. Randers është i ndërgjegjshëm për të gjithë këtë: “Parashikimet e mia të reja lidhen me skenarët globalë, nuk janë parashikime të ngjarjeve të ardhshme. Ato janë të mundshme”. Randers imagjinon vetëm një mundësi për të qenë mirë nga pikëpamja e mjedisit: një “diktator të shkolluar planetar” që të vendoste ta mbante ngrohjen globale nën 2 gradë. Normalisht, për të mbajtur një nivel të duhur të burimeve do të jetë e vështirë për të marrë vendime të shpejta. Në këtë rast vetëm Kina mund të bëjë diçka të tillë.


Kur i thonë të flasë për Europën, shkencëtari buzëqesh: “Ka një fije shprese më shumë te Shtetet e Bashkuara. Aftësia e saj e vendimmarrjes nuk do të jetë e mirë, megjithatë shpresojmë të luftojmë pabarazinë. Ja përse Randers parashikon që konsumi europian për frymë do të rritet në gjysmën e dytë të 50 viteve të ardhshme, edhe pse jo shumë”. Cili vend në Europë do të ishte ideali për të jetuar mirë? “Mendoj se jugu i Gjermanisë do të ishte ideal, sepse është e vetmja zonë e Europës që do të arrijë të marrë vendime të shpejta”, thekson shkencëtari. Gjatë 40 viteve të ardhshme gjendja ekonomike e një perëndimori të shtresës së mesme nuk do të ndryshojë shumë. Ndërkohë që kush është i pasur nuk do të jetë më, për shkak të proceseve të rishpërndarjes. Por më shumë se pasuria, më e rëndësishme do të jetë koha: “Sot njerëzit punojnë nga mëngjesi në darkë për një rrogë minimale, ndërkohë që është parashikuar se brenda vitit 2052 do të futet një koncept i ri për fitimin: do të përmirësohet prodhueshmëria dhe do të ulet orari i punës”.


Po zakonet tona ushqimore? Randers nuk shqetësohet shumë për këto. “Nuk shoh ndonjë larmishmëri, vetëm konsumi i mishit do të ulet, për shkak të sëmundjeve që shkaktohen prej tij. Ka gjasa që disa ushqime të zhduken fare, si toni. Pas disa dekadash do të kemi edhe surpriza, për shembull unë kam parashikuar një shampanjë tepër të shtrenjtë me origjinë angleze”.


Randers: “Kam vetëm diçka të rëndësishme për të shtuar. Më ndihmoni që parashikimet e mia të jenë të gabuara, duke përhapur bindjen që burimet natyrore janë pasuria jonë e vetme”.


 


Të dhënat


Parashikimet e gabuara të 40 viteve më parë


Në vitin 1972 u bënë disa parashikime për të ardhmen e globit, që në disa raste ishin katastrofike. Natyrisht që grupi i shkencëtarëve dhe ekonomistëve nuk dispononte mjetet e sotme informatike e teknologjike dhe për këtë arsye disa prej profecive të tyre u quajtën të gabuara, si këto më poshtë:


1. Popullsia e botës (më 1972-shin 3,8 miliardë banorë) në vitin 2030 do të arrijë në 15 miliardë Në fakt, të dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara parashikojnë 8 miliardë më 2050-n


2. Nafta do të mbarojë në vitin 2003 dhe gazi natyror më 1981-shin. Sot llogariten rezerva nafte për 1,2 trilionë fuçi; gazi është i garantuar edhe për 120 vjet


3. Rezervat e bakrit do të mbarojnë në vitin 2008; ato të plumbit në vitin 1998 dhe të argjendit më 1988-n Në vitin 2012 llogariten ende rezerva 43 vjet për bakrin, 18 vjet për plumbin dhe 22 vjet për argjendin


Fjala e futurologut – Jorgen Randers, 66 vjeç nga Norvegjia. Puna e tij është paraqitja e skenarëve mjedisorë. Ja tri arsye pse i duhet besuar: 1) parashikon tendenca dhe jo ngjarje; 2) ai mbështetet te të dhënat matematikore; 3) përdor të dhënat e marra nga satelitët