Letër e hapur


Fituesja e çmimit “Oskar” sulmon “sistemin e gabuar të yjeve”: Kam arritur të mbijetoj si një mutant


Nëse do të isha edhe një herë sa Kristen, nuk do të bëhesha aktore


Jodie Foster mendon se ngjan shumë si karakter me Kristen Stewart, madje e mbron atë me fanatizëm! Është e çuditshme, sepse në një vend si Hollivudi ky gjest solidariteti dhe mbështetja nuk para janë të shpeshta. Mirëpo Jodie Foster i ka habitur të gjithë me veprimin e saj dhe ka shkruar një letër të hapur për kolegen më të re Kristen Stewart, që është publikuar në sajtin “The Daily Beast”. Letra e Foster është edhe një vetërrëfim i jetës së 49-vjeçares, çfarë ajo ka ndërtuar në 46 vite karrierë. Në fakt, ajo flet më shumë për jetën e saj sesa për miken Kristen.


Stewart, 22 vjeçe është në qendër të stuhisë mediatike për shkak se i dha fund lidhjes me Robert Pattinson, partneri i saj gjithashtu në sagën “Twilight”. Kristen jo vetëm që e tradhtoi, por e pranoi publikisht fajin. Për mediat amerikane kjo ishte një lëvizje e gabuar, madje e quajtën “vetëvrasje profesionale”. Duket se parashikimet e bëra janë konfirmuar: pasi vendosi të mos shfaqej në “Cali”, filmi tjetër i Nick Cassavetes, Kristen humbi rolin e protagonistes në filmin e Borëbardhës. Fosteri nuk futet në detaje, asaj i interesojnë vetëm pasojat: “Kjo është një histori e vjetër si bota. Nuk është krim të futesh në shtratin e dikujt tjetër. Të dy aktorët janë të rinj, të bukur. Fillimisht i ngremë në piedestal, pastaj i hedhim në humnerë dhe i shohim të gjakosur. Në këtë moment mendojmë: ‘E shikon, qenkan si ne, prej mishi’. Megjithatë, rrallëherë mendojmë për rininë që e shkatërrojmë në këtë proces”, shkruan Foster në letrën e saj. sot presioni mediatik është i fortë, edhe falë rrjeteve sociale, për këtë arsye “do të lija gjithçka ende pa filluar. Do të shpresoja që dikush që më do me të vërtetë të më përqafojë dhe të më largojë nga këtu”, shkruan Foster. Ajo pohon gjithashtu se është përpjekur që ta ndalë Kristen të mos bëhej aktore që kur ishte 11 vjeçe pas një bashkëpunimi pesëmujor në sheshxhirimin e “Panic Room”. “I thashë të ëmës që ta bindte për të ndryshuar punë”.


Foster e di se çdo të thotë kjo, sepse e ka nisur karrierën që në moshën 3-vjeçare. “Nuk më kujtohet të kem kaluar ndonjë periudhë të fëmijërisë larg syve të publikut. Njerëzit më thonë se historia ime konsiderohet pozitive. Shpesh më afrohen të huaj dhe më pyesin: ‘Si ja ke bërë për të ruajtur, qetësinë, ekuilibrat dhe për të mos devijuar nga jeta normale?’. Zakonisht gënjej dhe përgjigjem: besoj ngaqë jam e mërzitshme. E vërteta është se si një mutant kam përdorur aftësitë e mia për të mbijetuar. Kam ngritur disa mure mbrojtëse për t’i penguar ziliqarët. Përveç këtyre kam ndryshuar edhe disa zgjedhje profesionale për të mos poshtëruar veten dhe personat që dua. Që në rini kam mësuar të jem luftëtare. Dikur mund të rebelohesha, ndërsa sot jo”, shprehet Foster.


Në këtë rrëfim të çuditshëm, edhe Foster ka pranuar të papranueshmen për Hollivudin: që ka gënjyer rishtazi për një pyetje që i është bërë shumë edhe në për intervista. Asnjë yll tjetër amerikan nuk e ka mbrojtur jetën private siç e ka bërë ajo. Gjithashtu askush nuk është kritikuar më shumë se ajo për fshehtësinë. Arsyeja lidhet me bindjet e saja seksuale. Për vite me radhë kanë qarkulluar zëra rreth homoseksualitetit të saj. Foster ka refuzuar gjithmonë t’i përgjigjet kësaj pyetjeje dhe nuk ka treguar kurrë se cili është babai i dy fëmijëve: Charlie, i lindur në vitin 1998 e Kit në 2001-n. Për këtë arsye është kritikuar ashpër nga shoqatat e homoseksualëve, që ishin të bindura se duke treguar të vërtetën do të ndihmonte në luftimin e paragjykimeve kundër grave lezbike. Pastaj, para pesë vjetësh kur fitoi një çmim “Oskar”, Jodie bëri një falënderim për bukuroshen Cydney, që i qëndronte pranë në të mirë dhe të keq. Konkretisht bëhet fjalë për producenten Cydney Bernard. Fëmijët e Foster mbajnë edhe mbiemrin e saj: quhen Charlie e Kit Bernard Foster. Këtë rrëfim të sajin gazetat e titulluan: “Më në fund Jodie tregon të vërtetën”. Ndërkaq, në vazhdim aktorja ka preferuar gjithmonë të mos i rikthehet argumentit. Por ka diçka në mbrojtjen e Stewart që Jodie Foster nuk arrin ta thotë. Në vitin 1981, kur ajo ishte 19 vjeçe, një burrë i qëlloi Presidentit të Shteteve të Bashkuara vetëm për të tërhequr vëmendjen e saj. John Hinckley Jr. Postoi një letër ku shprehte qëllimet e tij, por për 2 cm nuk mund ta qëllonte në zemër Ronald Reagan. Nëse do të kishte pasur më shumë shënjestër, tani historia do të ishte ndryshe. Nuk është e vështirë të imagjinosh efektin që mund të ketë pasur te një vajzë 19-vjeçare.


Kjo është një e mirë sepse pas asaj eksperience Jodie Foster nuk reshti së debutuari nëpër filma, madje na ka dhuruar interpretime të jashtëzakonshme. Personalisht shpresoj që edhe Kristen Stewart të mos heqë dorë nga talenti i saj, as për kinemanë e as për ndonjë çështje drejtësie. Burri me të cilin aktorja bukuroshe e tradhtoi Pattinson-in është Rupert Sanders, regjisori i filmit “Borëbardha dhe gjahtari”. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë, por ndryshe nga Stewart, do të marrë pjesë edhe në serinë e ardhshme të filmit.


 


20-vjeçarë sot dhe dje – Jodie Foster 22 vjeçe me Nastassja Kinski (në atë kohë 25 vjeçe) në sheshxhirimin e filmit “Hotel New Hampshire”


Nën presion – Që në rini kam mësuar të jem luftëtare. Dikur mund të rebelohesha, ndërsa sot jo


Një yll – Jodie Foster ka lindur në Los Anxhelos nënën e ka gjermane dhe babanë amerikan. Është bërë pjesë e kinemasë që në moshën 3-vjeçare. Ka qenë 4 herë kandidate për çmimin “Oskar” dhe ka fituar dy, një në vitin 1988 dhe një 1991


Rasti – Kristen Stewart ka qenë në qendër të kritikave për dashurinë e fshehtë me regjisorin Rupert Sanders. Kjo ka qenë edhe arsyeja e ndarjes me të dashurin e saj Robert Pattinson