Psikologu Eduart Tafa ishte një ditë më parë i ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku foli rreth besëtytnisë, magjisë së zezë, fallxhoreve. Ai komentoi edhe pse shqiptarët vendosin që t’u besojnë kaq shumë.
“A të ka ndodhur që të vijnë pacientë në klinikën tënde dhe të të thonë që i kanë bërë magji të zezë dhe jeta po u shkon ters? Çfarë i këshillon ti?”, e pyeti moderatori i njohur.
Psikologu u shpreh se ka raste, pasi jetojmë në një shoqëri dhe kulturë që i beson këto gjëra.
“Unë mendoj që në shumë kontinente momentalisht ka besueshmëri të lokalizuar, në opsione të ndryshme. Por le të mbetemi në popullatën tonë. Është e pashmangshme si pyetje, por do të bëjmë një diferencim. Kur ne bëjmë analizën klinike të rastit, duhet nisur gjithmonë nga konteksti kulturor. Cili është ndryshimi mes një psikologu shqiptar dhe një psikologu europian apo amerikan? Ka patur shumë raste ku orientohen në banimin ku janë në Europë, shkon takon psikologun dhe i thotë që ‘mendoj se mund të më ketë bërë dikush një magji’.
Psikologu europian nuk arrin ta shikojë në kontekstin kulturor të personit, por duke u bazuar në kontekstin e literaturës shkencore, ai nuk e njeh si fenomen dhe automatikisht ai ngre një pikëpyetje mbi diagnozën që mund të vendosë mbi personin, që shpeshherë është e gabuar. Kur vjen teknjë psikolog shqiptar, ne e shikojmë në bazë të kontekstit kulturor fillimisht pyetjen me të cilën na drejtohet. Dhe e parë në kontekstin kulturor, ne na jep mundësinë dhe komoditetin për t’u zgjeruar edhe më tepër deri në rrënjën e asaj që mund të jetë fituar si një lloj frike apo një lloj besimi gjatë rrugëtimit të tij të jetës”, tha Eduart Tafa.