Një histori unike vjen nga Italia, aty ku një zvicerian vendosi të braktiste vendlindjen e tij për të jetuar si një i pastrehë në Milano.

Në fakt, më shumë se sa histori unike, ngan si një histori e pabesueshme, teksa peripecitë e Rolf Bantle nisën në momentin kur udhëtoi drejt Italisë në vitin 2004 për të ndjekur në San Siro një ndeshje të Basel kundër Inter të vlefshme për turin paraeliminator të Champions League.
Por, teksa skuadra e tij ishte duke u mposhtur me rezultatin 4-1, Bantle i drejtohet tualeteve të San Siros. I gjendur në një impiant gjigand, tifozi humbet drejtimin dhe në kthim e gjen veten në një sektor tjetë të stadiumit duke humbur në këtë formë kontaktin me miqtë e tij. Mijëra persona në dalje të San Siros krijojnë një rrëmujë të madhe dhe sërish nuk arrin të gjejë miqtë e tij, ndërkohë që nuk ka as një telefon me vete.

I gjendur në një situatë të vështirë, me vetëm 20 franga dhe 15 euro në xhep, Bantle, 60-vjeçar në atë kohë merr një vendim edhe më të vështirë. Vendos të braktisë jetën e tij në Zvicër, pasi siç tregon edhe vetë, në vendlindjen e tij nuk kishte asgjë që e priste. Në këtë formë, shndërrohet në një të pastrehë në rrugët e Milanos, pikërisht në një zonë afër stadiumit San Siro.

Bantle tregon se milanezët tregoheshin shumë të mirë me të duke i dhuruar cigare dhe ushqim, madje një student i dhuroi edhe një dyshek për të fjetur. Nga ana tjetër, policia zviceriane e regjistron në regjistrin e personave të humbur.

Por, në vitin 2015, jeta e Bantle merr një tjetër rrjedhë pasi si pasojë e një aksidenti ai dëmton gjurin dhe detyrohet të shkojë në spital, ku zbulohet se ishte një qytetar zvicerian. Kryqi i Kuq kërkon rikthimin e tij në Zvicër, në Basel dhe ashtu ndodh. Tashmë, Bantle jeton në vendin e tij, por në një azil për të moshuar ndërsa shton se 11-vite në Itali ishin të mjaftueshme për të./ Super Sport